strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

III. MBROJTJA

  • Neni 7 - Parime të përgjithshme të mbrojtjes së fëmijëve-viktima
  • 7.1 Palët Kontraktuese bien dakord që të gjitha veprimet e ndërmarra në lidhje me fëmijët-viktima duhet të udhëhiqen nga interesi më i lartë i fëmijës, parimi i mosdiskriminimit, respekti për mendimet e fëmijës, si edhe për të drejtat e tij apo të saj për informacion, privatësi, konfidencialitet dhe për mbrojtje.

    7.2 Institucionet shtetërore përkatëse të të dyja Palëve Kontraktuese do të bashkëpunojnë për vënien në jetë të kësaj Marrëveshjeje. Për të siguruar vënien efektive në jetë të kësaj Marrëveshjeje nëpërmjet monitorimit të vazhdueshëm dhe për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e fëmijës, Palët Kontraktuese do të krijojnë një strukturë të posaçme shtetërore, këtu e më pas referuar si “Autoriteti Përgjegjës”. Për palën shqiptare, ky autoritet do të jetë Komisioni i Përbashkët për Mbrojtjen e Fëmijëve Viktima të Trafikimit. Për palën greke, ky autoritet do të jetë Qendra Kombëtare e Solidaritetit Social për Emergjencat e Sekretariatit të Përgjithshëm të Mirëqenies së Ministrisë së Shëndetësisë, Mirëqenies dhe Mbrojtjes Sociale.

    7.3 Autoriteti Përgjegjës do të sigurojë bashkëpunimin ndërmjet organeve përkatëse institucionale në përputhje me standardet e kujdesit për fëmijët dhe do të respektojë dhe garantojë parimet e përgjithshme të mbrojtes së viktimës fëmijë, siç parashikohet në instrumentet përkatëse ndërkombëtare.

  • Neni 8 - Identifikimi i viktimave fëmijë
  • 8.1 Palët Kontraktuese do të miratojnë procedura efektive për identifikimin e menjëhershëm të viktimave fëmijë në territorin e tyre. Policia, shërbimet sociale, shërbimet e kujdesit mjekësor, institucionet arsimore, autoritetet lokale, organizatat ndërkombëtare dhe joqeveritare menjëherë, sapo të vihen në dijeni të pranisë së një viktimefëmijë potenciale në territorin e Palëve Kontraktuese, do të njoftojnë menjëherë Autoritetin Përgjegjës të vendit të tyre, i cili do të koordinojë veprimet me strukturat kompetente dhe shërbimet sociale.

    8.2 Kur fëmija identifikohet, Autoriteti Përgjegjës do ta regjistrojë fëmijën në një regjistër të veçantë dhe do të hapë një dosje personale për fëmijën.

  • Neni 9 - Referimi i një viktime fëmijë, te autoritetet kompetente
  • 9.1 Autoritetet Përgjegjëse, në bashkëpunim me prokurorin publik për fëmijët, organizatat ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare të përfshira në aktivitete për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe aktorë të tjerë joshtetërorë, do të kërkojnë në mënyrë aktive identifikimin e viktimës fëmijë dhe, në bashkëpunim me shërbimin e policisë përkatëse, do të organizojnë transferimin sa më të shpejtë të fëmijës në një qendër të kujdesit. Qendrat e kujdesit duhet të jenë të mbrojtura, të sigurta dhe të përshtatshme për moshën dhe nevojat e fëmijës. Në çdo rast, palët garantojnë që qendrat do t’i ofrojnë fëmijës mbrojtje, ushqim, aktivitete zbavitëse. Për këtë qëllim, grupi qendror koordinues dhe Autoriteti Përgjegjës i secilës Palë Kontraktuese mund të përfundojnë marrëveshje, direktiva dhe memorandume mirëkuptimi me organizata ndërkombëtare dhe joqeveritare të përfshira në aktivitete për mbrojtjen e fëmijëve, si edhe me aktorë joshtetërorë me qëllimin e sigurimit të shërbimeve sociale dhe të qendrave të kujdesit.

