KREU I - DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 1 - Qëllimi i ligjit
  • Qëllimi i këtij ligji është të krijojë kuadrin e nevojshëm për nxitjen dhe lehtësimin e zbatimit të projekteve koncesionare, të financuara nga sektori privat, duke rritur transparencën, barazinë, efikasitetin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë në zhvillimin e projekteve të infrastrukturës dhe të shërbimeve publike.
    Ai synon zhvillimin e mëtejshëm të parimeve të përgjithshme në lidhjen e kontratave nga autoritetet publike, nëpërmjet përcaktimit të procedurave të veçanta për dhënien e projekteve koncesionare.

  • Neni 2 - Përkufizime
  • Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

    1. “Ofertuesi” ose “Ofertuesit” janë subjekte juridike ose bashkime të tyre, që kanë për qëllim të marrin pjesë apo që marrin pjesë në një procedurë përzgjedhjeje, në lidhje me një koncesion.

    2. “Procedurë konkurruese e përzgjedhjes” është procedura për përzgjedhjen e koncesionarit, në përputhje me nenet 10 deri 21 të këtij ligji.

    3. “Koncesion” është marrëveshja, pavarësisht nga emri që i jepet, ndërmjet autoritetit kontraktues dhe koncesionarit, ku përcaktohen kërkesat dhe kushtet e saj dhe në kuptimin e së cilës koncesionari:
    a) realizon një veprimtari ekonomike që, në të kundërt, do të kryhej nga autoriteti kontraktues për një projekt koncesioni, kontratë administrimi apo shërbime të tjera publike;
    b) merr përsipër të gjitha ose një pjesë thelbësore të rrezikut të lidhur me këtë veprimtari ekonomike;
    c) merr një përfitim nëpërmjet:
    i) pagesave të drejtpërdrejta nga autoriteti kontraktues apo për llogari të këtij të fundit;
    ii) tarifave ose pagesave, që mblidhen nga përdoruesit ose blerësit;
    iii) një ndërthurrjeje të këtyre tarifave dhe pagesave të drejtpërdrejta.

    4. “Koncesionar” është personi juridik, shqiptar ose i huaj, me ose pa pjesëmarrje vendase apo të huaj, që lidh një kontratë koncesioni me një autoritet kontraktues.

    5. “Regjistër koncesioni” është regjistri i mbajtjes së të dhënave për procedurën e përzgjedhjes dhe të dhënies së koncesionit, që mbahet nga autoriteti kontraktues dhe që, në fund të procedurës, depozitohet në Agjencinë e Prokurimit Publik. Forma dhe mënyrat e mbajtjes përcaktohen nga kjo agjenci.

    6. “Autoritet kontraktues” është autoriteti publik, që ka përgjegjësinë të lidhë kontratë koncesioni.

    7. “Mjete infrastrukturore” janë sistemet dhe asetet fizike që, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, kryejnë shërbime publike.

    8. “Projekt koncesioni” është secila nga veprimtaritë e mëposhtme apo çdo ndërthurrje e tyre, si: projektimi, ndërtimi, zhvillimi i mjeteve të reja të infrastrukturës, rehabilitimi, modernizimi apo zgjerimi i mjeteve të infrastrukturës ekzistuese; administrimi, zgjerimi apo shërbime të tjera, që lidhen me mjetet e reja apo ekzistuese të infrastrukturës.

    9. “Licencë” është një akt administrativ, që lëshohet nga autoriteti përkatës publik për të ushtruar një veprimtari, bazuar në kritere objektive të kualifikimit.

    10. “Koncesione vendore” janë koncesionet për ato veprimtari ekonomike që, në bazë të legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë, janë kompetencë e njësive të qeverisjes vendore.

    11. “Koncesione shtetërore” janë koncesionet për ato veprimtari ekonomike që, në bazë të legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë, janë kompetencë e njësive të qeverisjes qendrore.

    12. “Propozim i pakërkuar” është propozimi për të marrë përsipër projekte koncesioni, i cili nuk ka ardhur në përgjigje të një kërkese të bërë nga autoriteti kontraktues, brenda kontekstit të një procedure përzgjedhëse konkurruese.

