UDHËZIM Nr.8, datë 17.2.2003 - PËR EVIDENCIMIN, REGJISTRIMIN, PËRDORIMIN DHE RAPORTIMIN E FINANCIMEVE TË HUAJA NË KUADRIN E PROJEKTEVE DHE MARRËVESHJEVE ME DONATORËT E HUAJ

Në mbështetje të ligjit organik të buxhetit nr. 8379, datë 29.7.1998 “Për hartimin dhe zbatimin e Buxhetit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë”, në lidhje me procedurat e livrimit, regjistrimit, përdorimit dhe raportimit të fondeve të financimeve të huaja që realizohen në Republikën e Shqipërisë, në kuadrin e projekteve të investimeve publike, në formën e kredive të jashtme ose granteve, si dhe të marrëveshjeve të ndryshme për mbështetje ose asistencë teknike ose ndihmë në mallra për institucione te ndryshme buxhetore

UDHËZOJ:

1. Kuptimi mbi financimet e huaja
1.1 Financime të huaja – konsiderohen të gjitha ato burime financiare që i jepen Qeverisë Shqiptare ose institucioneve të tjera qeveritare ose publike, në formën e kredive ose ndihmave nga institucione financiare ndërkombëtare, qeveritë e vendeve të ndryshme ose institucione ose organizma jopublikë.
1.1 Kredi–janë të ardhura të marra me kusht kthimi me ose pa interes për financimin e projekteve të caktuara brenda fondeve të miratuara ose për financimin e deficitit buxhetor që jepen nga institucione financiare të huaja mbi bazën e marrëveshjeve përkatëse që përdoren, shërbehen dhe shlyhen në përputhje me termat dhe kushtet e këtyre marrëveshjeve.
1.2 Ndihmë – janë të ardhura të përfituara në formën e dhurimit, pa kusht kthimi, pa interes, për një qëllim të përcaktuar ose jo, e cila përdoret për financimin e veprimtarive në përputhje me politika të caktuara dhe që jepen mbi bazën e marrëveshjeve përkatëse nga institucione financiare, organizma të huaja, qeveri të vendeve të tjera, etj.

2. Procedurat ligjore të miratimit
2.1 Mbas negocimit dhe finalizimit të tekstit të çdo marrëveshje me donatorë të ndryshëm, ministritë dhe institucionet qendrore paraqesin për miratim në Këshillin e Ministrave marrëveshjet e kredive, të ndihmave ose të granteve, si dhe gjithë dokumentet e tjera ligjore të lidhura me to, si dhe protokollet e negociatave, në rast se ka të tilla. Në vendimin që do të miratohet për këtë qëllim caktohen edhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjeve dhe projekteve përkatëse.
Marrëveshjet e kredisë ratifikohen detyrimisht në Parlament.

3. Hapja dhe mbajtja e llogarive të projekteve
3.1 Të gjitha të ardhurat nga huatë dhe ndihmat kur livrimi i tyre bëhet nëpërmjet transferimit të parave, do të kanalizohen nëpërmjet llogarive speciale të hapura në emër të Ministrisë së Financave për çdo projekt në Bankën e Shqipërisë. Llogaritë speciale nuk janë llogari pagesash, por vetëm për kanalizimin dhe regjistrimin e disbursimeve të financimeve të huaja.
3.2 Njësitë e zbatimit paraqesin një kërkesë në Drejtorinë e Thesarit dhe Borxhit për çeljen e një llogarie speciale në Bankën e Shqipërisë. Kërkesa duhet të ketë këtë përmbajtje:
- emërtimi i projektit;
- lloji i financimit (ndihmë ose kredi);
- emri i donatorit ose kreditorit;
- monedha e disburimit;
- shuma e financimit të huaj;
- shuma e transhit të parë;
- koha e përafërt kur mbërrin transhi i parë.
Kërkesa për hapjen e kësaj llogarie shoqërohet me vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili ka miratuar marrëveshjen e ndihmës ose grantit ose ligjin që ka ratifikuar marrëveshjen e kredisë.
Ministri i Financave, me propozim të ministrit të linjës, njofton donatorin/kreditorin për personat e autorizuar për tërheqjen e fondeve nga kredia/granti.
3.3 Për njësitë e zbatimit që zgjedhin skemen e pjesshme të thesarit Ministria e Financave hap një llogari operative në një bankë të nivelit të dytë. Këto llogari hapen në emër të Ministrisë së Financave, me kërkesën e njësive dhe institucioneve zbatuese.
Ministri i Financave, me propozim të ministrit të linjës, i bën të ditur bankave për personat e autorizuar për lëvizjen e fondeve nga kjo llogari.
3.4 Për njësitë e zbatimit që zgjedhin skemën e plotë të thesarit përdorimi i fondeve kryhet nëpërmjet degëve të thesarit në rrethe.

