strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

VENDIM Nr.49, datë 22.1.2004 - PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS TË KORESË, PËR NXITJEN DHE MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INVESTIMEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 dhe 23 të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998 "Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare", me propozimin e Ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Miratimin e Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës të Koresë, për nxitjen dhe mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI Fatos Nano

MARRËVESHJE NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS TË KORESË PËR NXITJEN DHE MBROJTJEN RECIPROKE TË INVESTIMEVE

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Koresë (këtu më poshtë të referuara si "Palë Kontraktuese"):
duke dëshiruar të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet të dy shteteve;
duke synuar të krijojnë kushte të favorshme për investimet e bëra nga investitorët e secilës Palë në territorin e Palës tjetër mbi bazën e një përfitimi të barabartë dhe reciprok;
duke njohur se nxitja dhe mbrojtja e investimeve në bazë të kësaj Marrëveshjeje do të stimulojë iniciativat e biznesit në këtë fushë, kanë rënë dakord si vijon:

  • Neni 1 - Përkufizime
  • Për qëllime të kësaj Marrëveshjeje:
    1. Termi "investim" kupton çdo lloj pasurie të investuar nga investitorët e njërës Palë Kontraktuese në territorin e Palës tjetër Kontraktuese dhe do të përfshijë në veçanti, por jo ekskluzivisht, si më poshtë:
    a) pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme dhe të drejta të tjera të ngjashme, si hipotekat, qiratë, sigurimet e pasurisë dhe pengjet;
    b) pjesëmarrjen me aksione, detyrimet e një shoqërie dhe çdo formë tjetër të pjesëmarrjes në një shoqëri ose ndërmarrje biznesi dhe të drejta apo interesa që rrjedhin prej tyre;
    c) pretendimet në para apo të çdo forme tjetër në bazë të një kontrate që ka vlerë ekonomike;
    d) të drejtat e pronësisë intelektuale, duke përfshirë të drejtat e autorit, patentat, markat tregtare, emrat tregtarë, disenjot industriale, proceset teknike, sekretet tregtare, knoë-hoë dhe dëshira e mirë;
    e) koncesionet e biznesit që kanë një vlerë ekonomike në bazë të ligjit apo të një kontrate, duke përfshirë koncesionet për studimin, kërkimin dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore.
    Çdo ndryshim në formën në të cilën pasuritë janë investuar ose riinvestuar nuk do të prekin karakterin e tyre si investim.

    2. Termi "të ardhura" kupton shumat e vjela nga një investim dhe përfshin në veçanti, por jo ekskluzivisht, fitimin, dividendet, interesin, rritjen e kapitalit, shpërblime dhe të ardhura të tjera.

    3. Termi "investitor" kupton personat fizikë ose juridikë të një Pale Kontraktuese, të cilët investojnë në territorin e Palës tjetër Kontraktuese.
    a) Termi "persona fizikë" nënkupton personat fizikë të cilët kanë shtetësinë e ish-Palës Kontraktuese, në përputhje me ligjet dhe rregullat e kësaj Pale.
    b) Termi "persona juridikë" nënkupton çdo njësi, siç janë shoqëritë, institucionet publike, shoqatat, fondacionet, shoqëritë e përbashkëta, korporatat, filialet dhe çdo lloj tjetër organizimi të inkorporuar apo të krijuar ose me fjalë të tjera të organizuar në përputhje me ligjet dhe rregullat e ish-Palës Kontraktuese.

    4. Termi "territor" nënkupton tërësinë tokësore dhe ujore të secilës Palë Kontraktuese, si dhe zonën ekonomike ekskluzive dhe shellfin kontinental jashtë kufijve të ujërave territoriale të secilës Palë Kontraktuese, mbi të cilat këto shtete ushtrojnë të drejtat e sovranitetit dhe juridiksionit, me qëllim shfrytëzimin, zbulimin dhe ruajtjen e burimeve natyrore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

    5. Termi "monedhë lirisht e konvertueshme" nënkupton monedhën e cila përdoret gjerësisht për të bërë pagesat për transaksionet ndërkombëtare dhe shkëmbehet lirisht në tregjet kryesore ndërkombëtare.

