strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

VENDIM Nr.306, datë 14.5.2004 - PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE (UNMIK), NË EMËR TË INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME VETËQEVERISËSE NË KOSOVË, PËR NXITJEN DHE MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INVESTIMEVE

PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MISIONIT TË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR ADMINISTRATËN E PËRKOHSHME TË KOSOVËS (UNMIK), NË EMËR TË INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME VETËQEVERISËSE NË KOSOVË, PËR NXITJEN DHE MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INVESTIMEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23 të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998 “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e Ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Miratimin e Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Misionit të Kombeve të Bashkuara për Administratën e Përkohshme të Kosovës (UNMIK), në emër të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse në Kosovë, për nxitjen dhe mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI Fatos Nano

MARRËVESHJE NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MISIONIT TË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR ADMINISTRATËN E PËRKOHSHME TË KOSOVËS (UNMIK) NË EMËR TË INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME VETËQEVERISËSE NË KOSOVË, PËR NXITJEN DHE MBROJTJEN RECIPROKE TË INVESTIMEVE

Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara për Administratën e Përkohshme të Kosovës në emër të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse në Kosovë, këtu më poshtë të referuara si “Palë”, duke dëshiruar të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik për përfitimin reciprok të vendeve, duke synuar të krijojnë kushte të favorshme për investimet e bëra nga investitorët e secilës Palë në territorin e Palës tjetër, duke njohur se nxitja dhe mbrojtja e investimeve në bazë të kësaj Marrëveshjeje do të stimulojë iniciativat investuese në këtë fushë, ranë dakord si vijon:

  • Neni 1 - Përkufizime
  • Për qëllime të kësaj Marrëveshjeje:

    1. Termi “investitor” kupton:
    a) një person fizik i cili, në përputhje me ligjin e Palës përkatëse, është një shtetas i Republikës së Shqipërisë ose një banor i përhershëm i Kosovës dhe është duke bërë investime në territorin e Palës tjetër;
    b) një njësi ligjore, duke përfshirë shoqëritë, shoqatat, shoqëritë e përbashkëta dhe çdo lloj tjetër organizimi të inkorporuar apo të krijuar, ose me fjalë të tjera të organizuar në përputhje me ligjin dhe rregullat e njërës Palë e cila ka adresën e saj ligjore, apo vend kryesor të biznesit të saj në territorin e kësaj Pale dhe është duke bërë investime në territorin e Palës tjetër.

    2. Termi “investim” kupton çdo lloj pasurie, siç janë paratë apo monedhë ekuivalente me to që zotërohen nga një investitor me qëllim profiti dhe në veçanti, por jo ekskluzivisht, më poshtë:
    a) pjesëmarrjen me aksione, detyrimet e shoqërive apo shoqatave dhe çdo formë tjetër e pjesëmarrjes në një shoqëri;
    b) pretendimet në para apo të çdo forme tjetër në bazë të një kontrate që ka vlerë ekonomike dhe pjesëmarrja lidhur me një investim;
    c) pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe çdo të drejtë tjetër, si hipotekat, qiratë, uzufrukti, pengjet dhe të drejta të ngjashme;
    d) të drejtat e pronësisë industriale dhe intelektuale, si patentat, licencat, markat tregtare, emrat tregtarë, si dhe proceset teknike, knoë-hoë dhe dëshira e mirë;
    e) të drejtat për të ndërmarrë veprimtari ekonomike dhe tregtare në bazë të ligjit apo të një kontrate, duke përfshirë koncesionet për studimin, kërkimin dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore.
    Çdo ndryshim në formën në të cilën pasuritë janë investuar ose riinvestuar nuk do të prekin karakterin e tyre si investim, në rast se ky ndryshim është kryer në përputhje me ligjin dhe rregullat e Palës pritëse të investimit.

    3. Termi “të ardhura” kupton shumat që rrjedhin nga një investim dhe përfshin në veçanti, por jo ekskluzivisht, fitimin, dividendët, interesin, rritjen e kapitalit, shpërblime dhe të ardhura të tjera.

