strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KAPITULLI II - PARIME TË PËRGJITHSHME PËR TË ZBATUAR VENDIMET NË LIDHJE ME MARRËDHËNIET

  • Neni 3 - Zbatimi i parimeve
  • Shtetet palë marrin ato masa legjislative dhe të tjera që mund të jenë të nevojshme për të siguruar zbatimin e parimeve të këtij kapitulli nga organet gjyqësore kur ata marrin, ndryshojnë, pezullojnë ose anulojnë vendime në lidhje me marrëdhëniet.

  • Neni 4 - Marrëdhënia ndërmjet një fëmije dhe prindërve të tij ose të saj
  • 1. Një fëmijë dhe prindërit e tij ose të saj kanë të drejtë të marrin dhe të mbajnë marrëdhënie të rregullta me njëri-tjetrin.

    2. Këto marrëdhënie mund të kufizohen ose përjashtohen kur kjo kërkohet nga interesat e larta të fëmijës.

    3. Kur nuk është në favor të interesave të larta të një fëmije që ky të mbajë marrëdhënie të pambikëqyrura me një nga prindërit e tij ose të saj, konsiderohet mundësia e marrëdhënieve personale të mbikëqyrura ose forma të tjera të marrëdhënieve me këtë prind.

  • Neni 5 - Marrëdhëniet ndërmjet një fëmije dhe personave të tjerë, përveç prindërve të tij ose të saj
  • 1. Në varësi të interesave të larta të fëmijës, mund të vendosen marrëdhënie ndërmjet atij ose asaj dhe personave të ndryshëm nga prindërit e tij ose të saj që kanë lidhje familjare me fëmijën.

    2. Shtetet palë janë të lira ta shtrijnë këtë dispozitë për tek persona të tjerë nga ata të përmendur në paragrafin 1, dhe kur bëhet një shtrirje e tillë. Shtetet mund të vendosin lirisht se cilat aspkte të marrëdhënieve zbatohen sipas përkufizimit të nenit 2 germa a.

  • Neni 6 - E drejta e fëmijës për t’u informuar, konsultuar dhe shprehur mendimet e tij ose të saj
  • 1. Fëmija që në bazë të së drejtës ndërkombëtare konsiderohet me zhvillim të plotë mendor ka të drejtën, përveç kur një gjë e tillë do të ishte haptazi në dëm të interesave të larta të tij ose të saj:
    -të marrë të gjithë informacionin përkatës;
    -të konsultohet;
    -të shprehë mendimet e tij ose të saj.

    2. Këtyre mendimeve, dëshirave dhe ndjenjave të konstatueshme të fëmijës u kushtohet vëmendja e duhur.

  • Neni 7 - Zgjidhja e mosmarrëveshjeve në lidhje me marrëdhëniet
  • Gjatë zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në lidhje me marrëdhëniet, organet gjyqësore marrin të gjitha masat:

    a) për të siguruar që të dy prindërit të jenë informuar për rëndësinë e vendosjes dhe të mbajtjes së marrëdhënieve të rregullta me fëmijën e tyre, për fëmijën dhe për ata vetë;

    b) për të nxitur prindërit dhe persona të tjerë që kanë lidhje familjare me fëmijën për të lidhur marrëveshje miqësore në lidhje me marrëdhëniet, sidomos duke përdorur ndërmjetësimin familjar ose ndonjë formë tjetër për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve;

    c) para marrjes së një vendimi, të sigurohen që disponojnë informacion të mjaftueshëm, sidomos nga ata që mbajnë përgjegjësinë familjare, me qëllim që të marrin një vendim në favor të interesave të larta të fëmijës, dhe, kur është e nevojshme, të marrin informacion shtesë nga organe ose personat e tjerë përkatës.

  • Neni 8 - Marrëveshjet për marrëdhëniet
  • 1. Shtetet palë nxisin, me anë të mjeteve që ata i konsiderojnë të përshtatshme, prindërit dhe personat e tjerë që kanë lidhje familjare me fëmijën të repsektojnë parimet e parashikuara në nenet 4 deri 7 kur përpilojnë ose ndryshojnë marrëveshjet mbi marrëdhëniet në lidhje me një fëmijë. Këto marrëveshje duhet që mundësisht të bëhen me shkrim.