  • Neni 2 - Nxitja dhe mbrojtja e investimeve
  • 1. Çdo Palë Kontraktuese do të nxisë dhe do të krijojë kushte të favorshme për investitorët e Palës tjetër Kontraktuese për të bërë investime në territorin e saj dhe do t'i pranojë këto investime në përputhje me legjislacionin dhe rregullat saj.

    2. Investimeve të bëra nga investitorët e njërës Palë Kontraktuese në territorin e Palës tjetër Kontraktuese, në çdo kohë, do t'u jepet një trajtim i drejtë dhe i barabartë dhe do të gëzojnë mbrojtje dhe siguri të plotë ligjore në territorin e Palës tjetër Kontraktuese.

    3. Asnjëra Palë Kontraktuese nuk do të pengojë, në asnjë mënyrë, nëpërmjet masash arbitrare ose diskriminuese, operimin, menaxhimin, mirëmbajtjen, përdorimin, gëzimin ose disponimin e investimeve në territorin e saj nga investitorët e Palës tjetër Kontraktuese.

  • Neni 3 - Trajtimi i investimeve
  • 1. Secila Palë Kontraktuese do t'u japë në territorin e saj, investimeve dhe të ardhurave të investitorëve të Palës tjetër Kontraktuese, një trajtim të drejtë dhe të barabartë dhe jo më pak të favorshëm sesa ai që ajo u ka dhënë investimeve dhe të ardhurave të investitorëve të vet apo sesa ai që ajo u ka dhënë investimeve dhe të ardhurave të investitorëve të një shteti të tretë, cilido qoftë më i favorshëm për investitorët.

    2. Secila Palë Kontraktuese do t'iu japë në territorin e saj, investitorëve të Palës tjetër Kontraktuese, përsa i përket drejtimit, mirëmbajtjes, përdorimit ose disponimit të investimeve të tyre, një trajtim të drejtë dhe të barabartë dhe jo më pak të favorshëm sesa ai që ajo u ka dhënë investitorëve të vet ose investitorëve të një shteti të tretë, cilido qoftë më i favorshëm për investitorët.

    3. Trajtimi i dhënë në këtë nen do të konsiderohet si detyrim për një Palë Kontraktuese që të shtrijë tek investitorët e Palës tjetër Kontraktuese përfitimet e çdo trajtimi, preference apo privilegji që rezulton nga:
    a) ndonjë marrëveshje ndërkombëtare që ka të bëjë tërësisht ose kryesisht me taksimin; apo
    b) përfshirja tashmë ose në të ardhmen në një zonë të tregtisë së lirë, bashkimi doganor, tregu të përbashkët ose në ndonjë tjetër bashkim ekonomik të ngjashëm.

  • Neni 4 - Kompensimi për humbjet
  • 1. Investitorëve të njërës Palë Kontraktuese, investimet e të cilëve pësojnë humbje në territorin e Palës tjetër për shkak të luftës ose një konflikti tjetër të armatosur, revolucionit, gjendjes së emergjencës kombëtare, kryengritjeve, luftës civile ose situatave të tjera të ngjashme, do t'u jepet nga Pala e fundit Kontraktuese, në lidhje me kthimin, zhdëmtimin, kompensimin ose formave të tjera të zgjidhjeve, një trajtim jo më pak i favorshëm sesa kjo Palë i jep investitorëve të vet ose të një shteti të tretë. Pagesat e rezultuara do të jenë lirisht të transferueshme dhe pa vonesa të pajustifikueshme.

    2. Pa paragjykuar paragrafin 1 të këtij neni, investitorëve të një Pale Kontraktuese, të cilët, në ndonjë nga situatat e referuara në këtë paragraf, pësojnë humbje në territorin e Palës tjetër Kontraktuese që rezultojnë nga:
    a) shpronësimi i pasurisë së tyre nga forcat e veta ose autoritetet;
    b) shkatërrimi i pasurisë së tyre nga forcat e veta ose autoritetet të cilat nuk janë shkaktuar nga lufta apo që nuk ishte i nevojshëm për situatën, do t'u jepet nga pala e fundit dëmshpërblim apo kompensim i menjëhershëm, jo më pak i favorshëm sesa ai që mund t'u jepet sipas të njëjtave rrethana një investitori të Palës tjetër Kontraktuese ose një investitori të ndonjë shteti të tretë. Pagesat e rezultuara do të jenë lirisht të transferueshme pa vonesa të pajustifikueshme.