    4. Termi “territor” kupton:
    - lidhur me Republikën e Shqipërisë, territorin nën sovranitetin e Republikës së Shqipërisë përfshirë ujërat territoriale dhe zonën detare e shelfin kontinental, mbi të cilat Republika e Shqipërisë, në përputhje me ligjet dhe rregullat e saj kombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare, ushtron të drejtat e saj sovrane e ligjore;
    - lidhur me Kosovën, territorin nën administrimin e përkohshëm të UNMIK-ut sipas përcaktimit në rezolutën 1244 (1999) në 10 qershor 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

  • Neni 2 - Nxitja dhe pranimi
  • 1. Çdo Palë do të nxisë dhe do të krijojë kushte të favorshme për investitorët e Palës tjetër, për të bërë investime në territorin e saj dhe do t'i pranojë këto investime në përputhje me legjislacionin dhe rregullat e saj.

    2. Kur një Palë ka pranuar një investim në territorin e saj, ajo do të japë, në përputhje me ligjet dhe rregullat e saj, lejet e nevojshme që janë të lidhura me këtë investim dhe kryerjen e marrëveshjeve të licencimit dhe kontratave për asistencë teknike, tregtare apo administrative. Çdo Palë është e detyruar të lëshojë, nëse kërkohen, autorizimet e nevojshme në lidhje me aktivitetin e konsultimit dhe për persona të tjerë të kualifikuar.

  • Neni 3 - Mbrojtja
  • 1. Investimeve të bëra nga investitorët e njërës Palë në territorin e Palës tjetër, në çdo kohë, do t'u jepet një trajtim i drejtë dhe i barabartë dhe do të gëzojnë mbrojtjen dhe siguri të plotë ligjore.
    Në asnjë rast një Palë nuk do t'u japë këtyre investimeve trajtimin më pak të favorshëm sesa ai i kërkuar nga e drejta ndërkombëtare, sipas përcaktimit në nenet 4 dhe 8 të kësaj Marrëveshjeje.

    2. Asnjëra Palë nuk do të pengojë në asnjë mënyrë, nëpërmjet masash arbitrare ose diskriminuese, operimin, menaxhimin, mirëmbajtjen, përdorimin, gëzimin, shitjen dhe nëse është rasti edhe likuidimin e këtyre investimeve referuar në paragrafin 1 të këtij neni. Çdo Palë do të vëzhgojë çdo detyrë që ka të bëjë me investimet e investitorëve të Palës tjetër.

  • Neni 4 - Trajtimi vendor dhe i kombit më të favorizuar
  • 1. Çdo Palë do t’u japë në territorin e saj, investimeve ose të ardhurave të investitorëve të Palës tjetër, një trajtim jo më pak të favorshëm sesa ai që ajo u ka dhënë investimeve apo të ardhurave të investitorëve vendorë apo sesa ai që ajo u ka dhënë investimeve dhe të ardhurave të investitorëve të një Pale të tretë, cilido është më i favorshëm për investitorin në fjalë.

    2. Ky trajtim nuk do të shtrihet te privilegjet të cilat secila Palë mund t’u japë investitorëve të një pale të tretë për shkak të anëtarësimit të tyre apo përfshirjes në ndonjë zonë të tregtisë së lirë, bashkimi doganor, tregu të përbashkët ose ndonjë marrëveshje ndërkombëtare të ngjashme, ekzistuese apo që do të krijohet në të ardhmen, te të cilat cilado prej Palëve është ose mund të bëhet palë.

    3. Secila Palë, në përputhje me ligjet dhe rregullat e vendit të saj, do t’u japë investimeve apo të ardhurave të investitorëve të Palës tjetër një trajtim jo më pak të favorshëm sesa ai që u ka dhënë investimeve apo të ardhurave të investitorëve të vet.

    4. Trajtimi i dhënë në këtë nen nuk do të konsiderohet si detyrim për një Palë që të shtrijë tek investitorët e Palës tjetër përfitimet e çdo trajtimi, preference apo privilegji që rezulton nga ndonjë marrëveshje ndërkombëtare që ka të bëjë tërësisht ose kryesisht me taksimin, përfshirë çdo marrëveshje për evitimin e taksimit të dyfishtë, ose çdo ligj kombëtar që ka të bëjë tërësisht ose kryesisht me taksimin.

