strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

VENDIM Nr.509, datë 19.7.2006

PËR PËRBËRJEN E KËSHILLIT DREJTUES TË AGJENCISË SHQIPTARE TË BIZNESIT DHE INVESTIMEVE DHE PËR MËNYRËN E MASËN E SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË TIJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3 të nenit 6 të ligjit nr.9497, datë 20.3.2006 “Për krijimin e Agjencisë Shqiptare të Biznesit dhe Investimeve”, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Këshilli drejtues i Agjencisë Shqiptare të Biznesit dhe Investimeve kryesohet nga Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës dhe ka në përbërje:
- Zëvendësministrin e Financave;
- Zëvendësministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit;
- Zëvendësministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve;
- Një përfaqësues nga Këshilli i Ministrave;
- Tre përfaqësues nga organizatat e biznesit.

2. Përfaqësuesit e organizatave të biznesit miratohen nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, sipas kritereve të përcaktuara në udhëzimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

3. Shpërblimi i anëtarëve të këshillit drejtues të Agjencisë Shqiptare të Biznesit dhe Investimeve bëhet në bazë të pjesëmarrjes në mbledhje dhe përballohet nga buxheti i kësaj Agjencie. Masa e shpërblimit të tyre është 5 000 (pesë mijë) lekë për çdo mbledhje.

4. Vendimi nr.344, datë 11.7.2002 i Këshillit të Ministrave “Për përbërjen e këshillit mbikëqyrës të Agjencisë së Nxitjes së Investimeve të Huaja e për mënyrën dhe masën e shpërblimit të anëtarëve të tij”, shfuqizohet.

5. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI Sali Berisha
Botuar në Fletoren Zyrtare nr.79, faqe 2292.