strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KAPITULLI V - DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 22
  • Asnjë siguracion, obligacion apo depozitë, sido që të përshkruhen, nuk do të kërkojë garanci pagese kostosh dhe shpenzimesh në procedimin gjyqësor ose administrativ që janë brenda kompetencave të kësaj Konvente.

  • Neni 23
  • Asnjë legalizim apo formalitet i ngjashëm nuk do të kërkohet në kuptimin e kësaj Konvente.

  • Neni 24
  • Aplikimi, komunikimi apo ndonjë dokument tjetër i dërguar autoritetit qendror të shtetit të kërkuar do të jetë në gjuhën origjinale dhe do të shoqërohet nga një përkthim në gjuhën zyrtare ose në një nga gjuhët zyrtare të shtetit të kërkuar ose, kur kjo nuk është e mundur, nga një përkthim në frëngjisht ose anglisht.
    Megjithatë, një Shtet Kontraktues mundet, duke bërë një rezervë në përputhje me nenin 42, të kundërshtojë përdorimin e frëngjishtes apo të anglishtes, por jo të të dyjave, në ndonjë aplikim, komunikim apo dokument tjetër dërguar autoritetit të saj qendror.

  • Neni 25
  • Shtetasit e Shteteve Kontraktuese dhe personat që janë banorë të përhershëm të këtyre shteteve do t’u jepet e drejta për çështje që lidhen me zbatimin e kësaj Konvente për ndihmë dhe konsulencë ligjore në ndonjë Shtet tjetër Kontraktues në të njëjtat kushte sikur ata të ishin vetë shtetas dhe banorë të përhershëm të atij shteti.

  • Neni 26
  • Secili autoritet qendror do t’i përballojë vetë kostot për zbatimin e kësaj Konvente.
    Autoritetet qendrore dhe shërbimet e tjera publike të Shteteve Kontraktuese nuk do të vënë tarifa në lidhje me aplikimet e dorëzuara sipas kësaj Konvente. Në veçanti, ato nuk mund të kërkojnë ndonjë pagesë nga aplikanti përkundrejt kostove dhe shpenzimeve të procedimit ose, kur është e zbatueshme, ato që rrjedhin nga pjesëmarrja e konsulentit ligjor. Megjithatë, ato mund të kërkojnë pagesën e shpenzimeve të rrjedhura ose që rrjedhin nga mundësimi i kthimit të fëmijës.
    Megjithatë, një Shtet Kontraktues mundet të deklarojë, duke bërë një rezervë në përputhje me nenin 42, se nuk do të jetë i detyruar të marrë përsipër ndonjë kosto që parashikohet në paragrafin e mësipënn, si rezultat i pjesëmarrjes së konsulentit apo konsulentëve ligjorë ose nga procesi gjyqësor, vetëm deri në atë shkallë që këto kosto të mund të mbulohen nga sistemi i tij i asistencës apo konsulencës ligjore.
    Pas urdhërimit të kthimit të fëmijës ose daljes së urdhrit në lidhje me të drejtat e kontaktit sipas kësaj Konvente, autoritetet gjyqësore ose administrative munden, kur të jetë nevoja, të urdhërojnë personin që largoi apo mbajti fëmijën ose që pengoi ushtrimin e të drejtave të kontaktit, të paguajë shpenzimet e nevojshme që rrjedhin nga ose në emër të aplikantit, duke përfshirë shpenzimet e udhëtimit, ndonjë kosto rrjedhëse ose pagesa të bëra për vendosjen e fëmijës, kostot e përfaqësimit ligjor të aplikantit dhe ato të kthimit të fëmijës.

  • Neni 27
  • Kur provohet që kërkesat e kësaj Konvente nuk përmbushen ose që aplikimi nuk është i mirëbazuar, një autoritet qendror nuk është i detyruar të pranojë aplikimin. Në këtë rast, autoriteti qendror do ta informojë menjëherë, sipas rastit, aplikantin ose autoritetin qendror me anë të të cilit u dorëzua aplikimi, lidhur me shkaqet e tij.

