Neni 5 - Shpronësimi

1. Invesitmet ose të ardhurat e investitorëve të secilës prej Palëve në territorin e Palës tjetër nuk do të shpronësohen, shtetëzohen ose nuk do të jenë subjekt i ndonjë mase tjetër që ka efekt ekuivalent me atë të shpronësimit, ose të shtetëzimit (këtu më poshtë referuar si “shpronësim”), me përjashtim kur kërkohet për interes publik, mbështetur në ligj, mbi baza jodiskriminuese dhe kundrejt një pagese të menjëhershme të përshtatshme dhe një kompensimi efektiv.

2. Ky kompensim do të llogaritet me vlerën e tregut të investimit të shpronësuar, në momentin përpara se masa e shpronësimit të kryhet, ose përpara se ky shpronësim të bëhet publikisht i njohur, cilido është më i hershmi. Kompensimi do të përfshijë interesin e zakonshëm tregtar deri në datën e pagesës, do të paguhet pa vonesë, në një monedhë lirisht të konvertueshme dhe do të jetë efektivisht i realizueshëm dhe lirisht i transferueshëm.

3. Investitori i prekur, gëzon të drejtën, sipas ligjit dhe rregullave të Palës që bën shpronësimin, për një shqyrtim të menjëhershëm nga ana e autoriteteve gjyqësore ose kompetente dhe të pavarura të kësaj Pale, të rastit të tij dhe të përcaktojë nëse ky shpronësim dhe vlerësimi i investimit të tij është në përputhje me parimet e vendosura në këtë nen.