strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

VENDIM Nr.49, datë 23.1.2003 - PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS TË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË UKRAINËS, PËR NXITJEN DHE MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INVESTIMEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23 të ligjit nr. 8371, datë 9.7.1998 “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Miratimin e Marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës të Shqipërisë dhe Qeverisë së Ukrainës, për nxitjen dhe mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI Fatos Nano

MARRËVESHJE PËR NXITJEN DHE MBROJTJEN RECIPROKE TË INVESTIMEVE MIDIS QEVERISË SË REPUBLIKËS TË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË UKRAINËS

Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Ukrainës (Kabineti i Ministrit), këtu më poshtë të referuara si “Palë”:
Duke dëshiruar të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik për përfitimin reciprok të të dy vendeve;
Duke synuar të krijojnë kushte të favorshme për investimet e bëra nga investitorët e secilës Palë në territorin e Palës tjetër; dhe
Duke njohur se nxitja dhe mbrojtja e investimeve në bazë të kësaj Marrëveshjeje do të stimulojë nismat investuese në këtë fushë, ranë dakord si vijon:

  • Neni 1 - Përkufizime
  • Për qëllime të kësaj Marrëveshjeje:

    1. Termi “Investitor” kupton në lidhje me secilën Palë:
    a) personin fizik i cili, në përputhje me ligjet e kësaj Pale, konsiderohet si shtetas i saj;
    b) entet ligjore, duke përfshirë shoqëritë, shoqatat, shoqëritë e përbashkëta, korporatat, filialet dhe çdo lloj organizimi të inkorporuar ose të krijuar ose me fjalë të tjera të organizuar në përputhje me ligjin e kësaj Pale.

    2. Termi “Investim” kupton çdo lloj pasurie dhe në veçanti, por jo ekskluzivisht, si më poshtë:
    a) pjesëmarrjen me aksione, detyrimet e një shoqërie dhe çdo formë tjetër e pjesëmarrjes në një shoqëri që ka një vlerë ekonomike, duke përfshirë çdo kredi të dhënë me qëllim krijimin e një vlere ekonomike.
    b) pasurinë e tundshme dhe të patundshme si dhe çdo të drejtë tjetër, si hipotekat, qiratë, uzufrukti, pengjet dhe të drejta të ngjashme;
    c) të drejtat e pronësisë industriale dhe intelektuale si patentat, licencat, markat tregtare, emrat tregtarë, sekretet tregtare si dhe proceset teknike, know-how dhe dëshira e mirë;
    d) të drejtat për të ndërmarrë veprimtari ekonomike dhe tregtare në bazë të ligjit ose në sajë të një kontrate, duke përfshirë koncesionet për studimin, kërkimin dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore.
    Çdo ndryshim në formën në të cilën pasuritë janë investuar ose riinvestuar nuk do të prekin karakterin e tyre si investim, në rast se ky ndryshim është kryer në përputhje me ligjet dhe rregullat e Palës pritëse të investimit.

    3. Termi “të ardhura” kupton shumat e vjela nga një investim dhe përfshin në veçanti, por jo eksluzivisht, fitimet, dividentet, interesat, rritjen e kapitalit, shpërblime dhe të ardhura në forma të tjera.

    4. Termi “territor” përcakton tërësinë tokësore dhe ujore të secilës Palë, si dhe zonën ekonomike ekskluzivisht dhe shellfin kontinental jashtë kufijve të ujërave territoriale të secilës Palë, mbi të cilat ata ushtrojnë ose mund të ushtrojnë të drejtat e sovranitetit dhe juridiksionit me qëllim shfrytëzimin, zbulimin dhe ruajtjen e burimeve natyrore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

  • Neni 2 - Nxitja dhe pranimi
  • 1. Çdo Palë do të nxisë dhe do të krijojë kushte të favorshme për investitorët e Palës tjetër, për të bërë investime në territor dhe do t’i pranojë këto investime në përputhje me legjislacionin dhe rregullat e saj.

    2. Me qëllim që të inkurajohet reciprokisht fluksi i investimeve, çdo Palë merr përsipër të informojë Palën tjetër, me kërkesën e kësaj të fundit, në përputhje me legjislacionin në fuqi të vendit të tij, për mundësitë investuese në territorin e saj.

