strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU VII - ANKIMI DHE KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE

  • Neni 71 - Ankimi administrativ
  • 1. Çdo palë e interesuar ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative ndaj veprimeve apo mosveprimeve të QKR-së për regjistrimet dhe publikimet, sipas dispozitave të këtij ligji. Ankimi bëhet brenda 30 ditëve nga data kur ankuesi ka marrë njoftimin për pranimin apo refuzimin e regjistrimit, sipas këtij ligji, ose nga data kur regjistrimi është publikuar në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Regjistrimit.

    2. Në rastet kur ky ligj parashikon miratimin e heshtur dhe QKR-ja nuk lëshon certifikatat apo nuk kryen publikimet përkatëse brenda afatit të parashikuar, subjekti ka të drejtë të ankohet, në çdo kohë, në rrugë administrative, duke kërkuar lëshimin e certifikatës së regjistrimit fillestar apo të certifikatës, që vërteton regjistrimet e tjera të kryera, si dhe publikimin e këtyre të dhënave sipas dispozitave të këtij ligji.

    3. Çdo person i interesuar ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative kur QKR-ja nuk lëshon ekstraktet apo kopjet e vërtetuara të akteve, sipas dispozitave të këtij ligji. Afati 30-ditor për paraqitjen e ankimit fillon pas 5 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës për lëshimin e ekstraktit apo kopjes së aktit të kërkuar.

  • Neni 72 - Organi kompetent për ankimin
  • 1. Ankimi administrativ, sipas nenit 71 të këtij ligji, i drejtohet titullarit të QKR-së dhe paraqitet, sipas formave e procedurave të përcaktuara nga Kodi i Procedurave Administrative, në selinë qendrore të QKR-së ose në çdo sportel shërbimi të saj.
    2. Titullari i QKR-së shqyrton ankimin, merr vendim dhe ia njofton palës së interesuar brenda 5 ditëve nga data e depozitimit të ankimit.
    3. Ndaj aktit të titullarit të QKR-së apo mosveprimit të tij mund të bëhet ankim drejtpërdrejt në gjykatë, sipas nenit 328 të Kodit të Procedurës Civile.

  • Neni 73 - Përgjegjësia jashtëkontraktore
  • QKR-ja, në përputhje me ligjin për dëmin jashtëkontraktor të administratës publike, përgjigjet për dëmet e shkaktuara nga mosveprimi ose nga veprimi në kundërshtim me ligjin.

  • Neni 74 - Kundërvajtjet administrative
  • 1. Subjekti përgjigjet, sipas ligjeve në fuqi, për vërtetësinë e fakteve, të të dhënave të njoftuara dhe të dokumenteve shoqëruese, të depozituara në regjistër.
    2. Deklarimi në regjistër i të dhënave të pavërteta, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 15 000 lekë.
    3. Moskryerja e detyrimit për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të detyrueshme, brenda afateve të parashikuara nga ky ligj, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 15 000 lekë.
    4. Mosveprimi i subjektit, i cili sjell si pasojë kalimin në statusin pasiv, sipas nenit 46 të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 15 000 lekë.
    5. Gjoba aplikohet nga titullari i QKR-së, vendimi i të cilit ankimohet drejtpërdrejt në gjykatë.