KREU I - DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 1
  • 1. Objekt i këtij ligji është krijimi i Agjencisë Shqiptare të Biznesit dhe Investimeve, përcaktimi i fushës së veprimtarisë dhe i parimeve e rregullave të përgjithshme për organizimin dhe funksionimin e kësaj Agjencie.
    2. Funksionimi dhe veprimtaria e Agjencisë Shqiptare të Biznesit dhe Investimeve përcaktohen në statut, i cili miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
    3. Struktura dhe organika përcaktohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

  • Neni 2
  • Agjencia Shqiptare e Biznesit dhe Investimeve (ASHBI), që më poshtë në ligj do të quhet thjesht "Alb-Invest", është person juridik publik, në varësi të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me seli në Tiranë dhe e ushtron veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

  • Neni 3
  • Objekte të veprimtarisë së Alb-Invest-it janë:
    a) zbatimi i politikave dhe strategjive, zhvillimi i programeve dhe projekteve, në mbështetje të zhvillimit të sektorit privat;
    b) studimi, kërkimi, analizat dhe konkluzionet për klimën e biznesit;
    c) nxitja, tërheqja dhe mbështetja e investimeve të huaja, në përputhje me përparësitë e politikës së Qeverisë;
    ç) identifikimi i mundësive për investime në Shqipëri dhe promovimi i tyre;
    d) nxitja e prodhimit vendas dhe e produkteve për eksport për në tregjet e huaja;
    dh) nxitja dhe mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme;
    e) zhvillimi i veprimtarive të promocionit, brenda dhe jashtë vendit, në funksion të përmirësimit të imazhit të Shqipërisë;
    ë) dhënia e asistencës për lehtësimin e investimeve, vendase dhe të huaja, për shoqëritë eksportuese dhe sigurimi i të dhënave dhe i shërbimeve mbështetëse për investitorët dhe eksportuesit;
    f) bashkëpunimi me institucionet publike, financiare, organizatat e biznesit, të vendit dhe të huaja, për identifikimin e barrierave të zhvillimit të biznesit;
    g) botimi i të dhënave zyrtare për investimet, eksportet dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;
    gj) dhënia e ekspertizës organeve të pushtetit qendror, vendor dhe investitorëve të huaj për fizibilitetin e investimeve.

  • Neni 4
  • Institucionet shtetërore, qendrore dhe vendore, janë të detyruara të bashkëpunojnë me Alb- Invest-in, të shkëmbejnë të dhëna dhe të krijojnë të gjitha lehtësitë, për përmbushjen e qëllimeve dhe të funksioneve të veprimtarisë së tij.

  • Neni 5
  • 1. Alb-Invest-i, në përputhje me ligjin, ka të drejtë të ketë në pronësi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe të realizojë të ardhura nëpërmjet shërbimeve që kryen, në funksion të qëllimit dhe fushës së veprimtarisë së vet.
    2. Alb-Invest-i nuk lejohet të ushtrojë veprimtari fitimprurëse.
    3. Alb-Invest-i përgjigjet me mjetet e veta për detyrimet ndaj të tretëve.