Neni 8 - Zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet Palëve Kontraktuese

1. Çdo mosmarrëveshje ndërmjet Palëve Kontraktuese, lidhur me interpretimin apo zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, përsa është e mundur, do të zgjidhet me bisedime nëpërmjet kanaleve diplomatike.

2. Në qoftë se mosmarrëveshja nuk është e mundur të zgjidhet brenda gjashtë muajve prej fillimit të bisedimeve, ajo do t'i nënshtrohet me kërkesën e njërës prej Palëve Kontraktuese një gjykate arbitrazhi.

3. Gjykata e arbitrazhit do të krijohet ad-hoc, si më poshtë: çdo Palë Kontraktuese do të emërojë një gjykatës dhe këta dy gjykatës do të bien dakord të zgjedhin një shtetas të një shteti të tretë si kryetar. Gjykatësit do të zgjidhen brenda tre muajve dhe kryetari brenda pesë muajve, nga data ku secila Palë Kontraktuese i njofton Palës tjetër Kontraktuese dëshirën e saj që t'ia nënshtrojë mosmarrëveshjen një gjykate arbitrazhi.

4. Në rast se brenda afateve të specifikuara në paragrafin 3 të këtij neni nuk janë bërë emërimet e nevojshme, secila Palë Kontraktuese mund, që në mungesë të ndonjë marrëveshjeje tjetër të ftojë Presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të drejtësisë të bëjë emërimet e nevojshme. Në rast se Presidenti i Gjykatës është shtetas i ndonjërës prej Palëve Kontraktuese ose i ndalohet që të kryejë funksionet e mësipërme, zëvendëspresidenti ose nëse ai, gjithashtu është shtetas i njërës prej Palëve Kontraktuese ose nëse ai ndalohet që të kryejë funksionet e mësipërme, anëtari më i vjetër i Gjykatës i cili nuk është shtetas i ndonjërës prej Palëve Kontraktuese do të ftohet që të bëjë emërimet e nevojshme.

5. Gjykata e arbitrazhit do të vendosë në bazë të respektimit të ligjit, duke përfshirë në veçanti këtë Marrëveshje dhe marrëveshje të tjera pasuese ndërmjet Palëve Kontraktuese, si dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

6. Gjykata i përcakton vetë procedurat, përveçse kur Palët kontraktuese vendosin ndryshe.

7. Gjykata do t'i marrë vendimet me shumicë votash. Ky vendim do të jetë përfundimtar dhe detyrues për të dyja Palët Kontraktuese.

8. Çdo Palë Kontraktuese do të përballojë vetë shpenzimet për gjykatësin e zgjedhur prej saj dhe për atë të përfaqësimit. Shpenzimet për kryetarin, si dhe shpenzime të tjera do të përballohen në pjesë të barabarta nga të dyja Palët Kontraktuese. Megjithatë, gjykata mund që me vendim të prerë të ngarkojë njërën Palë Kontraktuese që të përballojë një pjesë më të madhe të shpenzimeve dhe ky vendim do të jetë i detyrueshëm për të dyja Palët Kontraktuese.