strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

MARRËVESHJE MIDIS QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EKONOMIK BELGO—LUKSEMBURGAS, PËR NXITJEN DHE MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INVESTIMEVE

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, nga njëra anë dhe Qeveria e Mbretërisë së Belgjikës, duke vepruar në emër të saj si dhe në emër të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, për shkak të marrëveshjeve ekzistuese, Qeveria Ëallone, Qeveria Flander dhe Qeveria e Rajonit të Kryeqytetit-Bruksel, nga ana tjetër, që këtej e më poshtë të referuara si “palë kontraktuese”, Duke dëshiruar të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre ekonomik për një përfitim të përbashkët me afate të gjata, Duke paSur si objektiv të tyre të krijojnë kushte të favorshme për investimet e shtetasve të njërës palë kontraktuese në territorin e palës tjetër kontraktuese, Duke njohur që nxitja dhe mbrojtja e investimeve e bazuar në Marrëveshjen aktuale do të stimulojë iniciativen në këtë fushë, Kanë rënë dakord si më poshtë:

  • Neni 1 - Përkufizime
  • Për qëllim të kësaj Marrëveshjeje:
    1. Termi “investim” nënkupton çdo lloj të ardhure dhe çdo lloj kontributi në para cash, direkte ose indirekte, në të mira apo në shërbime, të investuara ose të riinvestuara në çdo sektor të veprimtarisë ekonomike, dhe më në veçanti, dhe pse jo ekskluzive, përfshin:
    a) pasuritë e tundshme dhe të patundshme, si dhe çdo të drejtë tjetër reale si: hipotekat, privilegjet, pengjet, të drejtat e përdorimit dhe të drejta të tjera të ngjashme;
    b) aksionet, të drejtat e koorporimit dhe çdo e drejtë tjetër pjesëmarrjeje, duke përfshirë pakicat ose ato indirekte, në shoqëritë e krijuara në territorin e njërës prej palëve kontraktuese;
    c) kreditë, obligacionet, detyrimet në para dhe çdo huadhënie me kontratë që ka një vlerë ekonomike;
    d) të drejtat e pronësisë intelektuale dhe industriale, duke përfshirë të drejtën e autorit, markat tregtare, emrat e bisnesit, patentat, proceset teknologjike, knoë-hoë dhe good will;
    e) të drejtat e konfirmuara me ligj ose me kontratë me një palë kontraktuese, duke përfshirë të drejtën për kërkime për: shfrytëzimin, zhvillimin, kultivimin, nxjerrjen ose shfrytëzimin e burimeve natyrore;
    parashikon që pasuri të tilla të investohen:
    (i) në Republiken e Shqipërisë do të investohen në përputhje me kërkesat e ligjeve, rregullave dhe lejeve të shkruara të saj;
    (ii) në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut do të investohen në përputhje me ligjet dhe rregulloret e tyre respektive;

    2. Asnjë ndryshim në formën ligjore në të cilën vlerat pasurore dhe kapitalet janë investuar ose riinvestuar nuk do të prekë cilësinë e tyre si “investim” në kuptimin e kësaj Marrëveshjeje.

    3. Termi “investitor” nënkupton:
    - përsa i përket Republikës së Shqipërisë,
    a) personat fizikë që kanë shtetësinë e Shqipërisë në përputhje me ligjet e saj;
    b) personat juridikë të krijuar në përputhje me ligjet e Republikës së Shqipërisë dhe që kanë selinë brenda territorit të saj;
    - përsa i përket Bashkimit Ekonomik Belgo - Luksemburgas,
    a) çdo person fizik që konsiderohet si qytetar i Belgjikës ose i Luksemburgut në përputhje me Legjislacionin Belg ose Luksemburgas;
    b) çdo person juridik i krijuar në përputhje me legjislacionin Belg ose Luksemburgas dhe që ka regjistruar zyrën e tij në territorin e Belgjikës dhe të Luksemburgut.