    9.3 Fëmijët e sëmurë, të paaftë dhe fëmijët me probleme psikologjike, të miturat shtatzëna etj., do të marrin kujdes të veçantë në varësi të nevojave të tyre. Palët do të përdorin personel të aftë të komunikojë me fëmijën në gjuhën e kuptueshme prej fëmijës.

    9.4 Çdo fëmijë i vendosur në një qendër të kujdesit do të marrë ose një leje qëndrimi si viktimë e trafikimit të fëmijëve, nëse autoriteti kompetent ka lëshuar një akt karakterizimi si të tillë, ose lejeqëndrimi për arsye humanitare, sipas rastit, në bazë të parashikimeve ligjore të vendit. Kujdestari i caktuar i fëmijës është përgjegjës për aplikimin e lëshimit të lejes nga autoritetet shtetërore përkatëse. Leja e qëndrimit do të jetë në forcë derisa fëmija vjen nën një status tjetër ligjor për shkak të vënies në zbatim të një zgjidhjeje të përhershme.

  • Neni 10 - Caktimi i një kujdestari të përkohshëm
  • 10.1 Pas transferimit të fëmijës në qendrën e kujdesit, Autoriteti Përgjegjës është i detyruar të kërkojë që fëmija të vendoset nën kujdestari, në përputhje me legjislacionin përkatës të vendit. Kujdestari i përkohshëm do të shoqërojë fëmijën dhe do të mbrojë interesat e fëmijës deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme, ashtu siç parashikohet në nenin 12-16. Kujdestaria mund t’i besohet Autoritetit Përgjegjës, qendrës së kujdesit ku është vendosur fëmija dhe/ose organizatave e institucioneve që njihen për kujdesin e fëmijëve. Numri i fëmijëve të vendosur në kujdestari duhet të jetë brenda kufijve mbikëqyrës të njësisë së cilës i caktohet kujdestaria. Personat, të cilëve do t’u besohet kujdestaria e fëmijës, duhet të jenë të trajnuar dhe me eksperiencë në çështjet e kujdesit për fëmijët dhe për viktimat fëmijë.
    Përveç kësaj, ata duhet të jenë në gjendje të komunikojnë në një gjuhë të kuptueshme për fëmijën. Në rast se kujdestaria nuk i është besuar Autoritetit Përgjegjës, ky Autoritet do të nxjerrë rregulla dhe do të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme ushtrimin e kujdestarisë.

    10.2 Në përputhje me legjislacionin e Palëve Kontraktuese, kujdestari i përkohshëm do të ketë ndër të tjera, detyrat e mëposhtme:

    a) Ai/ajo do të garantojë që të gjitha veprimet do të mbrojnë interesat e fëmijës.

    b) Ai/ajo do të informojë vazhdimisht fëmijën për procedurat, lidhur me gjendjen aktuale të fëmijës dhe mundësitë për të ardhmen, në mënyrë që të vlerësohen rreziqet e sigurisë për të marrë një vendim të vlefshëm lidhur me të ardhmen e fëmijës.

    c) Ai/ajo do të asistojë në procesin e gjetjes së familjes së fëmijës ose personit që ka kujdestarinë e fëmijës në vendin e origjinës.

    d) Ai/ajo do të punojë si një ndërlidhës mes fëmijës dhe organizatave dhe shërbimeve të përfshira në proces dhe të ngarkuara për t’iu përgjigjur nevojave të fëmijës.

    e) Ai/ajo do të garantojë, në rast riatdhesimi, përgatitjen e duhur të kthimit të fëmijës, përgatitjen e familjes dhe të fëmijës, kthimin e sigurt dhe respektimin e interesave të fëmijës.

    f) Ai/ajo do të garantojë konfidencialitetin e informacionit të marrë gjatë ushtrimit të kujdestarisë. Në këtë kuadër, kujdestari i përkohshëm ka të drejtën e përjashtimit nga detyrimi për të dëshmuar në gjykatë, nëse kështu është në të mirën e fëmijës.

