KREU I - DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 1 - Qëllimi
  • Ky ligj ka për qëllim:

    1. Parandalimin dhe reduktimin e dhunës në familje në të gjitha format e saj, me anë të masave të përshtatshme ligjore.

    2. Garantimin e mbrojtjes me masa ligjore të pjesëtarëve të familjes, të cilët janë viktima të dhunës në familje, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar.

  • Neni 2 - Objekti
  • Ky ligj ka si objekt:

    a) krijimin e një rrjeti të koordinuar institucionesh përgjegjëse për mbrojtjen, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave, lehtësimin e pasojave dhe parandalimin e dhunës në familje;

    b) orientimin e punës për krijimin e strukturave dhe organeve përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor për mbështetjen e viktimave dhe parandalimin e dhunës në familje;

    c) fuqizimin e gjyqësorit për marrjen e masave të mbrojtjes ndaj dhunës në familje;

    ç) sigurimin/garantimin për viktimat e dhunës në familje të shërbimit të shpejtë, të pakushtueshëm dhe të thjeshtë në përputhje me ligjin, pranë gjykatës apo organeve të tjera kompetente për zbatimin e ligjit.

  • Neni 3 - Përkufizime
  • Në kuptim të këtij ligji, përveçse kur parashikohet shprehimisht ndryshe në dispozita të veçanta të tij, me termat e mëposhtëm kuptojmë:

    1. “Dhunë” është çdo veprim apo mosveprim i një personi ndaj një personi tjetër, që sjell si pasojë cenim të integritetit fizik, moral, psikologjik, seksual, social, ekonomik.

    2. “Dhunë në familje” është çdo akt dhune, sipas pikës 1 të këtij neni, i ushtruar midis personave që janë apo kanë qenë në marrëdhënie familjare.

    3. “Pjesëtarë të familjes” janë:
    a) bashkëshorti/ja ose bashkëjetuesi/ja apo ish–bashkëshorti/ja apo ish partneri/ja bashkëjetues;
    b) vëllezërit, motrat, gjinia në vijë të drejtë, përfshirë prindërit adoptues dhe fëmijët e adoptuar;
    c) bashkëshorti/ja ose bashkëjetuesi/ja i personave të parashikuar në shkronjën “b”;
    ç) gjinia në vijë të drejtë, përfshirë edhe prindërit, edhe fëmijët e adoptuar të bashkëshortit/es ose bashkëjetuesit/es;
    d) vëllezërit dhe motrat e bashkëshortit/es nëse kanë bashkëjetuar gjatë 3 muajve të fundit;
    dh) fëmijët e bashkëshortëve apo partnerëve bashkëjetues.

    4. “Viktimë” është personi mbi të cilin është ushtruar dhuna e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.

    5. “Dhunues/e” është personi i paditur për ushtrimin e dhunës në marrëdhëniet familjare përpara organeve kompetente.

    6. “Urdhër mbrojtjeje” është urdhri i lëshuar me vendim gjykate, ku parashikohen masat mbrojtëse për viktimën.

    7. “Urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje” është urdhri i lëshuar përkohësisht me vendim gjykate, i vlefshëm deri në lëshimin e urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate.

  • Neni 4 - Subjektet
  • Subjektet që mbrohen nga ky ligj janë të gjithë personat e cilësuar në nenin 3 pika 3 të këtij ligji.