    3. Kur një Palë ka pranuar një investim në territorin e saj, ajo do t’i japë, në përputhje me ligjet dhe rregullat e saj, lejet e nevojshme që janë të lidhura me këtë investim dhe kryerjen e marrëveshjeve të licencimit dhe kontratave për asistencë teknike, tregtare ose administrative. Çdo
    Palë është e detyruar të lëshojë, nëse kërkohet, autorizimet e nevojshme në lidhje me aktivitetin e konsultimit dhe persona të tjerë të kualifikuar, pavarësisht nga kombësia e tyre.

    4. Kjo Marrëveshje do të zbatohet gjithashtu për investimet e kryera përpara hyrjes në fuqi të saj, nga investitorët e njërës Palë në territorin e Palës tjetër.

  • Neni 3 - Mbrojtja
  • 1. Investimeve të bëra nga investitorët e njërës Palë në territorin e Palës tjetër, në çdo kohë do t’u jepet një trajtim i drejtë dhe i barabartë dhe do të gëzojnë mbrojtje dhe siguri të plotë. Në asnjë rast, një Palë nuk do t’u japë këtyre investimeve trajtim më pak të favorshëm sesa ai i kërkuar nga e drejta ndërkombëtare.

    2. Asnjëra Palë nuk do të pengojë në asnjë mënyrë, nëpërmjet masash arbitrare ose diskriminuese, operimin, menaxhimin, mirëmbajtjen, përdorimin, gëzimin, shitjen dhe nëse është rasti edhe likujdimin e këtij investimi. Çdo Palë do të vëzhgojë çdo detyrim që ka të bëjë me investimet e investitorëve të Palës tjetër.

  • Neni 4 - Trajtimi kombëtar dhe i kombit më të favorizuar
  • 1. Çdo Palë do t’u japë në territorin e saj, investimeve ose të ardhurave të investitorëve të Palës tjetër, një trajtim jo më pak të favorshëm sesa ai që ajo i ka dhënë investimeve dhe të ardhurave të investitorëve të një shteti të tretë, cilido është më i favorshëm për investitorin në fjalë.

    2. Ky trajtim nuk do të shtrihet tek privilegjet, të cilat secila Palë mund t’ju japë investitorëve të një shteti të tretë për shkak të anëtarësimit të tyre ose përfshirjes në ndonjë zonë të 88 tregtisë së lirë, bashkimi doganor, tregu të përbashkët ose ndonjë marrëveshjeje ndërkombëtare të ngjashme, ekzistuese ose që do të krijohet në të ardhmen tek të cilat cilado prej Palëve është ose mund të bëhet Palë.

    3. Çdo Palë, në përputhje me ligjet dhe rregullat e veta do t’ju japë investimeve ose të ardhurave të investitorëve të Palës tjetër një trajtim jo më pak të favorshëm sesa ai i dhënë investimeve ose të ardhurave të investitorëve të vet.

    4. Trajtimi i dhënë në këtë nen nuk do të konsiderohet si detyrim për një Palë, që të shtrijë tek investitorët e Palës tjetër përfitimet e çdo trajtimi, preference ose privilegji që rezulton nga ndonjë marrëveshje ndërkombëtare që ka të bëjë tërësisht ose kryesisht me taksimin, përfshirë çdo marrëveshje për evitimin e taksimit të dyfishtë, ose çdo ligj kombëtar që ka të bëjë tërësisht ose kryesisht me taksimin.

  • Neni 5 - Shpronësimi
  • 1. Investimet ose të ardhurat e investitorëve të secilës prej Palëve në territorin e Palës tjetër nuk do të shpronësohen, shtetëzohen ose nuk do të jenë subjekt i ndonjë mase tjetër që ka efekt ekuivalent me atë të shpronësimit ose të shtetëzimit (këtu më poshtë referuar si “shpronësim”) me përjashtim kur kërkohet për interes publik, mbështetur në ligj, mbi baza jo diskriminuese dhe kundrejt një pagese të menjëhershme të përshtatshme dhe një kompensimi efektiv.

    2. Ky kompensim do të llogaritet me vlerën reale të tregut të investimit të shpronësuar, në momentin përpara se masa e shpronësimit të kryhet ose përpara se ky shpronësim të bëhet publikisht i njohur, cilido është më i hershmi. Kompensimi do të përfshijë interesat e zakonshme tregtare deri në datën e pagesës, do të paguhet pa vonesë, në një monedhë lirisht të konvertueshme dhe do të jetë efektivisht i realizueshëm dhe lirisht i transferueshëm.