  • Neni 11 - Vlerësimi i individualizuar i rasteve
  • 11.1 Rastet e trafikimit të fëmijëve do të hetohen nga shërbimet policore kompetente të Ministrisë së Brendshme për Republikën e Shqipërisë dhe Ministrisë së Rendit Publik të Republikës Greke, siç parashikohet në nenin 3.1 këtu. Gjatë hetimit, fëmija do të pyetet vetëm kur është e domosdoshme dhe do të bëhen përpjekje që intervista të tilla të minimizohen. Intervista do të bëhet vetëm me lejen e marrë paraprakisht nga personi që ka kujdestarinë e fëmijës, person i cili duhet të jetë i pranishëm gjatë intervistës dhe mund ta ndërpresë atë kur ai mendon se intervista dëmton mirëqenien e fëmijës. Intervistuesi duhet të përpiqet të shmangë ushtrimin e presionit psikologjik dhe shkaktimin e traumave psikologjike te fëmija gjatë intervistës.

  • Neni 12 - Gjetja e një zgjidhjeje të përhershme
  • 12.1 Palët Kontraktuese duhet të përdorin masën e riatdhesimit të sigurt të fëmijës në rast se kjo kërkohet. Autoritetet Përgjegjëse të të dy vendeve do të studiojnë në bashkëpunim të ngushtë, çdo rast të trafikimit të fëmijëve dhe do të vendosin për një zgjidhje të përhershme që do të garantojë interesat e fëmijës.

    12.2 Autoriteti Përgjegjës, duke konsideruar riintegrimin në familje si prioritet dhe bazuar vetëm në interesin më të lartë të fëmijës, mund të vendosin si zgjidhje të përhershme riatdhesimin e sigurt, integrimin e fëmijës në vendin pritës ose transferimin e fëmijës në një vend të tretë.

    12.3 Në marrjen e këtij vendimi Autoritetet Përgjegjëse do të konsultojnë fëmijën dhe do të marrin parasysh vullnetin e fëmijës në përputhje me moshën dhe pjekurinë e fëmijës.

    12.4 Në vendimmarrjen e tyre, Autoritetet Përgjegjëse të Palëve Kontraktuese do të marrin në konsideratë të gjitha rrethanat e rastit dhe në veçanti rezultatet e vlerësimit të rrezikut, të kryer nën përgjegjësinë e përbashkët të Palëve Kontraktuese.

  • Neni 13 - Vënia në zbatim e zgjidhjes së përhershme
  • 13.1 Autoritetet Përgjegjëse të Palëve Kontraktuese do të përpunojnë procedura të përbashkëta për realizimin e një shkëmbimi të shpejtë informacioni lidhur me rastet e trafikimit të fëmijëve, të cilat do të përfshijnë procedura për pjesëmarrjen e ministrive përkatëse, ambasadave dhe/ose konsullatave.

    13.2 Nëse nuk zgjidhet opsioni i bashkimit familjar dhe/ose riatdhesimi i fëmijës, kujdestari i përkohshëm do të mbetet përgjegjës për viktimën fëmijë, deri në caktimin e një përfaqësuesi ligjor/kujdestar i fëmijës nga gjykata.

  • Neni 14 - Riatdhesimi i sigurt
  • 14.1 Kthimi i fëmijës do të kryhet nëpërmjet një procedure vullnetare, legjitime, të asistuar, të mirëpërgatitur, të sigurt në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës. Procedurat për transportin e fëmijës do të përshkruhen në një protokoll shtesë të kësaj Marrëveshjeje. Gjatë riatdhesimit të sigurt të fëmijës, Autoritetet Përgjegjëse mund të bashkëpunojnë me organizata ndërkombëtare dhe organizata joqeveritare të përfshira në aktivitete të mbrojtjes së fëmijës.