  • Neni 5 - Shpronësimi
  • 1. Investimet e investitorëve të një Pale Kontraktuese në territorin e Palës tjetër Kontraktuese nuk do të shpronësohen ose nuk do të jenë subjekt i ndonjë mase tjetër që ka efekt ekuivalent me atë të shpronësimit (këtu më poshtë referuar si "shpronësim"), me përjashtim kur
    kërkohet për interes publik dhe kundrejt një kompensimi të menjëhershëm, të përshtatshëm dhe efektiv. Shpronësimi do të kryhet mbi baza jodiskriminuese, në përputhje me procedurat ligjore.

    2. Ky kompensim do të llogaritet me vlerën e tregut të investimit të shpronësuar në momentin përpara se masa e shpronësimit të kryhet ose përpara se ky shpronësim të bëhet publikisht i njohur, cilido është më i hershmi, dhe do të përfshijë interesin me kursin tregtar të zbatueshëm nga data e shpronësimit deri në datën e pagesës dhe do të bëhet pa vonesë, do të jetë efektivisht i realizueshëm dhe lirisht i transferueshëm.

    3. Investitorët e një Pale Kontraktuese të prekur nga shpronësimi do të kenë të drejtën e një shqyrtimi të menjëhershëm nga një autoritet juridik ose i pavarur i Palës tjetër Kontraktuese, të rastit të tyre dhe vlerësimit të investimeve të tyre në përputhje me parimet e vendosura në këtë nen.

    4. Kur një Palë Kontraktuese shpronëson pasuritë e një kompanie e cila është formuar ose ndërtuar sipas ligjeve dhe rregullave të saj dhe në të cilën investitorët e Palës tjetër Kontraktuese zotërojnë aksione ose forma të tjera të pjesëmarrjes, atëherë do të zbatohen dispozitat e këtij neni.

  • Neni 6 - Transferimet
  • 1. Secila Palë Kontraktuese do t'u garantojë investitorëve të Palës tjetër Kontraktuese transferim të lirë të investimeve dhe të të ardhurave të tyre. Këto transferime do të përfshijnë në veçanti, por jo ekskluzivisht:
    a) fitimin neto, të ardhurat e kapitalit, dividendet, interesin, shpërblimet, pagesat dhe ndonjë formë tjetër të të ardhurave që rrjedhin prej investimeve;
    b) të ardhurat nga shitja ose likuidimi total apo i pjesshëm i një investimi;
    c) fondet për shlyerjen e huave në lidhje me një investim;
    d) fitimet e shtetasve të Palës tjetër Kontraktuese, të cilët janë lejuar për të punuar në lidhje me investimet në territorin e saj;
    e) fondet shtesë të nevojshme për mirëmbajtjen ose zhvillimin e investimeve ekzistuese;
    f) shumat e shpenzuara për drejtimin e investimit në territorin e Palës tjetër Kontraktuese ose të një shteti të tretë;
    g) kompensimet që jepen në bazë të nenit 5 dhe 6.

    2. Të gjitha transferimet sipas kësaj Marrëveshjeje do të bëhen në monedhë lirisht të konvertueshme, pa kufizime dhe vonesa të pajustifikueshme, me kursin e këmbimit që mbizotëron në datën e transferimit.