    4. Termi “të ardhura” nënkupton vlerën e prodhuar nga një investim dhe në veçanti, por jo ekskluzivisht, përfshin: fitimet, interesat, rritjen e vlerës së kapitalit, dividentet, ruajalitite dhe pagesat.

    5. Termi “territor” nënkupton në lidhje me çdo shtet kontraktues, territorin nën sovranitetin e tij si dhe ujrat territoriale, shellfin kontinental dhe zonën nënujore mbi të cilën shtetet kontraktuese ushtrojnë të drejtat sovrane ose të juridiksionit, në përputhje me ligjet ndërkombëtare.

  • Neni 2 - Nxitja e investimeve
  • 1. Çdo palë kontraktuese do të nxisë në territorin e saj investimet e investitorëve të palës tjetër kontraktuese dhe i pranon këto investime në përputhje me legjislacionin e saj.
    2. Në veçanti, çdo palë kontraktuese do të autorizojë përfundimin dhe përmbushjen e kontratave të licencave, dhe të marrëveshjeve tregtare, administrative ose të asistencës teknike, përsa këto veprimtari janë në lidhje me këto investime.

  • Neni 3 - Mbrojtja e investimeve
  • 1. Të gjitha investimet, qofshin direkte ose indirekte, të bëra nga investitorët e njërës palë kontraktuese do të gëzojnë një trajtim të drejtë dhe të barabartë në territorin e palës tjetër kontraktuese.

    2. Asnjë palë kontraktuese nuk do t’u japë investitorëve të palës tjetër kontraktuese, një trajtim më pak të favorshëm se sa ai që ajo u akordon investimeve të investitorëve të vet ose të investimeve të investitorëve të një shteti të tretë.

    3. Asnjë palë kontraktuese nuk do t’u japë investitorëve të palës tjetër kontraktuese, përsa i përket veprimtarive të tyre në lidhje me investimet e tyre në territorin e saj, një trajtim më pak të favorshëm se ai që ajo u akordon investitorëve të vet ose investitorëve të një shteti të tretë.

    4. Përveç masave që kërkohen për mbajtjen e rregullit publik, investimet e investitorëve të njërës palë kontraktuese do të gëzojnë një mbrojtje dhe siguri të plotë në territorin e palës tjetër kontraktuese, d.m.th. duke përjashtuar çdo masë të pajustifikueshme ose diskriminuese e cila mund të pengojë qoftë me ligj ose në praktikë, drejtimin, shfrytëzimin, përdorimin e një pasurie ose likujdimin e saj.

    5. Trajtimi dhe mbrojtja që referohen në paragrafin 1 deri në 4 të këtij Neni nuk do të përfshijnë privilegjet e garantuara nga një palë kontraktuese për investitorët e një shteti të tretë në pajtim me pjesëmarrjen e tij në/ose një bashkim me një zonë të tregtisë së lirë, një bashkim doganor, një treg të përbashkët ose ndonjë formë tjetër të organizimit rajonal.

    6. Kjo Marrëveshje nuk do shtrihet për privilegjet e dhëna nga një palë kontraktuese çdo shteti të tretë në pajtim me një marrëveshje të evitimit të taksimit të dyfishtë ose në pajtim me çdo marrëveshje tjetër në fushën e taksimit.

  • Neni 4 - Shpronësimi
  • 1. Investimet e investitorëve të njërës palë kontraktuese nuk do të shpronësohen, shtetëzohen ose të bëhen subjekt i ndonjë mase tjetër, efekti i së cilës është i njëjtë me shpronësimin ose shtetëzimin në territorin e palës tjetër kontraktuese.