    14.2 Autoriteti Përgjegjës i vendit të origjinës do të përpunojë dhe vërë në jetë projekte të posaçme me qëllim riintegrimin e fëmijës në vendin e origjinës. Projekte të tilla do të mbulojnë mbrojtjen, mbështetjen psikologjike dhe mjekësore, riintegrimin në sistemin arsimor, dhënien e këshillimit ligjor dhe përfaqësimin, si dhe çdo formë tjetër të ndihmës siç e kërkon legjislacioni mbi mbrojtjen e fëmijëve në vendin e origjinës. Për këtë qëllim, ato do të bashkëveprojnë ngushtësisht me organizatat ndërkombëtare, institucionet joshtetërore dhe organizatat joqeveritare.

    14.3 Autoriteti Përgjegjës i vendit të origjinës do të vlerësojë mirëqenien e viktimës fëmijë dhe do të monitorojë jetën e saj/e tij pas bashkimit me familjen dhe pas vendosjes së fëmijës në një kujdes alternativ në vendin e origjinës dhe do të paraqesë një raport dyvjetor tek Autoriteti Përgjegjës i vendit pritës, derisa fëmija të mbushë 18 vjeç. Autoriteti Përgjegjës i vendit pritës në bashkëpunim me organizatat joqeveritare të përfshira në aktivitete të mbrojtjes së fëmijëve dhe me aktorët joshtetërorë, mund të vlerësojnë situatën nëpërmjet vizitave në vend, pas njoftimit të Autoritetit Përgjegjës të vendit të origjinës.
    Në rastin kur është përcaktuar me siguri se kushtet e jetesës së viktimës fëmijë mbartin rrezikun e rishfrytëzimit, do të hartohet një raport dhe të dyja palët do të konsultohen në mënyrë që ta zgjidhin menjëherë çështjen.

    14.4 Në rastin, kur fëmija ndesh probleme me prindin/prindërit apo kujdestarin pas kthimit të saj/të tij, Autoriteti Përgjegjës i vendit të origjinës:

    a) do të mbrojë interesat e fëmijës derisa fëmija të mbushë 18 vjeç, të drejtat e fëmijës dhe shërbimet e ndryshme në dispozicion të fëmijës, në përputhje me të drejtën për informim;

    b) do të sigurojë që fëmija të marrë kujdesin e nevojshëm që do të përfshijë, në çdo rast akomodimin, ushqimin, mbështetjen psikologjike dhe mjekësore, si dhe arsimimin në një gjuhë të kuptueshme nga fëmija.
    Ky kujdes nuk duhet të jetë më i ulët se ai që Palët Kontraktuese u japin fëmijëve të nacionalitetit të tyre, në përputhje kjo me parimin e mosdiskriminimit;

    c) do të ndjekë intervistat e fëmijës me autoritetet policore dhe do të garantojë që intervistat të bëhen në përputhje me principet e përgjithshme të vendosura nga kjo Marrëveshje, si edhe nga ligji i vendit dhe ai ndërkombëtar;

    d) do t’i garantojë fëmijës mundësinë për një mbështetje dhe përfaqësim ligjor të përshtatshëm, në përputhje me interesat më të larta të fëmijës;

    e) do të konsultohet me fëmijën dhe do të marrë në konsideratë mendimet e tij, në varësi të moshës dhe shkallës së pjekurisë, dhe në përputhje me parimin e respektimit të perspektivës së fëmijës;

    f) do të luajë një rol aktiv në gjetjen e zgjidhjeve më të mira të mundshme që do të garantojnë interesat e fëmijës.

  • Neni 15 - Integrimi
  • 15.1 Në rast se vendoset që fëmija do të integrohet në vendin pritës, Autoriteti Përgjegjës do të përpiqet të garantojë integrimin e plotë të fëmijës në vendin pritës. Në këtë kuadër, integrimi i fëmijës në familje ose ambient komunitar është më i preferueshëm se vendosja në institucione.

    15.2 Një fëmijë, i cili është subjekt i legjislacionit për kujdestarinë, mund të birësohet. Në rast se fëmija ka probleme me kujdestarin/familjen kujdestare, Autoriti Përgjegjës do të mbrojë interesat e fëmijës deri në moshën 18 vjeç.