  • Neni 7 - Zëvendësimi me të drejta të plota (subrogimi)
  • 1. Nëse një Palë Kontraktuese ose agjencia e caktuar prej saj bën një pagesë tek investitorët e saj sipas një dëmshpërblimi të dhënë përsa i përket investimeve në territorin e Palës tjetër Kontraktuese, Pala e fundit Kontraktuese do të njohë:
    a) kalimin sipas ligjit ose transaksionit ligjor të çdo të drejte ose pretendimi prej investitorëve tek ish-Pala Kontraktuese apo agjencia e përcaktuar prej saj;
    b) që ish-Pala Kontraktuese ose agjencia e caktuar prej saj është e autorizuar në sajë të së drejtës të zëvendësimit me të drejta të plota, të ushtrojë të drejtat dhe t’u paraqesë kërkesat e këtyre investitorëve.

    2. Të drejtat ose kërkesat e zëvendësuara me të drejta të plota nuk do të tejkalojnë të drejtat ose kërkesat e mëparshme të investitorit.

  • Neni 8 - Zgjidhja e mosmarrëveshjeve të investimeve ndërmjet njërës Palë Kontraktuese dhe një investitori të Palës tjetër Kontraktuese
  • 1. Çdo mosmarrëveshje ndërmjet njërës Palë Kontraktuese dhe një investitori të Palës tjetër Kontraktuese, duke përfshirë shpronësimin e investimeve, për sa të jetë e mundur, palët do të përpiqen ta zgjidhin në mënyrë miqësore.

    2. Dëmshpërblimet lokale sipas ligjeve dhe rregullave të një Pale Kontraktuese në territorin e së cilës janë kryer investimet do të jenë të vlefshme për investitorët e Palës tjetër Kontraktuese në bazë të një trajtimi jo më pak të favorshëm sesa ajo që u akordohet investimeve të investitorëve të vet ose investitorëve të një shteti të tretë, cilido qoftë më i favorshëm për investitorët.

    3. Në qoftë se mosmarrëveshja nuk mund të zgjidhet brenda gjashtë muajve nga data kur mosmarrëveshja është ngritur nga njëra palë, ajo do të shqyrtohet sipas kërkesës së njërës nga palët, te Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) të krijuar nga Konventa për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve midis shteteve dhe shtetasve të shteteve të tjera, e hapur për nënshkrim në Washington D.C., në 18 mars 1965.

    4. Vendimi i dhënë nga ICSID do të jetë përfundimtar dhe detyrues për palët në mosmarrëveshje. Secila Palë Kontraktuese merr përsipër njohjen dhe zbatimin e vendimit në përputhje me legjislacionin e vendit të saj.

  • Neni 9 - Zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet Palëve Kontraktuese
  • 1. Mosmarrëveshjet ndërmjet Palëve Kontraktuese në lidhje me interpretimin ose zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, për sa është e mundur, do të zgjidhen me konsultime nëpërmjet kanaleve diplomatike.

    2. Në qoftë se mosmarrëveshja nuk është e mundur të zgjidhet brenda gjashtë (6) muajve prej fillimit të bisedimeve, ajo do t'i nënshtrohet me kërkesën e njërës prej dy Palëve Kontraktuese, një gjykate arbitrazhi të përkohshme, në përputhje me dispozitat e këtij neni.

    3. Kjo gjykatë arbitrazhi do të krijohet për çdo rast në mënyrën e mëposhtme: brenda dy (2) muajve nga data e marrjes së kërkesës për arbitrazh, çdo Palë Kontraktuese do të caktojë një anëtar 101 të gjykatës. Këta dy gjykatës do të zgjedhin pastaj një shtetas të një shteti të tretë, i cili me aprovimin e të dyja Palëve Kontraktuese do të caktohet Kryetar i Gjykatës. Kryetari do të caktohet brenda dy (2) muajve, nga data e caktimit të dy anëtarëve të tjerë.

    4. Në rast se brenda afateve të specifikuara në paragrafin (3) të këtij neni nuk janë bërë emërimet e nevojshme, atëherë secila Palë Kontraktuese, mund të ftojë Presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të bëjë këto emërime. Në rast se Presidenti është shtetas i ndonjërës prej Palëve Kontraktuese ose në qoftë se ai ndalohet të kryejë funksionet e mësipërme, zëvendëspresidenti ftohet që të bëjë emërimet. Në rast se zëvendëspresidenti gjithashtu është shtetas i njërës prej Palëve Kontraktuese ose nëse ai ndalohet të kryejë funksionet e mësipërme, anëtari më i vjetër i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili nuk është shtetas i njërës prej Palëve do të ftohet të bëjë emërimet.