    13. “Investim privat” është propozimi, i financuar dhe i realizuar tërësisht nga sektori privat, ku sektori publik nuk merr pjesë drejtpërdrejt apo tërthorazi. Për efekt të këtij ligji, çdo lloj garancie, financiare apo e ndonjë forme tjetër, e dhënë nga sektori publik, vlerësohet si pjesëmarrje e këtij sektori në investimin privat.

    14. “Agjencia e Prokurimit Publik” është agjencia e ngritur dhe që funksionon sipas ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”.

    15. “Avokati i Prokurimeve” është institucioni i ngritur dhe që funksionon sipas ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”.

    16. “Bashkim i përkohshëm i shoqërive” është marrëveshje e shkruar ndërmjet dy ose më shumë personave juridikë, që ka për objekt kryerjen e një veprimtarie të caktuar, ku përcaktohet roli i secilës palë dhe ku njëra prej tyre përcaktohet si shoqëri kryesuese, që përfaqëson bashkimin në nënshkrimin e kontratës dhe në çdo nismë tjetër.

    17. “Vlera për para” është një term, që përdoret për të përcaktuar nëse një autoritet kontraktues ka arritur përfitimin maksimal nga mallrat apo shërbimet, që merr dhe/ose jep, në shfrytëzim brenda burimeve që zotëron. Ky term jo vetëm mat vlerën e mallrave apo të shërbimeve, por vlerëson cilësinë, koston, shfrytëzimin e burimeve, përshtatshmërinë me qëllimin, kohën dhe mundësinë për të vendosur që, të gjitha së bashku, të përbëjnë vlerën më të mirë ekonomike.

  • Neni 3 - Objekti i ligjit
  • Ky ligj përcakton kushtet, mënyrat, kriteret dhe procedurat e dhënies së koncesioneve në Republikën e Shqipërisë.

  • Neni 4 - Fusha e zbatimit të koncesioneve
  • (Shtuar pika 6 me ligjin nr.9995, datë 22.9.2008, neni 1)

    1. Ky ligj zbatohet për dhënien e koncesioneve nga autoritetet kontraktuese për veprimtaritë ekonomike, në këta sektorë:
    a) në transport (hekurudhat, transportin hekurudhor, portet, aeroportet, rrugët, tunelet, urat, parkimet, transportin publik);
    b) në prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike e të ngrohjes;
    c) në prodhimin, shpërndarjen dhe administrimin e ujit, në trajtimin, mbledhjen, shpërndarjen dhe administrimin e ujërave të zeza, ujitjen, drenazhimin, pastrimin e kanaleve e të digave;
    ç) në grumbullimin, transportimin, përpunimin dhe administrimin e mbetjeve të ngurta;
    d) në telekomunikacion;
    dh) në arsim dhe sport;
    e) në shëndetësi;
    ë) në turizëm dhe kulturë;
    f) në infrastrukturën e burgjeve;
    g) në projektet e riciklimit, rehabilitimit të tokës dhe pyjeve, në parqet industriale, të strehimit, të ndërtesave qeveritare, shërbimeve të mirëmbajtjes së teknologjisë së informacionit dhe infrastrukturës së bazës së të dhënave;
    gj) në shpërndarjen e gazit natyror;
    h) në kontratat e administrimit apo në kryerjen e shërbimeve publike, përfshirë edhe ato të sektorëve të sipërpërmendur.

    2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për ekonominë, autorizon zbatimin e koncesioneve edhe në sektorë të tjerë.

    3. Në raste të veçanta, për nxitjen e investimeve në sektorët e përmendur në pikën 1 të këtij neni apo për sektorë të tjerë parësorë në zhvillimin ekonomik të vendit, në përputhje me objektivat strategjikë, Këshilli i Ministrave mund t’u ofrojë investitorëve, vendas apo të huaj, koncesione me çmimin simbolik 1 euro. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për ekonominë, miraton listën e aseteve që do të jepen në koncesion, për efekt të zbatimit të kësaj pike.

    4. Ky ligj nuk zbatohet për lëshimin e licencave, përveçse në masën që një licencë lëshohet brenda kuadrit të kontratës së koncesionit.

    5. Ky ligj nuk zbatohet për prokurimet publike të shërbimeve, mallrave dhe ndërtimeve, si dhe për investimet private.

    6. Ky ligj nuk zbatohet për projektet, që janë pjesë përbërëse dhe të pandashme të një projekti, për të cilin, me ligj të veçantë, autorizohet Këshilli i Ministrave.