    3. Investitori i prekur, gëzon të drejtën, sipas ligjit të Palës që bën shpronësimin, për një shqyrtim të menjëhershëm nga ana e autoriteteve gjyqësore ose kompetente dhe të pavarura të kësaj Pale, të rastit të tij dhe të përcaktojë nëse ky shpronësim dhe vlerësimi i investimit të tij është në përputhje me parimet e vendosura në këtë nen.

    4. Kur një Palë shpronëson pasuritë e një shoqërie, e cila është krijuar ose themeluar sipas ligjit në fuqi në çdo pjesë të territorit të saj, dhe në të cilën investitorët e Palës tjetër zotërojnë aksione, ajo do të sigurojë që dispozitat e këtij neni të zbatohen si garanci për një kompensim të menjëhershëm, të përshtatshëm dhe efektiv në lidhje me investimin e tyre ku investitorët e Palës tjetër janë zotërues të këtyre aksioneve.

  • Neni 6 - Kompensimi për humbjet
  • Investitorët e një Pale, investimet apo të ardhurat e të cilëve pësojnë humbje në territorin e Palës tjetër për shkak të konfliktit të armatosur, revolucionit, gjendjes së emergjencës kombëtare, kryengritjeve, luftës civile ose ngjarjeve të ngjashme, do t’u jepet nga kjo Palë në lidhje me kthimin, zhdëmtimin, kompensimin ose ndonjë zgjidhje tjetër të vlefshme, një trajtim jo më pak i favorshëm sesa kjo Palë i jep investitorëve të vet ose të një shteti të tretë cilido qoftë më i favorshmi prej tyre për investitorin. Pagesat e rezultuara do të jenë lirisht të transferueshme.
    Pavarësisht nga paragrafi 1, një investitori të një Pale, i cili, në secilën nga situatat e referuara në këtë paragraf, pëson humbje në territorin e Palës tjetër që rezultojnë nga:
    a) konfiskimi i investimit ose i një pjese të tij nga forcat ose autoritetet e kësaj të fundit;
    b) shkatërrimi i investimit ose i një pjese të tij nga forcat ose autoritetet e kësaj të fundit, që nuk ishte i nevojshëm për situatën, do t’i jepet nga Pala e fundit dëmshpërblimi ose kompensimi i cili në çdo rast do të jetë i menjëhershëm, i përshtatshëm dhe efektiv. Pagesat e rezultuara do të bëhen pa vonesë në monedhë lirisht të konvertueshme dhe lirisht të transferueshme.

  • Neni 7 - Transferimet
  • 1. Çdo Palë do t’ju garantojë investitorëve të Palës tjetër transferimin e lirë të të gjitha pagesave që kanë të bëjnë me investimet e tyre. Këto transferime do të përfshijnë në veçanti, por jo ekskluzivisht:
    (a) kapitalin fillestar dhe çdo shtesë në kapital për mirëmbajtjen ose rritjen e një investimi sipas legjislacionit në fuqi të secilës Palë;
    (b) të ardhura nga investimi, të përcaktuara në nenin 1;
    (c) fondet për shlyerjen e huave në lidhje me një investim;
    (d) kompensimet që jepen në bazë të neneve 5 dhe 6;
    (e) të ardhurat dhe shpërblimet e personelit të angazhuar nga jashtë në lidhje me një investim;
    (f) pagesat që kryhen në bazë të zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje.

    2. Pala pritëse e një investimi do t’i lejojë investitorëve të Palës tjetër, që të kenë akses në tregun e shkëmbimeve valutore në një mënyrë jo diskriminuese kështu që investitori mund të blejë valutën e nevojshme me qëllim që të bëjë transferimin në bazë të këtij neni.

    3. Transferimet sipas kësaj Marrëveshjeje do të kryhen pa vonesë dhe në një monedhë lirisht të transferueshme me kursin e këmbimit që mbizotëron në datën e transferimit.

    4. Palët marrin përsipër që të lehtësojnë procedurat e nevojshme që nevojiten për të kryer transferimin pa vonesë. Në veçanti, nuk duhet të kalojë më shumë se një muaj nga data në të cilën investitori do të paraqesë aplikimin e nevojshëm për transferim deri në datën që transferimi të kryhet aktualisht.

