Neni 1 - Dispozita të përgjithshme

Për efekt të këtij ligji, me "territor" nënkuptohet territori nën sovranitetin e Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë ujërat territoriale dhe zonën detare e shelfin kontinental, mbi të cilat Republika e Shqipërisë, në përputhje me normat ndërkombëtare, ushtron të drejtat e saj sovrane e ligjore.

- "Investitor i huaj" nënkuptohet:
a) çdo person fizik që është shtetas i një vendi të huaj; ose
b) çdo person fizik që është shtetas i Republikës së Shqipërisë, por me banim të përhershëm jashtë vendit; ose
c) çdo person juridik, që është themeluar sipas ligjit të një vendi të huaj, i cili drejtpërdrejt ose tërthorazi kërkon të kryejë ose është duke kryer një investim në territorin e Republikës së Shqipërisë në përputhje me ligjet e saj, ose ka kryer një investim në përputhje me ligjet që i përkasin periudhës nga data 31.7.1990 e në vijim.

- "Investim i huaj" nënkuptohet çdo lloj investimi në territorin e Republikës së Shqipërisë, të zotëruar drejtpërdrejt ose tërthorazi nga një investitor i huaj, i cili konsiston në:
a) pasuri të lujtshme dhe të palujtshme, të prekshme dhe të paprekshme, ose ndonjë lloj tjetër të drejte pasurore;
b) një shoqëri, të drejta që rrjedhin nga çdo formë pjesëmarrjeje në një shoqëri, me aksione etj.
c) huatë, detyrimet në të holla ose detyrimet në një veprimtari që ka vlerë ekonomike dhe që lidhen me një investim;
ç) pasurinë intelektuale, duke përfshirë veprat letrare dhe artistike, tekniko-shkencore, regjistrimet e zërit, shpikjet, projektet industriale, skemat e qarqeve të integruara, knoë hoë, markat tregtare, disenjot e markave tregtare dhe emrat tregtare;
d) çdo të drejtë të njohur me ligj ose kontrata, dhe çdo licencë ose leje të dhëna në përputhje me ligjet.

- "Mosmarrëveshje për një investim të huaj" nënkuptohet çdo mosmarrëveshje ose pretendim që lind nga një investim i huaj ose që ka lidhje me të.

- "Të ardhura" nënkuptohet një shumë parash, që rrjedh ose është e lidhur me një investim, duke përfshirë fitimin, dividentin, interesin, rivlerësimin e kapitalit, tarifat e drejtimit e të administrimiit, tarifat e asistencës teknike ose tarifa të tjera; ose kontribute në natyrë.