Neni 18 - Sqarimet dhe modifikimet

1. Autoriteti kontraktues, me nismën e vet apo si rezultat i një kërkese për sqarim nga një ofertues, mund të rishohë dhe, sipas rastit, të ndryshojë çdo element të kërkesës për propozim, sipas nenit 17 të këtij ligji.
Çdo ndryshim u njoftohet menjëherë të gjithë kandidatëve, që kanë tërhequr dokumentet e garës. Kur autoriteti kontraktues e vlerëson të nevojshme të ndryshojë dokumentet dhe kjo bëhet brenda një periudhe kohe më pak se 1/3 e numrit të ditëve të përcaktuara për përgatitjen e ofertave, duhet ta shtyjë afatin e fundit të paraqitjes së ofertave për të njëjtën periudhë kohe.

2. Autoriteti kontraktues, në rastin e parashikuar në pikën 1 të këtij neni, shënon në regjistrin e koncesioneve arsyet për çdo rishikim në kërkesën për propozim. Çdo shfuqizim, ndryshim apo shtesë u komunikohet ofertuesve në të njëjtën mënyrë si kërkesa për propozim.