    2. Në rastet kur për qëllime publike, të sigurimit ose të interesit kombëtar kërkohet një shmangie nga dispozitat e paragrafit 1 të këtij Neni, kushte të tilla duhet të jenë në përputhje me:
    a) masat duhet të merren në përputhje me ligjin;
    b) masat nuk duhet të jenë as diskriminuese, as në kundërshtim me ndonjë angazhim specifik;
    c) masat duhet të shoqërohen nga kushtet për një pagesë të menjëhershme të një kompensimi të drejtë dhe efektiv.

    3. Një kompensim i tillë duhet të jetë ekuivalent me vlerën e tregut të investimit të shpronësuar, menjëherë përpara datës në të cilën masa e kompensimit, e shtetëzimit apo e masave të ngjashme aktuale apo të mundshme, janë marrë ose janë bërë publikisht të njohura, ciladoqoftë më e hershmja.
    Ky kompensim do të paguhet në valutën e Shtetit në të cilin investitori është shtetas ose në çdo valutë të konvertueshme. Ai duhet të paguhet pa vonesa të paarësyeshme dhe duhet të jetë efektivisht i realizueshëm dhe lirisht i transferueshëm. Në rast të vonesave mbi një muaj nga data e përcaktimit të kësaj shume, ajo do të ngarkohet me interesat bankare korente deri në kohën e pagesës.

    4. Investitorët e njërës palë kontraktuese do të gëzojnë trajtimin e kombit më të favorizuar në territorin e palës tjetër kontraktuese përsa i përket çështjeve të parashikuara për këtë, në këtë nen.
    Ky trajtim në asnjë rast nuk duhet të jetë më pak i favorshëm se ai i njohur nga e drejta ndërkombëtare.

  • Neni 5 - Kompensimi për humbjet
  • Investitorët e një pale kontraktuese, investimet e të cilëve në territorin e palës tjetër kontraktuese pësojnë humbje për shkak të luftës ose të një konflikti tjetër të armatosur, të revolucionit, të gjendjes kombëtare të jashtëzakonshme, të revoltës, të rrethimit apo të kryengritjes në territorin e kësaj pale kontraktuese, do t’u akordohet nga kjo palë kontraktuese një trajtim, në lidhje me rikthimin, dëmshpërblimin, kompensimin ose çdo zgjidhje tjetër, jo më pak i favorshëm se ai që kjo palë kontraktuese ju akordon investitorëve të vet ose të një shteti të tretë. Pagesat rezultuese do të jenë lirisht të transferueshme.

  • Neni 6 - Riatdhesimi i investimeve dhe i të ardhurave nga investimi
  • 1. Çdo palë kontraktuese garanton, në lidhje me investimet e investitorëve të palës tjetër kontraktuese, një transferim të lirë dhe të menjëhershëm të investimeve dhe të ardhurave prej tyre.

    2. Transferimi do të kryhet pa vonesë, në valutë lirisht të konvertueshme në të cilën është bërë investimi, ose në një valutë tjetër lirisht të konvertueshme për të cilën bihet dakort midis investitorit dhe palës kontraktuese të interesuar.

    3. Këto transferime përfshijnë në veçanti por jo ekskluzivisht:
    a) kapitalin dhe vlerën shtesë për të mbajtur ose rritur investimin;
    b) fitimet, interesat, dividentet dhe të ardhura të tjera korrente nga investimi;
    c) fondet për pagimin e huave;
    d) ruajalitete dhe shpërblime të tjera;
    e) të ardhurat nga shitja apo likuidimi i plotë apo i pjesshëm i investimit.

    3. Shtetasit e çdo pale kontraktuese që autorizohen të punojnë në territorin e palës tjetër
    kontraktuese në lidhje me një investim që mbulohet nga kjo Marrëveshje, do të lejohen që të transferojnë një pjesë të përshtatshme të fitimeve të tyre në vendin e tyre të origjinës.

