Neni 3 - Mbrojtja e investimeve

1. Të gjitha investimet, qofshin direkte ose indirekte, të bëra nga investitorët e njërës palë kontraktuese do të gëzojnë një trajtim të drejtë dhe të barabartë në territorin e palës tjetër kontraktuese.

2. Asnjë palë kontraktuese nuk do t’u japë investitorëve të palës tjetër kontraktuese, një trajtim më pak të favorshëm se sa ai që ajo u akordon investimeve të investitorëve të vet ose të investimeve të investitorëve të një shteti të tretë.

3. Asnjë palë kontraktuese nuk do t’u japë investitorëve të palës tjetër kontraktuese, përsa i përket veprimtarive të tyre në lidhje me investimet e tyre në territorin e saj, një trajtim më pak të favorshëm se ai që ajo u akordon investitorëve të vet ose investitorëve të një shteti të tretë.

4. Përveç masave që kërkohen për mbajtjen e rregullit publik, investimet e investitorëve të njërës palë kontraktuese do të gëzojnë një mbrojtje dhe siguri të plotë në territorin e palës tjetër kontraktuese, d.m.th. duke përjashtuar çdo masë të pajustifikueshme ose diskriminuese e cila mund të pengojë qoftë me ligj ose në praktikë, drejtimin, shfrytëzimin, përdorimin e një pasurie ose likujdimin e saj.

5. Trajtimi dhe mbrojtja që referohen në paragrafin 1 deri në 4 të këtij Neni nuk do të përfshijnë privilegjet e garantuara nga një palë kontraktuese për investitorët e një shteti të tretë në pajtim me pjesëmarrjen e tij në/ose një bashkim me një zonë të tregtisë së lirë, një bashkim doganor, një treg të përbashkët ose ndonjë formë tjetër të organizimit rajonal.

6. Kjo Marrëveshje nuk do shtrihet për privilegjet e dhëna nga një palë kontraktuese çdo shteti të tretë në pajtim me një marrëveshje të evitimit të taksimit të dyfishtë ose në pajtim me çdo marrëveshje tjetër në fushën e taksimit.