    5. Palët do t’u japin transferimeve që referohen në këtë nen një trajtim jo më pak të favorshëm sesa ai që i është dhënë transferimit të pagesave që kryhen nga invesitorët e ndonjë shteti të tretë.

  • Neni 8 - Kushtet më favorizuese
  • 1. Nëse legjislacioni i ndonjërës prej Palëve ose detyrimeve që rrjedhin sipas të drejtës ndërkombëtare ekzistuese ose të vendosur më vonë midis Palëve si plotësim i kësaj Marrëveshjeje, përmbajnë rregullime, qofshin këto të përgjithshme apo të veçanta, që u japin investitorëve të Palës tjetër një trajtim më të favorshëm sesa ai i dhënë nga kjo Marrëveshje, ky rregullim do të jetë mbizotërues për aq sa ai është më i favorshëm kundrejt kësaj Marrëveshjeje.

    2. Kushtet më favorizuese se këto të kësaj Marrëveshjeje të cilat janë pranuar prej njërës prej Palëve me investitorët e Palës tjetër nuk do të preken nga kjo Marrëveshje.

  • Neni 9 - Subrogimi
  • Nëse një Palë ose Agjencia e përcaktuar prej saj bën një pagesë për një zhdëmtim, garanci ose kontratë sigurimi kundrejt një risku jotregtar në lidhje me një investim të bërë nga ndonjë prej investitorëve të saj në territorin e Palës tjetër, Pala e fundit do të njohë kalimin e çdo të drejte apo detyrimi të këtij investitori tek ish Pala ose Agjencia e përcaktuar prej saj, që të ushtrojë në bazë të zëvendësimit me të drejta të plota, çdo të drejtë në të njëjtën masë sa edhe paraardhësi i tij. Ky zëvendësim me të drejta të plota do të bëjë të mundur që ish Pala apo Agjencia e përcaktuar prej saj të jetë direkt përfituese e çdo pagese për dëmshpërblim apo kompensim tjetër që mund të ngarkohet të kryejë investitori.

  • Neni 10 - Zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis Palëve
  • 1. Çdo mosmarrëveshje midis Palëve në lidhje me interpretimin ose zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, për sa është e mundur, do të zgjidhet nëpërmjet kanaleve diplomatike.

    2. Në qoftë se mosmarrëveshja nuk është e mundur të zgjidhet brenda gjashtë (6) muajve prej fillimit të bisedimeve, ajo do t’i nënshtrohet me kërkesën e njërës prej Palëve një gjykate arbitrazhi.

    3. Gjykata e arbitrazhit do të krijohet në mënyrën e mëposhtme: çdo Palë do të emërojë një gjykatës dhe këta dy gjykatës do të zgjedhin shtetasin e një shteti të tretë si president. Gjykatësit do të zgjidhen brenda tre muajve dhe kryetari brenda pesë muajve, nga data kur secila Palë njofton tjetrën për dëshirën e saj që t’ja nënshtrojë mosmarrëveshjen një gjykate arbitrazhi.

    4. Në rast se brenda afateve të specifikuara në paragrafin (3) të këtij neni nuk janë bërë emërimet e nevojshme, secila Palë, në mungesë të ndonjë Marrëveshjeje tjetër, mund të ftojë Presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të bëjë emërimet e nevojshme. Në rast se
    Presidenti është shtetas i ndonjërës prej Palëve, ose në qoftë se ai ndalohet të kryejë funksionet e mësipërme, Zëvendëspresidenti ftohet që të bëjë emërimet e nevojshme. Në rast se Zëvendëspresidenti gjithashtu është shtetas i njërës prej Palëve ose nëse ai ndalohet të kryejë funksionet e mësipërme, anëtari më i vjetër i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i cili nuk është shtetas i njërës prej Palëve do të ftohet të bëjë emërimet e nevojshme.

    5. Gjykata do t’i nxjerrë vendimet e saj në bazë të respektimit të rregullave që përmban kjo Marrëveshje ose të marrëveshjeve të tjera në fuqi midis Palëve si dhe parimeve universale të së drejtës ndërkombëtare.

    6. Gjykata i përcakton vetë procedurat, përveçse kur Palët vendosin ndryshe.

    7. Gjykata e arbitrazhit do t’i marrë vendimet me shumicë votash dhe ky vendim do të jetë përfundimtar dhe detyrues për të dyja Palët.

