Neni 9 - Referimi i një viktime fëmijë, te autoritetet kompetente

9.1 Autoritetet Përgjegjëse, në bashkëpunim me prokurorin publik për fëmijët, organizatat ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare të përfshira në aktivitete për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe aktorë të tjerë joshtetërorë, do të kërkojnë në mënyrë aktive identifikimin e viktimës fëmijë dhe, në bashkëpunim me shërbimin e policisë përkatëse, do të organizojnë transferimin sa më të shpejtë të fëmijës në një qendër të kujdesit. Qendrat e kujdesit duhet të jenë të mbrojtura, të sigurta dhe të përshtatshme për moshën dhe nevojat e fëmijës. Në çdo rast, palët garantojnë që qendrat do t’i ofrojnë fëmijës mbrojtje, ushqim, aktivitete zbavitëse. Për këtë qëllim, grupi qendror koordinues dhe Autoriteti Përgjegjës i secilës Palë Kontraktuese mund të përfundojnë marrëveshje, direktiva dhe memorandume mirëkuptimi me organizata ndërkombëtare dhe joqeveritare të përfshira në aktivitete për mbrojtjen e fëmijëve, si edhe me aktorë joshtetërorë me qëllimin e sigurimit të shërbimeve sociale dhe të qendrave të kujdesit.

9.3 Fëmijët e sëmurë, të paaftë dhe fëmijët me probleme psikologjike, të miturat shtatzëna etj., do të marrin kujdes të veçantë në varësi të nevojave të tyre. Palët do të përdorin personel të aftë të komunikojë me fëmijën në gjuhën e kuptueshme prej fëmijës.

9.4 Çdo fëmijë i vendosur në një qendër të kujdesit do të marrë ose një leje qëndrimi si viktimë e trafikimit të fëmijëve, nëse autoriteti kompetent ka lëshuar një akt karakterizimi si të tillë, ose lejeqëndrimi për arsye humanitare, sipas rastit, në bazë të parashikimeve ligjore të vendit. Kujdestari i caktuar i fëmijës është përgjegjës për aplikimin e lëshimit të lejes nga autoritetet shtetërore përkatëse. Leja e qëndrimit do të jetë në forcë derisa fëmija vjen nën një status tjetër ligjor për shkak të vënies në zbatim të një zgjidhjeje të përhershme.