strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI III - REGJISTRIMI FILLESTAR

  • Neni 28 - Mënyra e aplikimit për regjistrimin fillestar
  • 1. Personat fizikë regjistrohen duke depozituar aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, si dhe një kopje të dokumentit të identifikimit.

    2. Shoqëritë e thjeshta regjistrohen duke depozituar aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme, sipas këtij ligji, kontratën përkatëse, sipas parashikimeve të Kodit Civil dhe kopje të dokumenteve të identifikimit të anëtarëve. Në rast se palët nuk kanë lidhur kontratë me shkrim, regjistrimi i shoqërisë së thjeshtë mund të kryhet duke depozituar vetëm aplikimin, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme, kopje të dokumenteve të identifikimit dhe duke nënshkruar deklaratën e posaçme për njohjen, pranimin dhe zbatimin e dispozitave ligjore në fuqi, për organizimin dhe funksionimin e shoqërisë së thjeshtë.

    3. Shoqëritë tregtare regjistrohen në regjistrin tregtar, duke depozituar aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, statutin dhe aktin e themelimit, në rast se janë hartuar si dy dokumente të veçanta, aktet e emërimit të organeve të shoqërisë, nëse nuk përfshihen në aktet e mësipërme, si dhe aktet e tjera të nevojshme për themelimin, sipas legjislacionit në fuqi.

    4. Shoqëritë kolektive, komandite dhe ato me përgjegjësi të kufizuar mund të regjistrohen, gjithashtu, duke depozituar vetëm aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, dokumentet e identifikimit të anëtarëve apo ortakëve dhe duke nënshkruar deklaratën e posaçme për njohjen, pranimin dhe zbatimin e dispozitave ligjore në fuqi, për organizimin dhe funksionimin e llojit të shoqërisë që regjistrohet. Në këtë rast, aplikimi për regjistrim fillestar dhe deklarata e mësipërme, e nënshkruar sipas rastit nga ortakët, anëtarët ose nga personat e autorizuar të veprojnë në emër e për llogari të tyre, zëvendëson aktin e themelimit dhe statutin e shoqërisë.

    5. Degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja regjistrohen duke depozituar aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji si dhe:
    a) aktin e themelimit e statutin e shoqërisë së huaj, kur këto janë dy dokumente të veçanta apo, në mungesë, aktin ekuivalent të krijimit, sipas legjislacionit të huaj, si dhe tekstin e plotë të tyre me ndryshimet e mëpasshme;
    b) dokumentacionin, që vërteton regjistrimin e shoqërisë së huaj në juridiksionin e huaj;
    c) dokumentacionin, që vërteton gjendjen aktuale të shoqërisë së huaj, të lëshuar brenda një afati jo më shumë se 90 ditë nga data e aplikimit, me të dhënat e regjistrimit dhe të përfaqësimit, përfshirë informacionin nëse është në proces likuidimi apo falimentimi;
    ç) bilancin e shoqërisë së huaj për vitin e fundit financiar, mbajtur sipas standardeve të kërkuara në shtetin e huaj, nëse shoqëria e huaj ka pasur veprimtari për më shumë se një vit;
    d) vendimin ose aktet e tjera të organit përkatës të shoqërisë së huaj, sipas legjislacionit të huaj për hapjen e degës ose të zyrës së përfaqësimit. Aktet e kësaj pike zëvendësohen nga aplikimi për regjistrim në rastin kur personi, që kërkon regjistrimin, është njëkohësisht organi përgjegjës për të vepruar i vetëm, në emër të shoqërisë së huaj.

    6. Shoqëritë dhe unionet e kursim-kredisë, si dhe shoqëritë e bashkëpunimit të ndërsjellë regjistrohen duke depozituar në regjistrin tregtar aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, statutin dhe aktin e themelimit, në rast se janë hartuar si dy dokumente të veçanta, si dhe çdo dokument tjetër, të kërkuar sipas legjislacionit në fuqi.

  • Neni 29 - Subjektet e huaja
  • Në rastet e regjistrimit të personave juridikë ose shoqërive të thjeshta me ortak, aksioner ose anëtar një person juridik të huaj, përveç dokumenteve të kërkuara sipas llojit të subjektit, aplikimit për regjistrim fillestar i bashkëngjiten edhe dokumentet e përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “d” të pikës 5 të nenit 28 të këtij ligji, për personin juridik të huaj.

  • Neni 30 - Të dhënat e detyrueshme për personat fizikë
  • Për regjistrimin fillestar të personave fizikë janë të detyrueshme këto të dhëna:

    a) të dhënat e identifikimit;
    b) vendi i ushtrimit të veprimtarisë ekonomike tregtare;
    c) fusha e veprimtarisë, në qoftë se është e përcaktuar;
    ç) specimeni i nënshkrimit (firmës) të personit fizik.