4. Transaksionet
4.1 Të gjitha transaksionet që lidhen me financimet e huaja do të ndiqen, regjistrohen dhe raportohen nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore që janë në rolin e agjencive zbatuese, që nga momenti i nënshkrimit të tyre, livrimit, përdorimit dhe shlyerjes së tyre. Ministritë dhe
institucionet e tjera qendrore, nëpërmjet njësive të zbatimit të projekteve, janë të deyruara të raportojnë në Ministrinë e Financave të gjitha të dhënat e kërkuara në këtë drejtim brenda afateve të caktuara.
Për projektet me skemë të pjesshme të thesarit:
Me kërkesë të njësive të zbatimit ose agjencive zbatuese bëhet transferimi i fondeve nga llogaria speciale në Bankën e Shqipërisë, në llogaritë operative në bankat e nivelit të dytë të hapura për zbatimin e projektit.
4.3 Për projektet me skemën e plotë të thesarit:
Me mbërritjen e fondeve në llogaritë speciale, me kërkesë të njësive të zbatimit bëhet kalimi pjesor ose total i vleftave nga llogaritë speciale në llogarinë e depozitës së qeverisë në zërin “Financime të huaja”. Pas kësaj, Drejtoria e Thesarit dhe Borxhit bën autorizimin ku shënohet emri i plotë i projektit, shuma e transferuar në llogarinë e depozitës së qeverisë deri në transaksionin e fundit, shuma e transaksionit të fundit, shuma progresive e transferuar në llogarinë e depozitës së qeverisë deri në datën e fundit. Shuma e autorizimit të ri ndahet sipas strukturës buxhetore të projektit: Grup, titull, kapitull dhe artikull. Gjithashtu nga totali veçoht shuma që i përket vitit në vazhdim.
Autorizimet për shpenzimet e lëshuara nga Drejtoria e Thesarit dhe Borxhit (për projektet që funksionojnë me skemën e plotë të thesarit) konsiderohen si plan për njësinë e zbatimit dhe për shumën përkatëse, dega e buxhetit bën çeljen për degën e thesarit, sipas strukturës buxhetore të miratuar, dhe që paraqitet në autorizimin përkatës.
Çelja e fondeve të financimeve të huaja bëhet në zërin investime, por ndjekja dhe regjistrimi kryhet nga njësia e zbatimit dhe nga dega e thesarit, sipas natyrës së shpenzimit.
Njësitë e zbatimit të projekteve duhet të paraqesin pranë degëve të buxhetit një kopje të autorizimit të lëshuar nga Ministria e Financave, që u jep të drejtën për të shpenzuar nga këto fonde, si dhe një letër zyrtare ku detajohet vlefta e autorizimit në formën “Shtim-pakësim”.
Shuma e detajuar për çdo rreth do të konsiderohet si shtesë fondi për shpenzim në rrethin përkatës. Totali i të gjitha shumave të detajuara për të gjitha rrethet duhet të jetë i barabartë ose më i vogël se shuma që përmban autorizimi i lëshuar nga Ministria e Financave. Për rastet kur detajimi është më i vogël se vlefta totale e autorizimit të lëshuar, detajimi i shumës tjetër bëhet me një fraksion në vijim të detajimit fillestar dhe në çdo rast do të ketë bashkëngjitur fraksionet e mëparshme. Gjithashtu nga njësia e zbatimit në qendër kundrejt vleftave të shtuara në rrethe, në të njëjtën masë do të bëhet pakësimi i autorizimit (pra sa mbetet disponibël për t’u shpërndarë në rrethe).
Njësive të zbatimit të projekteve, duke qenë urdhëruese të fondeve, u lind e drejta për të bërë transferime fondesh nga një rreth në tjetrin. Në degën e buxhetit ku do të bëhet shtimi duhet të paraqiten:
a) Kopje e autorizimit të lëshuar nga Drejtoria e Thesarit dhe Borxhit.
b) Kopje e detajimit fillestar të bërë nga njësia e zbatimit.
c) Konfirmim nga dega e buxhetit ku bëhet pakësimi që i konfirmon degës përkatëse ku bëhet shtimi.
Detajimi i autorizimeve në rrethe dhe transferimet e bëra nga njësitë e zbatimit të projekteve kërkojnë saktësi dhe rregullsi. Në rast të kundërt, degëve të buxhetit u lind e drejta të pezullojnë veprimin dhe në asnjë rast të mos bëjnë ekzekutime pjesore.
Njësitë e zbatimit të projekteve në fund të vitit duhet të bëjnë rakordim me degët përkatëse të thesarit në rrethe për fondet e çelura dhe shpenzimet e kryera. Për këtë bëhet një aktrakordim i firmosur nga përfaqësuesit e dy palëve. Ky aktrakordim do të përmbajë për çdo rreth:
a) shumat e çelura nga njësitë e e zbatimit të projekteve me shtesat e pakësimet sipas autorizimeve të MF-së;
b) shumat e shpenzuara;
c) diferencat midis fondeve të detajuara dhe shpenzimeve faktike.
Një kopje e ketij aktrakordimi dërgohet në Drejtorinë e Thesarit dhe Borxhit së bashku me evidencën e fundit të vitit.
Për fondet e papërdorura në fund të vitit, dega e buxhetit mbështetur në akt rakordimin e mësipërm, ribën çeljen në fillim të vitit tjetër, për vlerën e pashpenzuar në rrethin përkatës, duke i dhënë përparësi shpenzimeve të këtyre fondeve pas verifikimeve të domosdoshme.
4.4 Pavarësisht nga skemat e përdorura të thesarit, një pjesë e projekteve me financim të huaj janë në bashkëfinancim me Buxhetin e Shtetit, nga i cili përfitojnë fondet për TVSH-në, si dhe për kosto lokale. Këto shpenzime regjistrohen në strukturat përkatëse të buxhetit, në zërin investime dhe veprohet njëlloj si shpenzimet e tjera buxhetore të këtij klasifikimi.