    15.3 Palët Kontraktuese bien dakord të miratojnë, kur është e nevojshme, legjislacionin që do të dënojë organizimin e birësimit të fëmijëve në shkelje me legjislacionin e vendit për birësimin, me sanksione që zbatohen për trafikimin e fëmijëve.

    15.4 Palët Kontraktuese bien dakord të miratojnë, kur është e nevojshme, legjislacionin që do të dënojë organizimin e birësimit të fëmijëve në shkelje me legjislacionin e vendit për birësimin, me sanksione që zbatohen për trafikimin e fëmijëve.

  • Neni 16 - Rivendosja e fëmijës në një vend të tretë
  • 16.1 Autoriteti Përgjegjës i vendit pritës mund të vendosë transferimin e fëmijës në një vend të tretë, në rast se në këtë vend sigurohet kujdestaria ligjore dhe një program integrimi, në përputhje me interesat më të larta të fëmijës, të drejtën e fëmijës për informim dhe duke marrë parasysh mendimin e saj/e tij për vendosjen në një vend të tretë.

    16.2 Autoriteti Përgjegjës i vendit pritës do të organizojë shoqërimin e fëmijës deri te pika hyrëse e vendit të tretë, në përputhje me rregullat e transportit të protokollit shtesë të kësaj Marrëveshjeje.

    16.3 Autoriteti Përgjegjës i vendit pritës do të monitorojë vendosjen dhe integrimin e fëmijës në vendin e tretë dhe do të bashkëpunojë me autoritetet përkatëse për përgatitjen e raporteve vjetore mbi rastin, derisa fëmija të mbushë 18 vjeç.

  • Neni 17
  • 17.1 Palët Kontraktuese marrin përsipër vënien në zbatim të kësaj Marrëveshjeje nëpërmjet takimeve të përbashkëta vjetore të autoriteteve të përfshira. Organizatat ndërkombëtare, organizatat joqeveritare, dhe aktorët e tjerë joshtetërorë të përfshira në aktivitete për mbrojtjen e fëmijëve mund të ftohen nga Palët Kontraktuese në këto mbledhje. Për mbledhjet (datat, rendin e ditës etj.) Palët Kontraktuese do të bien dakord nëpërmjet kanaleve diplomatike.

  • Neni 18
  • 18.1 Çdo mosmarrëveshje që mund të dalë në lidhje me interpretimin dhe/ose zbatimin e kësaj Marrëveshjeje do të zgjidhet në mënyrë miqësore nëpërmjet konsultimeve dhe/ose negociatave.

  • Neni 19 - Rishikimi dhe/ose ndryshimi i kësaj Marrëveshjeje
  • 19.1 Kjo Marrëveshje mund të rishikohet ose të ndryshohet në çdo kohë me aprovim dypalësh me shkrim. Të tilla rishikime apo ndryshime do të hyjnë në fuqi, në datën e caktuar nga palët, dhe do të jenë pjesë integrale e kësaj Marrëveshjeje.

  • Neni 20 - Dispozita finale
  • 20.1 Kjo Marrëveshje do të hyjë në fuqi 30 ditë pas njoftimit të dytë me shkrim nga Palët Kontraktuese, në të cilën ato do të shpallin përfundimin e procedurave përkatëse ligjore ndërkombëtare.

    20.2 Kjo Marrëveshje do të qëndrojë në fuqi për një kohë të pacaktuar.

    20.3 Palët Kontraktuese mund ta denoncojnë këtë Marrëveshje nëpërmjet njoftimit me shkrim përmes kanaleve diplomatike.
    Denoncimi do të jetë efektiv një muaj pas ditës së marrjes së njoftimit.

    Nënshkruar në Tiranë, më 27 shkurt 2006, në dy kopje origjinale, në shqip, greqisht dhe anglisht, të gjitha tekstet njëlloj të njëjta. Në rast ndryshimi në interpretimin e kësaj Marrëveshjeje, do të merret për bazë teksti anglisht.

    PËR KËSHILLIN E MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
    Iva Zajmi

    PËR QEVERINË E REPUBLIKËS GREKE
    Evripidis Styliandis