  • Neni 31 - Të dhënat e detyrueshme për shoqëritë e thjeshta
  • Për regjistrimin fillestar të shoqërive të thjeshta janë të detyrueshme këto të dhëna:

    a) kohëzgjatja, në qoftë se është e përcaktuar;
    b) fusha e veprimtarisë, në qoftë se është e përcaktuar;
    c) vendi i ushtrimit të veprimtarisë ekonomike tregtare;
    ç) të dhënat e identifikimit të anëtarëve;
    d) vlera dhe lloji i kontributeve të anëtarëve;
    dh) të dhënat e identifikimit të personave përgjegjës për administrimin dhe përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët, kompetencat e përfaqësimit dhe afatet e emërimit;
    e) specimenet e nënshkrimit (firmave) të personave, që përfaqësojnë shoqërinë përpara të tretëve.

  • Neni 32 - Të dhënat e detyrueshme për shoqëritë tregtare
  • Për regjistrimin fillestar të shoqërive tregtare janë të detyrueshme këto të dhëna:

    a) emri;
    b) forma;
    c) data e themelimit;
    ç) të dhënat e identifikimit të themeluesve;
    d) selia;
    dh) objekti, në qoftë se është i përcaktuar;
    e) kohëzgjatja, në qoftë se është e përcaktuar;
    ë) të dhënat e identifikimit të personave përgjegjës për administrimin dhe përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët, kompetencat e përfaqësimit, si dhe afatet e emërimit të tyre.
    f) specimenet e nënshkrimit (firmave) të personave, që përfaqësojnë shoqërinë përpara të tretëve.

  • Neni 33 - Të dhënat shtesë për shoqëritë kolektive
  • Për regjistrimin fillestar të shoqërisë kolektive, përveç sa parashikohet në nenin 32 të këtij ligji, është i detyrueshëm edhe njoftimi i llojit e vlerës së kontributeve të të gjithë ortakëve, si dhe pjesëmarrja e tyre në kapital.

  • Neni 34 - Të dhënat shtesë për shoqëritë komandite
  • Për regjistrimin fillestar të shoqërisë komandite, përveç sa parashikohet në nenin 32 të këtij ligji, është i detyrueshëm njoftimi i shumës ose vlerës së kontributeve të të gjithë ortakëve, pjesa në këtë shumë ose në këtë vlerë e çdo ortaku, “të pakufizuar” ose “të kufizuar”, si dhe pjesa e përgjithshme e ortakëve “të pakufizuar” dhe pjesa e çdo ortaku “të kufizuar”, në shpërndarjen e fitimeve dhe në shumën që mbetet pas likuidimit të shoqërisë.

  • Neni 35 - Të dhënat shtesë për shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar
  • Për regjistrimin fillestar të shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar, përveç sa parashikohet në nenin 32 të këtij ligji, është i detyrueshëm edhe njoftimi i vlerës së kapitalit themeltar të nënshkruar, numri i pjesëve të kapitalit, vlera nominale e secilës pjesë, pjesëmarrja në kapital, vlera dhe lloji i kontributeve të secilit ortak, si dhe informacioni nëse kapitali fillestar i nënshkruar është paguar ose jo.

  • Neni 36 - Të dhënat shtesë për shoqëritë anonime
  • Për regjistrimin fillestar të shoqërisë anonime, përveç sa parashikohet në nenin 32 të këtij ligji, janë të detyrueshme edhe këto të dhëna:

    a) vlera e kapitalit themeltar të nënshkruar dhe pjesa e paguar;
    b) numri dhe forma e aksioneve të nënshkruara;
    c) vlera nominale e secilit aksion;
    ç) numri i aksioneve të nënshkruara nga secili aksioner;
    d) vlera dhe lloji i kontributit të secilit aksioner, si dhe pjesa e paguar prej secilit;
    dh) kushtet e veçanta, që kufizojnë transferimin e aksioneve (nëse ka);
    e) nëse ka kategori të ndryshme aksionesh, njoftohen të dhënat e shkronjave “c” e “dh” të këtij neni për secilën kategori aksionesh, si dhe të drejtat që lidhen me to;
    ë) procedurat për konvertimin e formës së aksioneve, nëse parashikohet në statut;
    f) vlera totale ose një parashikim i kostove të veçanta në ngarkim të shoqërisë për procedurat e themelimit;
    g) përparësitë që u njihen personave, që kanë marrë pjesë në themelimin e shoqërisë apo në transaksione të veçanta, që lidhen me fillimin e veprimtarisë ekonomike (nëse ka);
    gj) të dhënat e identifikimit të anëtarëve të këshillit mbikëqyrës dhe ekspertit kontabël të autorizuar, si dhe afati i emërimit të tyre;
    h) numri i anëtarëve të organeve drejtuese;
    i) procedurat e emërimit të anëtarëve të organeve drejtuese, nëse ndryshojnë nga parashikimet ligjore.

