Neni 1 - Përkufizime

Për qëllime të kësaj Marrëveshjeje:
1. Termi "investim" kupton çdo lloj pasurie të investuar nga investitorët e njërës Palë Kontraktuese në territorin e Palës tjetër Kontraktuese dhe do të përfshijë në veçanti, por jo ekskluzivisht, si më poshtë:
a) pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme dhe të drejta të tjera të ngjashme, si hipotekat, qiratë, sigurimet e pasurisë dhe pengjet;
b) pjesëmarrjen me aksione, detyrimet e një shoqërie dhe çdo formë tjetër të pjesëmarrjes në një shoqëri ose ndërmarrje biznesi dhe të drejta apo interesa që rrjedhin prej tyre;
c) pretendimet në para apo të çdo forme tjetër në bazë të një kontrate që ka vlerë ekonomike;
d) të drejtat e pronësisë intelektuale, duke përfshirë të drejtat e autorit, patentat, markat tregtare, emrat tregtarë, disenjot industriale, proceset teknike, sekretet tregtare, knoë-hoë dhe dëshira e mirë;
e) koncesionet e biznesit që kanë një vlerë ekonomike në bazë të ligjit apo të një kontrate, duke përfshirë koncesionet për studimin, kërkimin dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore.
Çdo ndryshim në formën në të cilën pasuritë janë investuar ose riinvestuar nuk do të prekin karakterin e tyre si investim.

2. Termi "të ardhura" kupton shumat e vjela nga një investim dhe përfshin në veçanti, por jo ekskluzivisht, fitimin, dividendet, interesin, rritjen e kapitalit, shpërblime dhe të ardhura të tjera.

3. Termi "investitor" kupton personat fizikë ose juridikë të një Pale Kontraktuese, të cilët investojnë në territorin e Palës tjetër Kontraktuese.
a) Termi "persona fizikë" nënkupton personat fizikë të cilët kanë shtetësinë e ish-Palës Kontraktuese, në përputhje me ligjet dhe rregullat e kësaj Pale.
b) Termi "persona juridikë" nënkupton çdo njësi, siç janë shoqëritë, institucionet publike, shoqatat, fondacionet, shoqëritë e përbashkëta, korporatat, filialet dhe çdo lloj tjetër organizimi të inkorporuar apo të krijuar ose me fjalë të tjera të organizuar në përputhje me ligjet dhe rregullat e ish-Palës Kontraktuese.

4. Termi "territor" nënkupton tërësinë tokësore dhe ujore të secilës Palë Kontraktuese, si dhe zonën ekonomike ekskluzive dhe shellfin kontinental jashtë kufijve të ujërave territoriale të secilës Palë Kontraktuese, mbi të cilat këto shtete ushtrojnë të drejtat e sovranitetit dhe juridiksionit, me qëllim shfrytëzimin, zbulimin dhe ruajtjen e burimeve natyrore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

5. Termi "monedhë lirisht e konvertueshme" nënkupton monedhën e cila përdoret gjerësisht për të bërë pagesat për transaksionet ndërkombëtare dhe shkëmbehet lirisht në tregjet kryesore ndërkombëtare.