    5. Gjykata e arbitrazhit do t'i japë vendimet e saj me shumicë votash. Ky vendim do të jetë detyrues për të dyja Palët Kontraktuese.

    6. Çdo Palë Kontraktuese do të përballojë shpenzimet për gjykatësin e zgjedhur prej saj dhe ato të përfaqësimit në procedurat e arbitrazhit. Shpenzimet e tjera përfshirë dhe ato të kryetarit, do të përballohen në pjesë të barabarta nga të dyja palët. Gjykata e arbitrazhit, mundet, megjithatë, që me vendim të saj direkt të vendosë që njërës nga të dyja Palët Kontraktuese t'i caktohet një pjesë më e lartë e shpenzimeve. Gjykata e arbitrazhit do t'i përcaktojë vetë procedurat e saj.

  • Neni 10 - Zbatimi i rregullave të tjera
  • 1. Kur një çështje është trajtuar në të njëjtën kohë nga kjo Marrëveshje dhe nga një marrëveshje tjetër ndërkombëtare në të cilat të dyja Palët Kontraktuese janë palë, ose nga parimet e përgjithshme të ligjit ndërkombëtar, atëherë kjo Marrëveshje nuk do të ndalojë secilën Palë Kontraktuese ose investitorët e saj, që të kenë avantazhin e shfrytëzimit të atyre rregullave të cilat janë më të favorshme për rastin e tyre.

    2. Në qoftë se trajtimi që jepet nga një Palë Kontraktuese tek investitorët e Palës tjetër Kontraktuese në përputhje me ligjet dhe rregullat e saj ose me dispozitat apo kontratat specifike është më i favorshëm sesa ai që i jepet sipas kësaj Marrëveshjeje, atëherë do të zbatohet trajtimi më i favorshëm.

    3. Secila Palë Kontraktuese do të shqyrtojë çdo detyrim tjetër që mund të jetë vendosur në lidhje me investimet e bëra në territorin e saj nga investitorët e Palës tjetër Kontraktuese.

  • Neni 11 - Zbatimi i Marrëveshjes
  • Kjo Marrëveshje do të zbatohet për të gjitha investimet e bëra përpara ose mbas hyrjes në fuqi të saj, por nuk do të zbatohet tek ndonjë mosmarrëveshje lidhur me investimet të cilat janë kryer përpara hyrjes së saj në fuqi.

  • Neni 12 - Hyrja në fuqi, kohëzgjatja dhe përfundimi
  • 1. Kjo Marrëveshje do të hyjë në fuqi në datën e marrjes së njoftimit të fundit në të cilën Palët njoftojnë njëra-tjetrën se formalitetet kushtetuese të kërkuara për hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje janë përfunduar. Ajo do të zbatohet nga data e hyrjes së saj në fuqi dhe do të qëndrojë në fuqi për një periudhë fillestare prej dhjetë vjetësh dhe do të përsëritet automatikisht për një periudhë të mëtejshme prej dy vjetësh.

    2. Secila Palë mund të përfundojë këtë Marrëveshje me një njoftim paraprak me shkrim në adresë të Palës tjetër, 6 muaj përpara datës së përfundimit të saj.

    3. Përsa i përket investimeve të kryera para datës së përfundimit të kësaj Marrëveshjeje, dispozitat e të gjitha neneve të tjera të kësaj Marrëveshjeje do të mbeten në fuqi për një periudhë të 102 mëtejshme prej dhjetë vjetësh nga data e përfundimit të kësaj Marrëveshjeje.

    Bërë në Tiranë, më 15.12.2003 në dy kopje origjinale në gjuhët shqip, koreane dhe anglisht duke qenë të gjitha tekstet me fuqi të barabartë.
    Në rast mosmarrëveshjeje në interpretimin e dispozitave të kësaj Marrëveshjeje do të merret për bazë teksti në gjuhën angleze.

    Botuar nëFletoren Zyrtare nr.3, faqe 80.