    Shoqëritë anonime me ofertë publike, përpara regjistrimit fillestar, duhet të regjistrojnë edhe të dhënat e identifikimit të themeluesve, projektstatutin, si dhe të kryejnë njoftimet e mëpasshme, sipas dispozitave përkatëse ligjore.
    Të dhënat e përcaktuara në shkronjat “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f”, “g” dhe “i” të pikës 1 të këtij neni mund të njoftohen nëpërmjet referencës në aplikim të nenit përkatës të statutit ose aktit të themelimit apo të dokumenteve shoqëruese të depozituara.

  • Neni 37 - Të dhënat për degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja
  • Për regjistrimin fillestar të degëve dhe zyrave të përfaqësimit të shoqërive të huaja janë të detyrueshme këto të dhëna:

    a) të dhënat e përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “d”, “dh”, “e” dhe “ë” të nenit 32 të këtij ligji për shoqëritë e huaja, përfshirë numrin dhe vendin e regjistrimit;
    b) kapitalin e shoqërisë së huaj;
    c) emrin e degës ose të zyrës së përfaqësimit, nëse është i ndryshëm nga ai i shoqërisë së huaj;
    ç) kohëzgjatjen e degës ose të zyrës së përfaqësimit, në qoftë se kjo është e përcaktuar;
    d) fushën e veprimtarisë së degës ose të zyrës së përfaqësimit, në qoftë se kjo është e përcaktuar;
    dh) selinë e degës ose të zyrës së përfaqësimit;
    e) të dhënat e identifikimit të personave përgjegjës për administrimin dhe përfaqësimin e degës ose zyrës së përfaqësimit në marrëdhënie me të tretët, kompetencat e përfaqësimit dhe afatet e emërimit;
    ë) specimenet e nënshkrimit (firmave) të personave, që përfaqësojnë degën ose zyrën e përfaqësimit në marrëdhënie me të tretët.

  • Neni 38 - Të dhënat për shoqëritë dhe unionet e kursim-kredive
  • Për regjistrimin e shoqërive dhe të unioneve të kursim-kredive, përveç sa parashikohet në nenin 32 të këtij ligji, për shoqëritë tregtare janë të detyrueshme të njoftohen edhe lloji dhe vlera e kontributeve të secilit anëtar në kapitalin e shoqërisë, fakti nëse kapitali i nënshkruar është i paguar, si dhe pjesa e paguar, të dhënat e identifikimit të anëtarëve të organit mbikëqyrës, ekspertit kontabël të autorizuar, si dhe afati i emërimit të tyre.

  • Neni 39 - Të dhënat për shoqëritë e bashkëpunimit të ndërsjellë
  • Për regjistrimin e shoqërive të bashkëpunimit të ndërsjellë, përveç sa parashikohet në nenin 32 të këtij ligji, për shoqëritë tregtare njoftohet edhe lloji dhe vlera e kontributeve të secilit anëtar në kapitalin e shoqërisë, fakti nëse kapitali i nënshkruar është i paguar, si dhe pjesa e paguar, përcaktimi i territorit të veprimtarisë dhe të dhënat e identifikimit të anëtarëve të organit mbikëqyrës, të ekspertit kontabël të autorizuar, si dhe afati i emërimit të tyre.

  • Neni 40 - Përjashtimi
  • Në rastin kur me ligjet e posaçme parashikohen mënyra të ndryshme të organizimit të subjekteve, atëherë të dhënat që njoftohen duhet të jenë në përputhje me këto dispozita.

  • Neni 41 - Pagesa e kapitalit
  • Vërtetimi i shlyerjes së kapitalit themeltar nuk përbën kusht për regjistrimin fillestar në regjistrin tregtar të shoqërive me përgjegjësi të kufizuar, me përjashtim të rastit kur në ligje të posaçme parashikohet ndryshe.

  • Neni 42 - Pasojat e regjistrimit fillestar
  • 1. Subjektet, që regjistrohen si persona juridikë, e fitojnë personalitetin juridik me regjistrimin në regjistrin tregtar, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në ligje të posaçme.
    2. Regjistrimi në regjistrin tregtar për personat fizikë, degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja, shoqëritë e thjeshta, sipas Kodit Civil dhe subjektet e tjera që, sipas legjislacionit në fuqi, nuk fitojnë personalitet juridik nëpërmjet këtij regjistrimi, ka vetëm efekt deklarativ.