  • Neni 28
  • Një autoritet qendror mund të kërkojë që aplikimi të shoqërohet nga një autorizim me shkrim duke e autorizuar atë të veprojë në emër të aplikantit ose duke caktuar një përfaqësues për të vepruar.

  • Neni 29
  • Kjo Konventë nuk do të pengojë asnjë person, institucion apo organ që pretendon se ka pasur shkelje të kujdestarisë apo të të drejtave të kontaktit brenda kuptimit të neneve 3 ose 21, të aplikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek autoritetet gjyqësore ose administrative të një Shteti Kontraktues, sipas apo në kundërshtim me dispozitat e kësaj Konvente.

  • Neni 30
  • Aplikimi i dorëzuar autoriteteve qendrore ose drejtpërdrejt autoriteteve gjyqësore ose administrative të një Shteti Kontraktues, në përputhje me kushtet e kësaj Konvente, së bashku me dokumentet dhe ndonjë informacion tjetër të bashkëngjitur ose të siguruar nga një autoritet qendror, do të ketë akses në gjykata ose tek autoritetet administrative të Shteteve Kontraktuese.

  • Neni 31
  • Përsa i përket një shteti, i cili në çështjet e kujdestarisë së fëmijëve ka dy ose më shumë sisteme të ligjit të zbatueshëm në njësi të ndryshme territoriale:

    a) ndonjë referim ndaj banesës së përhershme në këtë shtet do të interpretohet sikur t’i referohej banesës së përhershme në një njësi territoriale të këtij shteti;

    b) ndonjë referim ndaj ligjit të shtetit të banesës së përhershme do të interpretohet sikur t’i referohej ligjit të njësisë territoriale në atë shtet ku fëmija banon.

  • Neni 32
  • Përsa i përket një shteti, i cili në çështjet e kujdestarisë së fëmijëve ka dy ose më shumë sisteme të ligjit të zbatueshëm në kategori të ndryshme personash, ndonjë referim ndaj ligjit të këtij shteti do të interpretohet sikur t’i referohej sistemit ligjor të përcaktuar nga ligji i atij shteti.

  • Neni 33
  • Një shtet, brenda të cilit, njësi të ndryshme territoriale kanë legjislacionin e tyre në lidhje me kujdestarinë e fëmijëve, nuk do të jetë i detyruar të zbatojë këtë Konventë, kur një shtet me sistem të unifikuar ligjor nuk do të ishte i detyruar ta bënte një gjë të tillë.

  • Neni 34
  • Kjo Konventë do t’u japë përparësi çështjeve brenda fushës së saj sipas konventës së 5 tetorit 1961, në lidhje me kompetencat e autoriteteve dhe ligjit të zbatueshëm mbi mbrojtjen e minorenëve, si ndërmjet palëve të të dyja konventave. Në rast të kundërt, kjo Konventë nuk do të kufizojë zbatimin e një instrumenti ndërkombëtar në fuqi midis shtetit të origjinës dhe shtetit të adresuar ose ligjit tjetër të shtetit të adresuar për qëllimet e sigurimit të kthimit të fëmijës që është larguar apo mbajtur pa të drejtë ose të organizimit të të drejtave të kontaktit.

  • Neni 35
  • Kjo Konventë do të zbatohet midis Shteteve Kontraktuese vetëm në rast largimesh apo mbajtjeve të padrejta që ndodhin pas hyrjes së saj në fuqi në ato shtete.
    Kur një deklarim është bërë sipas neneve 39 ose 40, referimi ndaj një shteti kontraktues në paragrafin e mësipërm do t’i referohet njësisë ose njësive territoriale ndaj të cilave zbatohet kjo Konventë.

  • Neni 36
  • Asgjë në këtë Konventë nuk do të pengojë dy ose më shumë Shtete Kontraktuese, me qëllim ngushtimin e kufizimeve ndaj të cilave mund të jetë objekt kthimi i fëmijës, nga marrëveshja ndërmjet tyre për të hequr ndonjë dispozitë të kësaj Konvente, e cila mund të nënkuptojë një kufizim të tillë.