strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU IV - STRUKTURA ORGANIZATIVE E AGJENCISË

  • Neni 8 - Organet drejtuese
  • Organet drejtuese të Agjencisë janë:
    1) këshilli drejtues;
    2) drejtori ekzekutiv.

  • Neni 9 - Përbërja e këshillit drejtues
  • Këshilli drejtues përbëhet nga 7 anëtarë, të cilët caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për ekonominë, i cili është njëkohësisht dhe kryetar i këshillit drejtues.
    Këshilli drejtues ka të drejtë të emërojë një sekretar nga punonjësit e Agjencisë të cilit i cakton dhe shpërblimin përkatës.

  • Neni 10 - Kompetencat e këshillit drejtues
  • Këshilli drejtues është organ vendimmarrës dhe ka këto kompetenca:

    a) miraton programin e veprimtarisë së Agjencisë për vitin financiar, i cili paraqitet nga drejtori ekzekutiv;
    b) miraton bilancin e veprimtarisë ekonomiko-financiare, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
    c) mbikëqyr në vazhdimësi përmbushjen e objektivave të Agjencisë;
    ç) mbikëqyr e miraton përdorimin e fondeve, të siguruara jashtë Buxhetit të Shtetit.

  • Neni 11 - Mbledhjet e këshillit drejtues
  • Këshilli mblidhet, në mënyrë periodike, të paktën një herë në dy muaj ose sa herë që e kërkon interesi i Agjencisë. Këshilli drejtues thirret nga kryetari kur këtë e kërkojnë me shkrim 3 nga anëtarët e këshillit apo me kërkesë të drejtorit. Anëtarët lajmërohen me shkrim 15 ditë para zhvillimit të mbledhjes. Në njoftimin për mbledhje shënohen data, ora, vendi i zhvillimit të mbledhjes, si dhe rendi i ditës. Kur ka nevojë, njoftimit i bashkëlidhen edhe projektvendimet, që parashikohen të shqyrtohen në mbledhje.
    Mbledhja drejtohet nga kryetari dhe në mungesë të tij nga njëri prej anëtarëve të këshillit drejtues, i përcaktuar nga kryetari. Nëse kryetari i këshillit drejtues nuk ka caktuar një anëtar, mbledhja drejtohet nga anëtari më i moshuar, që merr pjesë në mbledhje.

  • Neni 12 - Vlefshmëria e mbledhjeve
  • Mbledhja e këshillit drejtues është e vlefshme kur në të marrin pjesë më tepër se gjysma e anëtarëve të tij. Vendimet konsiderohen të vlefshme kur për to votojnë pro më shumë se gjysma e anëtarëve të pranishëm.
    Votimi është i hapur. Në rast rezultati të barabartë votash, vota e kryetarit është përcaktuese.

  • Neni 13 - Pjesëmarrja në mbledhje e personave të tjerë
  • Në mbledhjet e këshillit drejtues kryetari fton këshilltarët ose dhe ekspertë të jashtëm, kur kjo diktohet nga përmbajtja e rendit të ditës.
    Drejtori, këshilltarët dhe ekspertët e ftuar marrin pjesë në mbledhje pa të drejtë vote.

  • Neni 14 - Konflikti i interesave
  • Anëtarët e këshillit drejtues detyrohen të deklarojnë pozicionin e tyre në këshill, kur çështje të rendit të ditës dhe vendimet e këshillit lidhen direkt me interesat e tyre të biznesit. Në këto raste ata nuk marrin pjesë në diskutime apo në votimin e vendimeve, që merren për çështjet në shqyrtim.

  • Neni 15 - Shpërblimi
  • Anëtarët e këshillit gëzojnë të drejtën e shpërblimit për pjesëmarrje në mbledhjet e këshillit.
    Shpërblimi i anëtarëve të këshillit drejtues bëhet në bazë të pjesëmarrjes në mbledhje dhe përballohet nga buxheti i Agjencisë.
    Masa e shpërblimit të tyre përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.