VENDIM Nr.1129, datë 5.8.2008 - PËR MËNYRËN E PËRCAKTIMIT TË VLERËS SË TRUALLIT, TË VËNË, NGA PRONARËT E TIJ, NË DISPOZICION TË INVESTITORËVE TË NDËRTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 20 të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Vlera e truallit, për m2, të vënë, nga pronarët e truallit (tokë), në dispozicion të investitorëve të ndërtimit, për veprimtari ndërtimi, për strehim, veprimtari prodhuese, veprimtari tregtare ose shërbimi, përkundrejt përfitimit në natyrë të sipërfaqeve të ndërtimit, llogaritet në këtë mënyrë:
a) Sipërfaqja e ndërtimit, në m2, që përfitojnë pronarët e truallit përcaktohet në bazë të kontratës së shkëmbimit të pasurisë truall me ndërtesën e ngritur mbi të;
b) Kosto e ndërtimit, për m2, përcaktohet në bazë të kostos minimale fiskale të ndërtimit, sipas qyteteve apo zonave brenda qyteteve;
c) Vlera e truallit, të vënë në dispozicion nga pronari, llogaritet si prodhim i kostos së ndërtimit, për m2, me pjesën e sipërfaqes së objektit, që kanë përfituar pronarët.

Vlera e truallit (tokë), e llogaritur si më sipër, është shpenzim i zbritshëm për investitorin e objektit.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet për lejet e ndërtimit, që do të jepen nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

KRYEMINISTRI Sali Berisha

Botuar në Fletoren Zyrtare nr.134, faqe 5985.