Neni 7 - Transferimet

1. Çdo Palë do t’ju garantojë investitorëve të Palës tjetër transferimin e lirë të të gjitha pagesave që kanë të bëjnë me investimet e tyre. Këto transferime do të përfshijnë në veçanti, por jo ekskluzivisht:
(a) kapitalin fillestar dhe çdo shtesë në kapital për mirëmbajtjen ose rritjen e një investimi sipas legjislacionit në fuqi të secilës Palë;
(b) të ardhura nga investimi, të përcaktuara në nenin 1;
(c) fondet për shlyerjen e huave në lidhje me një investim;
(d) kompensimet që jepen në bazë të neneve 5 dhe 6;
(e) të ardhurat dhe shpërblimet e personelit të angazhuar nga jashtë në lidhje me një investim;
(f) pagesat që kryhen në bazë të zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje.

2. Pala pritëse e një investimi do t’i lejojë investitorëve të Palës tjetër, që të kenë akses në tregun e shkëmbimeve valutore në një mënyrë jo diskriminuese kështu që investitori mund të blejë valutën e nevojshme me qëllim që të bëjë transferimin në bazë të këtij neni.

3. Transferimet sipas kësaj Marrëveshjeje do të kryhen pa vonesë dhe në një monedhë lirisht të transferueshme me kursin e këmbimit që mbizotëron në datën e transferimit.

4. Palët marrin përsipër që të lehtësojnë procedurat e nevojshme që nevojiten për të kryer transferimin pa vonesë. Në veçanti, nuk duhet të kalojë më shumë se një muaj nga data në të cilën investitori do të paraqesë aplikimin e nevojshëm për transferim deri në datën që transferimi të kryhet aktualisht.

5. Palët do t’u japin transferimeve që referohen në këtë nen një trajtim jo më pak të favorshëm sesa ai që i është dhënë transferimit të pagesave që kryhen nga invesitorët e ndonjë shteti të tretë.