5. Regjistrimi dhe raportimi
5.1 Njësitë e zbatimit në përputhje me marrëveshjen realizojnë pagesat përkatëse dhe raportojnë në Drejtorinë e Thesarit dhe Borxhit në Ministrinë e Financave, për disbursimet nga jashtë, transferimet në llogaritë në bankat e nivelit të dytë, shpenzimet e kryera nga këto llogari, si dhe gjendjet respektive të llogarive që disponohen në emër të projektit (llogarive speciale dhe llogarive operative).
5.2 Disburimet e financimeve të huaja do të regjistrohen si të hyra të Buxhetit të Shtetit.
Huatë dhe ndihmat që livrohen në natyrë, për shkak se pagesa e tyre bëhet drejtpërdrejt nga llogaritë e kreditorit/donatorit, do të regjistrohen si të hyra në buxhet në bazë të njoftimeve të marra nga donatori dhe agjencia zbatuese e projektit, në përputhje me procedurat e përcaktuara në marrëveshjen përkatëse, si dhe ato të përcaktuara nga Ministria e Financave me këtë udhëzim.
5.3 Shpenzimi i huave dhe ndihmave të livruara do të regjistrohen në shpenzimet e Buxhetit të Shtetit. Për huatë që do të livrohen nëpërmjet llogarive speciale në Bankën e Shqipërisë, transferimet e bëra nga këto llogari në llogaritë e thesarit ose drejtpërdrejt të përfituesve të kredisë ose ndihmave në bankat e nivelit të dytë, do të konsiderohen si xhirime te brendshme, ndërsa shpenzimi i tyre do të konsiderohet dhe raportohet i kryer, kur një gjë e tillë është njoftuar nga degët e thesarit në rrethe (është bërë pagesa nga llogaritë e thesarit) dhe njësitë e zbatimit të projekteve (është bërë pagesa nga llogaria operative e njësisë). Kur huatë dhe ndihmat livrohen në natyrë, në të njëjtën kohë që do të regjistrohen si të ardhura (të hyra) në buxhet, do të regjistrohen edhe si shpenzime (të dala) të buxhetit në bazë të njoftimeve të pagesave të kryera për blerjen e mallrave apo shërbimeve përkatëse nga kreditori/donatori ose informacionit që paraqet njësia përkatëse e zbatimit të projektit.
5.4 Ndihmat në natyrë ose në para që instutucione të ndryshme shtetërore ose publike, ose hallka të ndryshme në vartësi të tyre, marrin nga shtete të tjera ose institucionet e tyre, shoqata dhe kompani ose individë të huaj, detyrimisht do të regjistrohen e kanalizohen nëpërmjet llogarive të të ardhurave të Buxhetit të Shtetit nëpërmjet degëve të thesarit.
5.5 Brenda datës 5 të çdo muaji, çdo njësi e zbatimit të projekteve duhet të paraqesë në Drejtorinë e Thesarit dhe Borxhit në Ministrinë e Financave, situacionin e raportimit të të ardhurave dhe shpenzimeve për muajin paraardhes, progresiv për projektet respektive që ato
mbulojnë.(Standardi i situacionit të raportimit është bashkëlidhur këtij udhëzimi) Çdo institucion, duhet të raportojë në të njëjtën mënyrë dhe afat për projektet me financim të huaj që ai realizon, por për të cilat nuk është ngritur njësi zbatimi.