    4. Çdo palë kontraktuese do të japë autorizimet e kërkuara për të siguruar që transferimet e
    referuara këtij Neni të kryhen pa vonesa të paarsyeshme, dhe pa shpenzime të tjera përveç taksave dhe kostove të zakonshme.
    Garancitë që referohen në këtë Nen do të jenë të paktën të barabarta me ato të garantuara në raste të ngjashme për investitorët e kombit më të favorizuar.

  • Neni 7 - Kursi i këmbimit
  • 1. Të gjitha transferimet e parave që përmenden në këtë Marrëveshje do të kryhen:
    a ) me kursin e këmbimit që mbizotëron në datën e transferimit;
    b) në përputhje me rregullat e këmbimit në fuqi, në shtetin në territorin e të cilit është bërë investimi.

    2. Ky kurs në asnjë rast nuk do të jetë më pak i favorshëm se ai që i jepet investitorit të shtetit më të favorizuar, veçanërisht në angazhimet specifike të parashikuara në çdo marrëveshje apo rregullim, që ka të bëjë me mbrojtjen e investimeve.

    3. Kurset e aplikuara do të jenë në çdo rast të drejta dhe të barabarta.

  • Neni 8 - Zëvendësimi me të drejtë të plotë
  • 1. Në qoftë se një palë kontraktuese ose një institucion publik i kësaj pale i paguan një kompensim investitorëve të vet në pajtim me një garanci që siguron mbulim për një investim, pala tjetër kontraktuese do të njohë që pala e mëparshme kontraktuese ose institucioni publik i interesuar zëvendësohen si sigurues me të drejta të plota në të drejtat e investitorit të dëmshpërblyer.
    Siguruesi do të autorizohet mbi bazën e zëvendësimit të ushtrojë të drejtat e investitorëve dhe të marrë përsipër detyrimet me të njëjtin autoritet, si dhe investitorët e mëparshëm dhe brenda limiteve të transferimit të të drejtave në këtë mënyrë.
    Transferimi i të drejtave do të aplikohet gjithashtu edhe mbi të drejtat e transferimit apo arbitrazhit të referuara në nenet 6 dhe 11.
    Këto të drejta do të ushtrohen nga siguruesi në masën e shtrirjes së rrezikut të mbuluar nga kontrata e garancisë dhe nga investitori, i ngarkuar të përfitojë nga garancia në masën e shtrirjes së pjesës së rrezikut jo të mbuluar nga kontrata.

    2. Për aq kohë sa kemi të bëjmë me transferim të të drejtave, pala tjetër kontraktuese ka të drejtë të thërrasë për ndihmë siguruesin që ka zëvendësuar në të drejtat e tij, investitorin e shpërblyer dhe detyrimet e këtij të fundit sipas ligjit ose kontratës.

  • Neni 9 - Marrëveshjet e veçanta
  • 1. Investimet e kryera në pajtim me një marrëveshje specifike të përfunduar midis një pale kontraktuese dhe investitorit të palës tjetër kontraktuese do të mbulohen nga dispozitat e kësaj Marrëveshjeje dhe nga ato të marrëveshjes specifike.

    2. Çdo palë kontraktuese merr përsipër të sigurojë në çdo kohë që, angazhimet e filluara me investitorët e palës tjetër kontraktuese, do të respektohen.

  • Neni 10 - Mosmarrëveshjet midis palëve kontraktuese
  • 1. Çdo mosmarrëveshje midis palëve kontraktuese përsa i përket interpretimit apo aplikimit të kësaj Marrëveshjeje do të zgjidhet për sa të jetë e mundur nëpërmjet kanaleve diplomatike.

    2. Në mungesë të zgjidhjes nëpërmjet kanaleve diplomatike, mosmarrëveshja do t’i nënshtrohet një komisioni të përbashkët të përbërë nga përfaqësues të të dy palëve kontraktuese; ky komision do të mblidhet pa vonesë të paarsyeshme me kërkesën e palës më të zellshme.

