strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KAPITULLI III - KTHIMI I FËMIJËVE

  • Neni 8
  • Çdo person, institucion apo organ tjetër që pretendon se një fëmijë është larguar apo mbajtur në shkelje të të drejtave të kujdestarisë, mund t’i drejtohet autoritetit qendror të vendbanimit të përhershëm të fëmijës ose autoritetit qendror të ndonjë Shteti tjetër Kontraktues për asistencë në sigurimin e kthimit të fëmijës.

    Aplikimi do të përmbajë:

    a) informacion në lidhje me identitetin e aplikantit, të fëmijës dhe të personit që pretendon se ka larguar apo mbajtur fëmijën;

    b) kur kërkohet, data e lindjes së fëmijës;

    c) shkaqet mbi të cilat bazohet pretendimi i aplikantit për kthimin e fëmijës;

    d) një informacion të nevojshëm në lidhje me vendndodhjen e fëmijës dhe identitetin e personit me të cilin supozohet të jetë fëmija.

    Aplikimi duhet të shoqërohet ose shtohet nga:

    e) një kopje e vërtetuar e ndonjë vendimi apo marrëveshjeje përkatëse;

    f) një certifikatë apo aktbetim që vjen nga autoriteti qendror ose ndonjë autoritet tjetër kompetent i shtetit të vendbanimit të përhershëm të fëmijës ose nga një person i kualifikuar, në lidhje me ligjin përkatës të këtij shteti;

    g) çdo dokument tjetër në interes të çështjes.

  • Neni 9
  • Nëse autoriteti qendror, i cili merr aplikimin e parashikuar në nenin 8, ka arsye të besojë se fëmija është në një Shtet tjetër Kontraktues, do t’ia transmetojë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa vonesë aplikimin autoritetit qendror të këtij Shteti Kontraktues dhe do të informojë autoritetin qendror kërkues ose aplikantin, në vartësi të çështjes.

  • Neni 10
  • Autoriteti qendror i shtetit ku është fëmija do të marrë apo do të nxisë marrjen e masave të nevojshme, me qëllim sigurimin e kthimit të vullnetshëm të fëmijës.

  • Neni 11
  • Autoritetet gjyqësore apo administrative të Shteteve Kontraktuese do të shpejtojnë procedurat për kthimin e fëmijëve.

    Nëse autoriteti përkatës administrativ apo gjyqësor nuk ka arritur një vendim brenda një periudhe gjashtë javore nga data e fillimit të procedimit, aplikanti ose autoriteti qendror i shtetit të kërkuar, me iniciativën e vet ose nëse i kërkohet nga autoriteti qendror i shtetit kërkues, do të ketë të drejtën të kërkojë një deklaratë për shkaqet e vonesës. Nëse merret një përgjigje nga autoriteti qendror i shtetit të kërkuar, ky autoritet do t’ia transmetojë, sipas rastit, përgjigjen autoritetit qendror të shtetit kërkues ose aplikantit.

  • Neni 12
  • Kur fëmija është larguar apo mbahet padrejtësisht, siç është parashikuar në nenin 3, dhe kur në datën e fillimit të procedimit para autoritetit gjyqësor apo administrativ të Shtetit Kontraktues ku është fëmija ka kaluar më pak se një vit nga data e largimit apo mbajtjes së padrejtë, autoriteti i interesuar do të urdhërojë kthimin e menjëhershëm të fëmijës.

    Edhe kur procedimet kanë filluar pas mbarimit të periudhës së një viti, siç referohet në paragrafin e mësipërm, autoriteti gjyqësor apo administrativ do të urdhërojë kthimin e fëmijës, për sa kohë që nuk është provuar se fëmija tashmë është vendosur në një mjedis të ri të tij.

    Nëse autoriteti gjyqësor apo administrativ në shtetin e kërkuar ka arsye të besojë se fëmija është çuar në një shtet tjetër, mund të shtyjë procedimet ose të pushojë aplikimin për kthimin e fëmijës.