  • Neni 5 - Shpronësimi
  • 1. Investimet ose të ardhurat e investitorëve të secilës prej Palëve në territorin e Palës tjetër nuk do të shpronësohen, të përdoren ose nuk do të jenë subjekt i ndonjë mase tjetër që ka efekt ekuivalent me atë të shpronësimit apo të përdorimit (këtu më poshtë referuar si "përdorim"), me përjashtim kur kërkohet për interes publik, mbështetur në ligj, mbi baza jodiskriminuese dhe kundrejt një pagese të menjëhershme të përshtatshme dhe kompensimi efektiv.

    2. Investitori i prekur, gëzon të drejtën, sipas ligjit dhe rregullave të Palës që bën përdorimin, për një shqyrtim të menjëhershëm nga ana e autoriteteve gjyqësore apo kompetente dhe të pavarura të kësaj Pale, të rastit të tij dhe të përcaktojë nëse ky shpronësim dhe vlerësim i investimit të saj është në përputhje me parimet e vendosura në këtë nen.

    3. Ky kompensim do të llogaritet me vlerën e tregut të investimit të përdorur, në momentin përpara se masa e shpronësimit të kryhet ose përpara se ky përdorim të bëhet publikisht i njohur.
    Kompensimi do të përfshijë interesin LIBOR për një vit deri në datën e pagesës, do të paguhet pa vonesë, në një monedhë lirisht të konvertueshme dhe do të jetë efektivisht i realizueshëm dhe lirisht i transferueshëm.

  • Neni 6 - Kompensimi për humbjet
  • 1. Investitorëve të një Pale, investimet apo të ardhurat e të cilëve pësojnë humbje në territorin e Palës tjetër për shkak të konfliktit të armatosur, revolucionit, gjendjes së emergjencës, kryengritjeve, luftës civile ose ngjarjeve të ngjashme, do t'u jepet nga Pala e fundit në lidhje me kthimin, zhdëmtimin, kompensimin ose ndonjë zgjidhje tjetër të vlefshme, një trajtim jo më pak i favorshëm sesa kjo Palë u jep investitorëve vendorë ose të një pale të tretë, cilido qoftë më i favorshmi prej tyre për investitorin. Pagesat e rezultuara do të jenë lirisht të transferueshme.

    2. Pavarësisht nga paragrafi 1 i këtij neni, një investitori të një Pale, i cili, në secilën nga situatat e referuara në këtë paragraf, pëson humbje në territorin e Palës tjetër, që rezultojnë nga:
    a) shpronësimi i investimit apo i një pjese të tij, apo autoritetet e kësaj të fundit;
    b) shkatërrimi i investimit ose i një pjese të tij nga autoritetet e kësaj të fundit, që nuk ishte i nevojshëm për situatën, do t’i jepet nga Pala e fundit dëmshpërblimi apo kompensimi.

    3. Kompensimi në çdo rast do të jetë i menjëhershëm, i përshtatshëm dhe efektiv. Pagesat e rezultuara do të bëhen pa vonesë në monedhë lirisht të konvertueshme dhe lirisht të transferueshme.

  • Neni 7 - Transferimet
  • 1. Çdo Palë do t’u garantojë investitorëve të Palës tjetër, në përputhje me ligjet dhe rregullat e Palës pritëse, transferimin e lirë të të gjitha pagesave për detyrimet fiskale që kanë të bëjnë me investimet e tyre. Këto transferime do të përfshijnë në veçanti, por jo ekskluzivisht:
    a) kapitalin fillestar dhe çdo shtesë në kapital për mirëmbajtjen apo rritjen e një investimi;
    b) të ardhurat nga investimi;
    c) fondet për shlyerjen e huave në lidhje me një investim;
    d) kompensimet që jepen në bazë të nenit 5 dhe 6 dhe pagesat që kryhen për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje, sipas neneve 10 dhe 11 të kësaj Marrëveshjeje;
    e) të ardhurat nga shitja ose likuidimi i plotë apo i pjesshëm i një investimi;
    f) të adhurat dhe shpërblime të tjera të personelit të angazhuar nga jashtë në lidhje me një investim.

    2. Transferimet sipas kësaj Marrëveshjeje do të kryhen pa vonesë dhe në një monedhë lirisht të transferueshme me kursin e këmbimit që mbizotëron në datën e transferimit.