    3. Në qoftë se komisioni i përbashkët nuk mund ta zgjidhë mosmarrëveshjen, kjo e fundit do t’i nënshtrohet me kërkesën e njërës palë, një gjykate arbitrazhi të përcaktuar si më poshtë për çdo rast të veçantë.
    Çdo palë kontraktuese do të caktojë një arbitër dhe këta dy arbitra do të bien dakort për një shtetas të një shteti të tretë si kryetar. Arbitrat duhet të caktohen brenda tre muajve, Kryetari brenda 5 muajve, nga dita në të cilën çdo palë kontraktuese ka informuar palën tjetër kontraktuese se ajo ka ndërmend t’ia nënshtrojë mosmarrëveshjen një gjykate arbitrazhi.
    Në qoftë se kjo kohë-limit nuk është mbajtur parasysh, secila palë kontraktuese do t’i kërkojë Presidentit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të bëjë emërimet e nevojshme.
    Në rast se Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është i ndaluar në ushtrimin e këtij funksioni, ose është shtetas i ndonjërit shtet kontraktues, Zëvendespresidenti do të ftohet të bëjë emërimet e nevojshme. Nëse zëvendëspresidenti është i ndaluar në ushtrimin e këtij funksioni, ose është shtetas i njërit shtet kontraktues, anëtari më i vjetër i gjykats i cili nuk është shtetas i ndonjërit nga shtetet kontraktuese do të ftohet të bëjë emërimet e nevojshme.

    4. Gjykata e krijuar në këtë mënyrë do të përcaktojë rregullat e veta të procedimit. Vendimet e saj do të merren me shumicë votash; ato janë përfundimtare dhe detyruese për palët kontraktuese.

    5. Çdo palë kontraktuese do të mbulojë koston që rezulton nga emërimi i arbitrit të tij. Shpenzimet që lidhen me emërimin e arbitrit të tretë dhe shpenzimet administrative të gjykatës do të ndahen në mënyrë të barabartë midis palëve kontraktuese.

  • Neni 11 - Zgjidhja e mosmarrëveshjeve për investimet
  • 1. Çdo mosmarrëveshje për investimet midis një investitori të një pale kontraktuese dhe palës tjetër kontraktuese do të bëhet e njohur me shkrim nga pala e parë që merr vendimin. Njoftimi do të shoqërohet nga një memorandum mjaftueshmërisht i detajuar.
    Përsa të jetë e mundur, mosmarrëveshje të tilla do të zgjidhen miqësisht midis palëve në mosmarrëveshje ose ndryshe me anën e pajtimit midis palëve kontraktuese nëpërmjet kanaleve diplomatike.

    2. Në mungesë të një zgjidhjeje miqësore nëpërmjet një marrëveshjeje direkte midis palëve në mosmarrëveshje ose pajtimit nëpërmjet kanaleve diplomatike brenda gjashtë muajve nga marrja e njoftimit, mosmarrëvshja do t’i nënshtrohet, sipas zgjedhjes së investitorit të prekur, ose gjykatës kompetente të palës kontraktuese e cila është palë në mosmarrëveshje ose arbitrazhit ndërkombëtar.

    3. Në rastin e arbitrazhit ndërkombëtar, mosmarrëveshja do t’i nënshtrohet për zgjidhje nëpërmjet arbitrazhit, Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve midis Shtetasve të Shteteve të tjera, e hapur për nënshkrim në Ëashington, më 18 Mars 1965.
    Së fundi, çdo palë kontraktuese bie dakort paraprakisht dhe në mënyrë të pakthyeshme për nënshkrimin e çdo mosmarrëveshje kësaj Qendre, për zgjidhje nëpërmjet arbitrazhit. Ky pranim nënkupton që të dy palët heqin dorë nga e drejta për të kërkuar ezaurimin e të gjitha zgjidhjeve administrative dhe juridike të vendit.

