Neni 12

Kur fëmija është larguar apo mbahet padrejtësisht, siç është parashikuar në nenin 3, dhe kur në datën e fillimit të procedimit para autoritetit gjyqësor apo administrativ të Shtetit Kontraktues ku është fëmija ka kaluar më pak se një vit nga data e largimit apo mbajtjes së padrejtë, autoriteti i interesuar do të urdhërojë kthimin e menjëhershëm të fëmijës.

Edhe kur procedimet kanë filluar pas mbarimit të periudhës së një viti, siç referohet në paragrafin e mësipërm, autoriteti gjyqësor apo administrativ do të urdhërojë kthimin e fëmijës, për sa kohë që nuk është provuar se fëmija tashmë është vendosur në një mjedis të ri të tij.

Nëse autoriteti gjyqësor apo administrativ në shtetin e kërkuar ka arsye të besojë se fëmija është çuar në një shtet tjetër, mund të shtyjë procedimet ose të pushojë aplikimin për kthimin e fëmijës.