    2. Me kërkesë, organet gjyqësore, përveç kur parashikohet ndryshe në ligjin e brendshëm, e konfirmojnë një marrëveshje mbi marrëdhëniet në lidhje me një fëmijë, përveç kur kjo është kundër interesave të larta të fëmijës.

  • Neni 9 - Zbatimi i vendimeve në lidhje me marrëdhëniet
  • Shtetet Palë marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar që vendimet në lidhje me marrëdhëniet të zbatohen.

  • Neni 10 - Mbrojtja dhe garancitë që jepen në lidhje me marrëveshjet
  • 1. Secili shtet palë parashikon dhe nxit zbatimin e mbrojtjes dhe garancive. Ai i komunikon, nëpërmjet organeve të tij qendrore, Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, brenda tre muajsh pas hyrjes në fuqi të kësaj Konvente për atë shtet palë, të paktën tre kategori mbrojtjesh dhe garancish të parashikuara nga ligji i brendshëm përveç mbrojtjes dhe garancive të përmendura në paragrafin 3 të nenit 4 dhe në germën b të paragrafit 1 të nenit 14 të kësaj Konvente.
    Ndryshimi i mbrojtjes dhe garancive të dhëna komunikohet sa më parë që të jetë e mundur.

    2. Kur e kërkojnë rrethanat e çështjes, organet gjyqësore në çdo kohë mund të marrin një vendim mbi marrëdhëniet që t’i nënshtrohet mbrojtjes dhe garancive për sigurimin e zbatimit të këtij vendimi, që fëmija të kthehet në fund të afatit të marrëdhënies në vendin ku ai ose ajo banon zakonisht, ose që ai ose ajo të mos lëvizet në mënyrë të parregullt.
    a) Mbrojtja dhe garancitë për të siguruar që vendimi të zbatohet, mund të përfshijnë sidomos:
    -mbikëqyrjen e marrëdhënies;
    -detyrimin për një person të sigurojë shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit të fëmijës dhe, nëse është e nevojshme, të çdo personi tjetër që e shoqëron fëmijën;
    -një garanci, që depozitohet nga personi me të cilën fëmija banon rregullisht, për të siguruar që personi i cili kërkon marrëdhënie me fëmijën të mos pengohet për të hyrë në marrëdhënie;
    -një gjobë që i vihet personit me të cilën fëmija banon zakonisht, nëse ky refuzon të përmbushë vendimin mbi marrëdhëniet.
    b) Mbrojtja dhe garancitë për të siguruar kthimin e fëmijës ose parandalimin e kthimit të parregullt mund të përfshijë sidomos:
    -dorëzimin e pasaportave ose dokumenteve të identitetit dhe, kur është e nevojshme, një dokument që të tregojë se personi që kërkon të ketë marrëdhënie ka njoftuar organin kompetent konsullor për këtë dorëzim gjatë periudhës së marrëdhënies;
    -garancitë financiare;
    -barrët mbi pasurinë;
    -detyrimet ose marrëveshjet para gjykatës;
    -detyrimin e personit që ka marrëdhënie me fëmijën për t’u paraqitur së bashku me fëmijën rregullisht para një organi kompetent, si zyra për mirëqenien e rinisë ose një rajon policie, në vendin ku duhet të ushtrohet marrëdhënia;
    -detyrimin e personit që kërkon të hyjë në marrëdhënie që të paraqesë një dokument të lëshuar nga shteti ku duhet të zhvillohet marrëdhënia, që të vërtetojë njohjen dhe deklarimin e ekzekutueshmërisë së kujdestarisë ose të një vendimi mbi marrëdhëniet, ose të dyja, para se të merret vendimi për marrëdhëniet ose para se të fillojë marrëdhënia;
    -caktimin e kushteve në lidhje me vendin ku duhet të zhvillohet marrëdhënia dhe, nëse është e nevojshme, regjistrimin në ndonjë sistem kombëtar ose ndërkufitar, të ndalimit që pengon fëmijën për t’u larguar nga shteti ku duhet të zhvillohet marrëdhënia.

    3. Kjo mbrojtje dhe këto garanci janë të përcaktuara me shkrim ose të provuara me shkrim dhe janë pjesë e vendimit për marrëdhëniet ose marrëveshjes së konfirmuar.

    4. Nëse mbrojtja dhe garancitë duhet të zbatohen në një shtet tjetër palë, organi gjyqësor mundësisht vendos mbrojtje dhe garanci të tilla të përshtatshme për t’u zbatuar në atë shtet palë.