    4. Gjatë arbitrazhit apo detyrimit nga një vendim gjyqi, pala kontraktuese ,e cila është implikuar në mosmarrëveshje, nuk do të ketë kundërshtim që investitori i palës tjetër kontraktuese të marrë kompensim nëpërmjet një kontrate sigurimi për të gjithë ose për një pjesë të dëmit.

    5. I.C.S.I.D. do të vendosë në bazë të:
    - ligjit kombëtar, duke përfshirë dhe rregullat që janë në kundërshtim me ligjin e palës kontraktuese të përfshirë në mosmarrëveshje, në territorin e së cilës është kryer investimi;
    - dispozitat e kësaj Marrëveshjeje;
    - kushtet e marrëveshjeve të veçanta që mund të jenë përfunduar në lidhje me këtë investim;
    - parimet e të drejtës ndërkombëtare.

    6. Vendimet e I.C.S.I.D. do të jenë përfundimtare dhe detyruese për palët në mosmarrëveshje. Çdo palë kontraktuese merr përsipër zbatimin e vendimit në përputhje me legjislacionin e saj kombëtar.

  • Neni 12 - Aplikimi i rregullave të tjera
  • Nëse rregullimet e ligjit të njerës palë kontraktuese ose detyrimet sipas të drejtës ndërkombëtare ekzistuese ose që do të shtohen në të ardhmen nga palët kontraktuese përmbajnë dispozita, qoftë specifike apo të përgjithshme, të cilat iu japin investimeve të investitorëve të palës tjetër kontraktuese një trajtim më të favorshëm se sa i janë dhënë nga kjo Marrëveshje, investitorëve të palës tjetër kontraktuese iu jepet e drejta të përfitojnë dispozitat që janë më të favorshme për ta.

  • Neni 13 - Investimet e mëparshme
  • Kjo Marrëveshje do të aplikohet, gjithashtu, mbi investimet e kryera përpara hyrjes së saj në fuqi nga investitorët e njërës palë kontraktuese në territorin e palës tjetër kontraktuese, në përputhje me legjislacionin me të fundit.

  • Neni 14 - Hyrja në fuqi, zgjatja dhe përfundimi
  • 1. Kjo Marrëveshje do hyjë në fuqi 30 ditë pas datës së shkëmbimit të instrumenteve të ratifikimit nga palët kontraktuese. Ajo do të qëndrojë në fuqi për një periudhë dhjetëvjeçare.

    2. Në qoftë se nuk ka njoftim nga palët kontraktuese, të paktën gjashtë muaj nga përfundimi i periudhës së vlefshmërisë, kjo Marrëvshje do shtyhet heshturazi për një periudhë tjetër prej dhjetë vjetësh, nënkuptohet secila palë kontraktuese rezervon të drejtën të përfundojë marrëveshjen me një njoftim të dhënë të paktën gjashtë muaj përpara datës së përfundimit të periudhës korrente të vlefshmërisë.
    Në prani të dëshmitarëve, përfaqësuesit nënshkrues, të autorizuar nga Qeveritë e tyre reciproke, nënshkruan këtë Marrëveshje.
    Bërë në Tiranë, më 1 shkurt 1999, në dy kopje origjinale në gjuhët shqipe, frënge, hollandeze dhe angleze, të gjitha tekstet janë barazisht autentike. Teksti në gjuhën angleze do të mbizotërojë në rast mosmarrëveshjeje në interpretim.

    PËR QEVERINË E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
    Paskal MILO Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë

    PËR BASHKIMIN EKONOMIK BELGOLUKSEMBURGAS:
    Për Qeverinë e Mbretërisë së Belgjikës duke vepruar në emër të saj si dhe në emër të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut,për Qeverinë Walone,për Qeverinë Flandre dhe për Qeverinë e Rajonit të Brukselit-Kryeqytet,
    Erik DERYCKE Ministër i Jashtëm i Mbretërisë së Belgjikës

    Botuar në Fletoren Zyrtare nr.20, faqe 652.