    3. Palët do t’u japin transferimeve referuar në këtë nen një trajtim jo më pak të favorshëm sesa ai që i është dhënë transferimit të pagesave që rrjedhin nga investimet e bëra nga investitorët e ndonjë pale të tretë.

  • Neni 8 - Kushtet më favorizuese
  • Nëse legjislacioni i ndonjërës prej Palëve ose detyrimet që rrjedhin sipas së drejtës ndërkombëtare ekzistuese apo të vendosur më vonë midis Palëve si plotësim i kësaj Marrëveshjeje, përmbajnë një rregullim, qoftë ky i përgjithshëm apo i veçantë, që u jep investitorëve të Palës tjetër një trajtim më të favorshëm sesa ai i dhënë nga kjo Marrëveshje, ky rregullim do të jetë mbizotërues për aq sa ai është më i favorshëm kundrejt kësaj Marrëveshjeje.

  • Neni 9 - Zëvendësimi më të drejta të plota (subrogimi)
  • 1. Nëse një Palë ose agjencia e përcaktuar prej saj bën një pagesë për një zhdëmtim, garanci apo kontratë sigurimi kundrejt një risku jotregtar në lidhje me një investim të bërë nga ndonjë prej investitorëve të saj në territorin e Palës tjetër, Pala e fundit do të njohë kalimin e çdo të drejte apo 106 detyrim të këtij investitori tek ish-Pala apo agjencia e përcaktuar prej saj, që të ushtrojë në bazë të zëvendësimit me të drejta të plota, çdo të drejtë në të njëjtën masë sa edhe paraardhësi i tij.

    2. Ky zëvendësim do të bëjë të mundur që ish-Pala apo agjencia e përcaktuar prej saj të jetë direkt përfituese e çdo pagese për dëmshpërblim apo kompensim tjetër, që mund të ngarkohet të kryejë investitori.

    3. Zëvendësimi i të drejtave dhe i detyrimeve për investitorin e zhdëmtuar do të aplikohet, gjithashtu edhe për transferimin e pagesave efektive në përputhje me nenin 7 të kësaj Marrëveshjeje.

  • Neni 10 - Zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet Palëve
  • 1. Çdo mosmarrëveshje ndërmjet Palëve në lidhje me interpretimin ose zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, për sa është e mundur, do të zgjidhet nëpërmjet kanaleve diplomatike.

    2. Në qoftë se mosmarrëveshja nuk është e mundur të zgjidhet në këtë mënyrë brenda gjashtë (6) muajve prej fillimit të bisedimeve, ajo do t’i nënshtrohet me kërkesën e njërës prej dy Palëve, një gjykate arbitrazhi.

    3. Gjykata e arbitrazhit do të krijohet në mënyrën e mëposhtme: çdo Palë do të emërojë një gjykatës dhe këta dy gjykatës do të zgjedhin një të tretë, i cili do të jetë kryetar. Në qoftë se brenda 30 ditëve nga kërkesa për arbitrim Pala tjetër nuk ka emëruar një gjykatës, ose brenda 60 ditëve nga emërimi i dy gjykatësve, gjykatësi i tretë nuk ka qenë emëruar, Pala tjetër mund të ftojë Presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të emërojë një gjykatës.

    4. Gjykata do të nxjerrë vendimet e saj në bazë të respektimit të ligjeve të aplikuara në territoret e Palës, dispozitave që përmban kjo Marrëveshje, si dhe parimeve universale të së drejtës ndërkombëtare.

    5. Gjykata e arbitrazhit i përcakton vetë procedurat.

    6. Gjykata e arbitrazhit do të marrë vendimet me shumicë votash. Vendimi i arbitrazhit duhet të cekë arsyet në bazë të të cilave është marrë vendimi dhe ky vendim do të jepet përfundimtar dhe detyrues për të dyja Palët.

    7. Çdo Palë do të përballojë shpenzimet për gjykatësin e zgjedhur prej tij dhe ato të përfaqësimit në procedurat e arbitrazhit. Shpenzimet e tjera përfshirë dhe ato të presidentit do të përballohen në pjesë të barabarta nga të dyja Palët.

