KAPITULLI I - OBJEKTET E KONVENTËS DHE PËRKUFIZIME

  • Neni 1 - Objektet e Konventës
  • Objektet e kësaj Konvente janë:
    a) përcaktimi i parimeve të përgjithshme për t’u zbatuar me lidhje në vendimet mbi marrëdhëniet;
    b) rregullimi i garancive të përshtatshme për të siguruar ushtrimin e rregullt të marrëdhënieve dhe kthimin e menjëhershëm të fëmijëve në fund të afatit të marrëdhënies;
    c) vendosja e bashkëpunimit ndërmjet organeve qendrore, organeve gjyqësore dhe organeve të tjera për të nxitur dhe përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet fëmijëve, prindërve të tyre dhe personave të tjerë që kanë lidhje familjare me fëmijët.

  • Neni 2 - Përkufizime
  • Për qëllimet e kësaj Konvente:

    a) “marrëdhënie” do të thotë:
    i) qëndrimi i fëmijës për një periudhës të caktuar kohe me ose në takim me një person të përmendur në nenet 4 ose 5 me të cilin ai ose ajo nuk banon zakonisht;
    ii) çdo formë komunikimi ndërmjet fëmijës dhe një personi të tillë;
    iii) dhënia e informacionit një personi të tillë për fëmijën ose fëmijët mbi këtë person;

    b) “vendim mbi marrëdhëniet” do të thotë një vendim i një organi gjyqësor në lidhje me marrëdhëniet duke përfshirë një marrëveshje mbi marrëdhëniet, e cila është konfirmuar nga një organ kompetent gjyqësor ose që është përpiluar formalisht ose regjistruar si një instrument autentik dhe është i ekzekutueshëm;

    c) “fëmijë” është një person nën 18 vjet në lidhje me të cilin mund të jepet ose të ekzekutohet një vendim mbi marrëdhëniet në një shtet palë;

    d) “lidhje familjare” do të thotë një lidhje e ngushtë si ndërmjet një fëmije dhe gjyshit/gjyshes, ose vëllezërve dhe motrave të tij ose të saj, në bazë të ligjit ose në bazë të një lidhjeje familjare de fakto;

    e) “organ gjyqësor” do të thotë një gjykatë ose organ administrativ i cili ka kompetenca ekuivalente.