  • Neni 13
  • Pavarësisht nga dispozitat e nenit të mësipërm, autoriteti gjyqësor apo administrativ i shtetit të kërkuar nuk është i detyruar të urdhërojë kthimin e fëmijës, nëse personi, institucioni apo organi tjetër që e kundërshton kthimin ose mbajtjen e tij, vendos që:

    a) personi, institucioni apo organi tjetër që kujdeset për fëmijën nuk po ushtronin të drejtat e kujdestarisë në kohën e largimit apo mbajtjes ose kanë rënë dakord, ose si rrjedhojë të kenë pranuar në heshtje largimin apo mbajtjen;

    b) ekziston rrezik serioz që kthimi i tij ose i saj ta ekspozojë fëmijën ndaj dëmit fizik ose psikologjik ose ta vërë fëmijën para një situate të patolerueshme.

    Autoriteti gjyqësor ose administrativ mund të refuzojë të urdhërojë kthimin e fëmijës, nëse zbulon se fëmija kundërshton të kthehet dhe ka arritur një moshë dhe një shkallë pjekurie, sipas së cilës është në gjendje të vendosë vetë për jetën e vet.
    Në marrjen parasysh të rrethanave që i referohen këtij neni, autoritetet gjyqësore dhe administrative do të marrin në konsideratë informacionin në lidhje me bekgraundin social të fëmijës, të siguruar nga autoriteti qendror ose ndonjë autoritet tjetër kompetent i vendbanimit të përhershëm të fëmijës

  • Neni 14
  • Në përcaktimin nëse largimi apo mbajtja ka qenë e padrejtë brenda kuptimit të nenit 3, autoritetet gjyqësore ose administrative të shtetit të kërkuar, mund të marrin në konsideratë drejtpërsëdrejti ligjin dhe vendimet gjyqësore ose administrative, që njihen apo nuk njihen formalisht në shtetin e vendbanimit të përhershëm të fëmijës, pa rekurs ndaj procedurave specifike për provën e këtij ligji ose për njohjen e vendimeve të huaja, që do të zbatoheshin ndryshe.

  • Neni 15
  • Autoritetet gjyqësore ose administrative të një Shteti Kontraktues mund të kërkojnë para nxjerrjes së një urdhri për kthimin e fëmijës, që aplikanti të marrë nga autoritetet e shtetit të vendbanimit të përhershëm të fëmijës një vendim se largimi apo mbajtja ishte e padrejtë brenda kuptimit të nenit 3 të Konventës, kur një vendim i tillë mund të merret në këtë shtet. Autoritetet qendrore të Shteteve Kontraktuese do t’i ndihmojnë aplikantët të marrin praktikisht një vendim të tillë.

  • Neni 16
  • Pas marrjes së njoftimit për një largim apo mbajtje të padrejtë të fëmijës në kuptimin e nenit 3, autoritetet gjyqësore ose administrative të Shtetit Kontraktues, nga i cili fëmija është larguar apo mbajtur, nuk do të vendosin mbi thelbin e të drejtave të kujdestarisë, derisa të vendoset se fëmija nuk do të kthehet sipas kësaj Konvente ose nëse nuk bëhet një aplikim sipas kësaj Konvente, brenda një kohe të arsyeshme pas marrjes së njoftimit.

  • Neni 17
  • Fakti i vetëm që një vendim në lidhje me kujdestarinë është dhënë ose ka të drejtën e njohjes në shtetin e kërkuar, nuk do të përbëjë shkak për refuzimin e kthimit të fëmijës sipas kësaj Konvente, por autoritetet gjyqësore ose administrative të shtetit të kërkuar do të marrin parasysh shkaqet për këtë vendim në zbatimin e kësaj Konvente.

  • Neni 18
  • Dispozitat e këtij kapitulli nuk do t’i kufizojnë kompetencat e një autoriteti gjyqësor ose administrativ për të urdhëruar kthimin e fëmijës në çdo kohë.

  • Neni 19
  • Një vendim sipas kësaj Konvente në lidhje me kthimin e fëmijës, nuk do të merret si vendim për thelbin e një çështjeje kujdestarie.

  • Neni 20
  • Kthimi i fëmijës, sipas dispozitave të nenit 12, mund të refuzohet nëse nuk do lejohej nga parimet themelore të shtetit të kërkuar në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.