  • Neni 11 - Mosmarrëveshjet ndërmjet njërës Palë dhe një investitori të Palës tjetër
  • 1. Mosmarrëveshjet që mund të ngrihen ndërmjet njërës Palë dhe një investitori të Palës tjetër në lidhje me një investim, do të paraqiten me shkrim, përfshirë dhe një informacion të detajuar, nga investitori tek Pala pritëse e investimit. Për sa të jetë e mundur, palët e interesuara do
    të përpiqen ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje në mënyrë miqësore.

    2. Në rast se këto mosmarrëveshje nuk mund të zgjidhen miqësisht brenda gjashtë muajve nga data kur njoftimi me shkrim referuar paragrafit 1 është shtruar për zgjidhje, mosmarrëveshja do t'i nënshtrohet, sipas zgjedhjes së investitorit:
    - gjykatës kompetente të Palës në territorin e së cilës investimi është kryer ose - një gjykate arbitrazhi të përkohshme të krijuar sipas Rregullave të Arbitrazhit të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Ligjin Tregtar Ndërkombëtar (UNCITRAL);

    - Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) të krijuar nga Konventa për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të investimeve ndërmjet shteteve dhe shtetasve të shteteve të tjera, e hapur për nënshkrim në Ëashington D.C., në 18 mars 1965, në rastin kur të dyja Palët janë anëtare të kësaj Konvente.

    3. Arbitrimi do të bazohet në:
    - dispozitat e kësaj Marrëveshjeje;
    - rregullat dhe parimet universale të së drejtës ndërkombëtare;
    - ligjet që zbatohen në territorin e Palës, në territorin e së cilës është bërë investimi, përfshirë rregullat lidhur me konfliktet në ligj.

    4. Dispozitat e nenit 9 të kësaj Marrëveshjeje, një Palë nuk do t’i shfrytëzojë për mbrojtje, dëmshpërblim apo kompensim për të gjithë apo për një pjesë të dëmit të pësuar, që është marrë apo do të merret nga investitori në bazë të një kontrate garancie apo sigurie.

    5. Vendimet e arbitrazhit do të jenë përfundimtare dhe detyruese për Palët në mosmarrëveshje. Secila Palë merr përsipër që të zbatojë vendimet në përputhje me legjislacionin e vendit të saj.

  • Neni 12 - Hyrja në fuqi, kohëzgjatja dhe përfundimi
  • 1. Kjo Marrëveshje do të hyjë në fuqi në datën në të cilën Palët do të njoftojnë njëra-tjetrën se formalitetet e brendshme ligjore të kërkuara për hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje janë përfunduar. Ajo do të zbatohet nga data e hyrjes së saj në fuqi dhe do të qëndrojë në fuqi për një periudhë fillestare prej 5 vjetësh dhe mund të rinovohet automatikisht, nëse nuk kundërshtohet nga njëra Palë, për një periudhë të mëtejshme prej 5 vjetësh.

    2. Secila Palë mund të përfundojë këtë Marrëveshje, duke njoftuar me shkrim Palën tjetër për përfundimin e kësaj Marrëveshjeje, të paktën 6 muaj përpara datës së përfundimit të saj.

    3. Për investimet e bëra para datës së përfundimit të kësaj Marrëveshjeje, kjo Marrëveshje do të mbetet në fuqi për një periudhë të mëtejshme gjatë së cilës ato kanë qenë efektive përpara përfundimit të kësaj Marrëveshjeje.

    Bërë në Tiranë, më 19 shkurt 2004 në dy origjinale në gjuhët shqip dhe anglisht, duke qenë të gjitha tekstet me fuqi të barabartë.
    Në rast mosmarrëveshje në interpretimin e dispozitave të kësaj Marrëveshjeje, do të merret për bazë teksti në gjuhën angleze.

    PËR INSTITUCIONET E PËRKOHSHME VETËQEVERISËSE NË KOSOVË
    Ali Jakupi
    MINISTËR PËR TREGTI

    PËR KËSHILLIN E MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
    Anastas Angjeli
    MINISTËR I EKONOMISË

    PËR MISIONIN E KOMBEVE TË BASHKUARA PËR ADMINISTRATËN E PËRKOHSHME TË KOSOVËS NË EMËR TË INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME VETËQEVERISËSE NË KOSOVË
    Harri Holkeri
    PËRFAQËSUES SPECIAL I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM

    Botuar në Fletoren Zyrtare nr.32, faqe 2595.