  • Neni 5 - Autoriteti kontraktues
  • 1. Autoriteti kontraktues çdo është ministri apo njësi e qeverisjes vendore që, në përputhje me aktet ligjore në fuqi, është përgjegjëse për veprimtarinë ekonomike, për të cilën jepet koncesioni.
    2. Autoriteti kontraktues për koncesionet vendore është autoriteti përgjegjës i njësive të qeverisjes vendore.
    3. Këshilli i Ministrave përcakton autoritetin kontraktues për çdo koncesion, pas identifikimit të koncesioneve të mundshme, sipas nenit 9 të këtij ligji.
    4. Këshilli i Ministrave miraton rregullat e vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve, për plotësimin e qëllimit dhe zbatimin e dispozitave të këtij ligji, si dhe dokumentet standarde në fushën e koncesioneve.

  • Neni 6 - Mbikëqyrja e zbatimit të procedurave koncesionare
  • 1. Mbikëqyrja e zbatimit të procedurave koncesionare dhe shqyrtimi administrativ i ankesave ndaj tyre bëhen nga Agjencia e Prokurimit Publik.

    2. Në ushtrim të funksioneve për koncesionet, Agjencia e Prokurimit Publik ka këto kompetenca:
    a) u kërkon autoriteteve kontaktuese raportime periodike, një herë në 6 muaj, për gjendjen e koncesioneve;
    b) verifikon zbatimin e procedurave koncesionare, në përputhje me këtë ligj dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij, duke u kërkuar autoriteteve koncesionare të gjithë informacionin e nevojshëm;
    c) propozon masa displinore dhe vendos gjoba në masën e përcaktuar në legjislacionin e prokurimeve, në rastet kur vëren shkelje të procedurave të këtij ligji;
    ç) bën shqyrtimin administativ të ankesave të ofertuesve në lidhje me procedurat e koncesionit;
    d) vendos dhe shpall përjashtimin nga procedurat koncesionare të ofertuesve, që gjatë një procedure koncesionare kanë depozituar dokumente false apo kanë deklaruar informacion të rremë;
    dh) i jep Këshillit të Ministrave mendim për procedurën e ndjekur për koncesionet.

  • Neni 7 - Mbrojtja e interesave ligjorë të ofertuesve
  • 1. Monitorimi i zbatimit të këtij ligji dhe i akteve nënligjore të dala në bazë dhe në zbatim të tij, gjatë kryerjes së procedurave koncesionare, në mbrojtje të interesave të ligjshëm të ofertuesve, bëhet nga Avokati i Prokurimeve.

    2. Në ushtrimin e funksioneve sipas këtij ligji, Avokati i Prokurimeve ka këto kompetenca:
    a) shqyrton ankesat e personave të interesuar, për veprime apo mosveprime të kundërligjshme të autoritetit kontraktues;
    b) fillon hetimin e procedurave administrative, kur vëren se rasti përbën shkelje të këtij ligji;
    c) në përfundim të hetimit të procedurave administrative informon autoritetin kontraktues dhe Agjencinë e Prokurimit Publik për rezultatet e hetimit.

    3. Avokati i Prokurimeve, brenda 5 ditëve nga fillimi i hetimit, njofton personat e interesuar dhe Agjencinë e Prokurimit Publik për këtë fakt.

    4. Gjatë ushtrimit të funksioneve për hetimin e procedurave administrative, Avokati i Prokurimeve mund:
    a) të këqyrë në vend akte dhe dokumente, që kanë lidhje me çështjen në hetim;
    b) të kërkojë informacione dhe shpjegime nga administrata shtetërore apo të marrë në pyetje çdo person të lidhur me çështjen në hetim, si dhe të kërkojë ekspertizë nga të tretët;
    c) të rekomandojë ndryshimin e ligjit dhe akteve të dala në zbatim të tij, kur vëren se përmbajtja e këtyre akteve krijon mundësi për shkeljen e procedurave koncesionare.

  • Neni 8 - Njësia e Trajtimit të Koncesioneve
  • Njësia e Trajtimit të Koncesioneve ngrihet në varësi të ministrit përgjegjës për ekonominë, për të nxitur dhe asistuar autoritetin kontraktues në vlerësimin dhe negocimin e koncesioneve.