6. Masat për moszbatim të udhëzimit 6.1 Në zbatim të këtij udhëzimi, kërkohet marrja e të gjitha masave nga të gjithë titullarët e ministrive dhe institucioneve qendrore dhe gjitha strukturave të administratës shtetërore dhe asaj vendore, për zbatimin me rigorozitet të afateve kohore për dërgimin e raportimeve mujore në lidhje me financimet e huaja.
6.2 Në rastet e konstatimeve të qëndrimeve që kanë të bëjnë me mosrespektimin e afateve kohore apo pasaktësi në raportimin mujor, duke iu referuar legjislacionit ne fuqi, do të procedohet me masa administrative.
6.3 Në rast se ministritë, institucionet e tjera qendrore, organet e pushtetit vendor dhe institucionet në vartësi të tyre marrin dhe shpenzojnë ndihma dhe hua pa i regjistruar në llogaritë përkatëse të Buxhetit të Shtetit nëpërmjet sistemit të thesarit, Ministria e Financave bën pakësimin e menjëhershëm të fondeve buxhetore të akorduara për vleftën e ndihmës dhe huasë së shpenzuar prej tyre.
6.4 Përveç sa më sipër, në raste të tilla Ministria e Financave do të pezullojë kryerjen e transaksioneve nga degët e thesarit për llogari të këtyre institucioneve, ose strukturës administrative qendrore ose vendore, në varësinë e të cilave janë projektet, deri në nxjerrjen e përgjegjësive direkte dhe marrjen e masave ndaj shkaktarëve.
Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë.
MINISTRI I FINANCAVE Kastriot Islami

SITUACIONI I RAPORTIMIT
Institucioni qendror nga varet njësia e zbatimit të projektit______________ Emri i projektit ___________________ Kodi _____________ Donatori/Kreditori _____________________
Nr. llogarisë speciale në BSH ___________ në _____ (monedha)
Nr. llogarisë dhe banka e nivelit të dytë _________________
1. Gjendja më 01.01.200X_______ në llog. Nr.____ pranë bankës ______
2. Disbursuar gjatë periudhës 1 janar _____
Grup, Titull, Kapitull, Artikull
- Direkte (në llogarinë speciale në BSH)
- Indirekte 3. Transferuar në llogarinë në bankën e nivelit të dytë ______
4. Shpenzuar gjatë periudhës 1 janar _______
Grup Titull Kapitull ArtikullTotal Artikulli ___ ____ ____600, 601, 602, 604, 230, 231, 232 ______ 5. Gjendja në fund të periudhës raportuese në llogarinë e bankës së nivelit të dytë
______________________________________________________ Shpjegimi i termave të përdorura në këtë raportim është:

Disbursime: konsiderohen të gjitha të ardhurat (hyrjet në para ose në natyrë) nga çdo donator ose kreditor në favor të projektit përkatës.
Disbursime direkte: konsiderohen të gjitha të ardhurat që vijnë fizikisht në vendin tonë.
Disbursime indirekte: konsiderohen të gjitha të ardhurat disponibël që adresohen për llogari të projektit e shpenzohen direkt nga donatori ose kreditori pa u bërë hyrje në Shqipëri. Këto lloj të ardhurash janë në çdo rast të barabarta me shpenzimet indirekte.
Shpenzime: konsiderohen të gjitha pagesat e kryera në emër të projektit.
Shpenzime direkte: konsiderohen të gjitha pagesat që kryhen nga njësia e zbatimit të projektit nga llogaritë operative në bankat e nivelit të dytë.
Shpenzime indirekte: konsiderohen të gjitha pagesat që kryhen direkt nga donatori ose kreditori pa u bërë hyrje në vendin tonë.
Në lidhje me zërin “Gjendja në fund të periudhës raportuese” duhet të bashkëlidhet një fotokopje e ekstraktit të datës së fundit të postës së bankës, në të cilën evidencohet shuma e pasqyruar në raportim.
Kuadratura e situacionit të raportimit është si më poshtë:
A. Gjendja më 01.01.2000X e llogarisë së njësisë së zbatimit të projektit në bankën e nivelit
të dytë+Transferimet në llogarinë në bankën e nivelit të dytë–Shpenzimet direkte = Gjendja në fund të periudhës raportuese.
Disbursimet indirekte=Shpenzimet indirekte Shënim: Në situacionin e raportimit të sqarohet nga mbushet llogaria në lekë që është në bankën e nivelit të dytë (direkt nga llogaria në valutë në bankë ose llogaria speciale në BSH).
Raportimi lidhet vetëm me shpenzimet dhe të ardhurat e vitit dhe jo nga fillimi i veprimtarisë së projektit.

Botuar në Fletoren Zyrtare nr.20, faqe 632