Neni 25 - Procedura e ankimit

1. Çdo ofertues mund të kërkojë rishikim administrativ të procesit të përzgjedhjes, kur gjykon se një veprim i ndërmarrë nga autoriteti kontraktues është në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji apo të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore për procedurat e koncesionit.

2. Ankesa paraqitet tek Agjencia e Prokurimit Publik brenda 5 ditëve kalendarike nga data e botimit të njoftimit të kandidatëve të parakualifikuar apo e njoftimit të renditjes së ofertuesve nga autoriteti kontraktues.

3. Me marrjen e ankesës, Agjencia e Prokurimit Publik njofton brenda 5 ditëve autoritetin kontraktues në lidhje me pezullimin e procedurave koncesionare dhe fillimin e procedurave të hetimit administativ.

4. Agjencia e Prokurimit Publik nuk pezullon procedurën koncesionare në rastet kur:
a) nga shqyrtimi paraprak rezulton se ankesa nuk është e argumentuar juridikisht;
b) pezullimi vjen në kundërshtim me interesin publik apo dëmton autoritetin kontraktues ose ofertuesit e tjerë.

5. Gjatë shqyrtimit të ankesës, deri përpara lidhjes së kontratës, Agjencia e Prokurimit Publik ka të drejtë:
a) të shfuqizojë pjesërisht apo plotësisht vendimet ose aktet e autoritetit kontraktues;
b) ta udhëzojë autoritetin kontraktues për korrigjimin e shkeljeve përpara vazhdimit të procedurave koncesionare.

6. Agjencia e Prokurimit Publik, gjatë procedurave të hetimit administrativ, ka të gjitha kompetencat e parashikuara nga ligji nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.

7. Ankesa në Agjencinë e Prokurimit Publik bëhet me formularin përkatës, ku shënohen emri dhe adresa e ankuesit, referimi për procedurën konkrete, baza ligjore dhe përshkrimi i shkeljes.
Elementet e mësipërme janë të domosdoshme për shqyrtimin e ankesës. Agjencia e Prokurimit Publik e shqyrton ankesën, në përputhje me këtë ligj, aktet nënligjore të dala në zbatim të tij dhe Kodin e Procedurave Administrative.

8. Agjencia e Prokurimit Publik, brenda 20 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së ankesës, përfundon hetimin administrativ dhe njofton autoritetin kontraktues dhe ankuesin për vendimin.

9. Vendimi i Agjencisë së Prokurimit Publik është akti administrativ përfundimtar.