    8. Çdo Palë do të përballojë shpenzimet për gjykatësin e zgjedhur prej tij dhe ato të përfaqësimit në procedurat e arbitrazhit. Shpenzimet e tjera përfshirë dhe ato të kryetarit do të përballohen në pjesë të barabarta nga të dyja Palët.

  • Neni 11 - Mosmarrëveshjet midis njërës Palë dhe një Investitori
  • 1. Mosmarrëveshjet që mund të ngrihen midis njërës Palë dhe një Investitori të Palës tjetër në lidhje me një investim sipas kuptimit të kësaj Marrëveshjeje, do të paraqiten me shkrim, përfshirë dhe një informacion të detajuar, nga investitori tek Pala pritëse e investimit. Për sa të jetë e mundur, palët e interesuara do të përpiqen ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje në mënyrë miqësore.

    2. Në rast se këto mosmarrëveshje nuk mund të zgjidhen miqësisht brenda gjashtë muajve nga data kur njoftimi me shkrim referuar paragrafit 1 është shtruar për zgjidhje, mosmarrëveshja do t’i nënshtrohet, sipas zgjedhjes së investitorit:
    a) gjykatës kompetente të Palës në territorin e së cilës investimi është kryer;
    b) një gjykate të përkohshme të krijuar sipas rregullave të arbitrazhit të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Ligjin Tregtar Ndërkombëtar;
    c) Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) të krijuar nga “Konventa për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të investimeve midis shteteve dhe shtetasve të shteteve të tjera”, e hapur për nënshkrim në Ëashington D.C., në 18 mars 1965, në rastin kur të dy Palët janë anëtare të kësaj Konvente. Për aq kohë sa njëra Palë e cila është Palë në mosmarrëveshje nuk është bërë Shtet i Konventës së përmendur më sipër, mosmarrëveshja do të trajtohet në përputhje me dispozitat shtesë për administrimin e procedurave nga Sekretariati i Qendrës.

    3. Arbitrimi do të bazohet në:
    - dispozitat e kësaj Marrëveshjeje dhe të marrëveshjeve të tjera në fuqi midis Palëve;
    - rregullat dhe parimet universale të së drejtës ndërkombëtare;
    - ligji kombëtar i Palës në territorin e së cilës është bërë investimi, përfshi rregullat në lidhje me konfliktet në ligj.

    4. Një Palë do të shfrytëzojë për mbrojtje, dëmshpërblimin ose kompensimin për të gjithë ose një pjesë të dëmit të pësuar, që është marrë ose do të merret nga investitori në bazë të një kontrate garancie ose sigurimi.

    5. Vendimi do të jetë përfundimtar dhe detyrues për Palët në mosmarrëveshje. Secila Palë merr përsipër që të zbatojë vendimet në përputhje me legjislacionin e vendit të tij.

  • Neni 12 - Hyrja në fuqi, kohëzgjatja dhe përfundimi
  • 1. Kjo Marrëveshje do të hyjë në fuqi në datën në të cilën Palët do të njoftojnë njëra- tjetrën se formalitetet kushtetuese të kërkuara për hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje ndërkombëtare janë përfunduar. Ajo do të jetë në fuqi për një periudhë dhjetë vjeçare, dhe do të rinovohet, në mënyrë të heshtur, për një periudhë dy vjeçare në vazhdim.

    2. Secila Palë mund ta përfundojë këtë Marrëveshje me një njoftim me shkrim, gjashtë muaj përpara datës së përfundimit të saj.
    Për investimet e bëra para datës së përfundimit të kësaj Marrëveshjeje, dispozitat e të gjitha neneve të kësaj Marrëveshjeje do të mbeten në fuqi për një periudhë të mëtejshme prej dhjetë vjetësh nga data e përfundimit të kësaj Marrëveshjeje.
    Dëshmojmë se kjo Marrëveshje është nënshkruar me plotfuqishmëri respektive.

    Bërë në Tiranë, më 25 tetor 2002 në dy origjinale në gjuhët shqip, ukrainase dhe anglisht duke qenë të gjitha tekstet me fuqi të barabartë.
    Në rast mosmarrëveshjeje në interpretim, do të merret për bazë teksti në gjuhën angleze.

    Botuar në Fletoren Zyrtare nr.3, faqe 75.