strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU II - ORGANET PËRGJEGJËSE

  • Neni 5 - Autoritetet përgjegjëse
  • 1. Autoriteti kryesor përgjegjës për zbatimin e këtij ligji është Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

    2. Autoritete të tjera përgjegjëse të linjës janë:
    a) njësitë e qeverisjes vendore;
    b) Ministria e Brendshme;
    c) Ministria e Shëndetësisë;
    ç) Ministria e Drejtësisë.

  • Neni 6 - Detyrat e autoritetit kryesor përgjegjës
  • Autoriteti kryesor përgjegjës ka këto detyra:

    a) hartimin dhe zbatimin e strategjive dhe programeve kombëtare në fushën e mbrojtjes dhe kujdesit ndaj viktimave të dhunës në marrëdhëniet familjare;

    b) financimin ose bashkëfinancimin e projekteve, të cilat kanë për qëllim mbrojtjen dhe konsolidimin e familjes, si dhe kujdesin ndaj viktimave të dhunës në marrëdhëniet familjare;

    c) mbështetjen në ngritjen e strukturave ndihmëse, si dhe të gjithë infrastrukturës së nevojshme, që shërben për një mbështetje dhe plotësim të të gjitha nevojave për personat e dhunuar në marrëdhëniet familjare, përfshi këtu asistencë financiare, si dhe shërbime mjekësore dhe sociale, sipas legjislacionit në fuqi;

    ç) organizimin e kurseve të trajnimit rreth dhunës në familje me punonjësit e shërbimeve sociale, që janë të atashuar pranë çdo njësie vendore, strukturat e Policisë së Rendit dhe me punonjësit e OJF-ve të licencuara për ofrimin e shërbimeve sociale;

    d) mbajtjen e të dhënave statistikore për nivelin e dhunës në familje;

    dh) mbështetjen dhe mbikëqyrjen e krijimit të qendrave të rehabilitimit për viktimat e dhunës në familje;

    e) mbështetjen dhe mbikëqyrjen e krijimit të qendrave të rehabilitimit për shkaktarët e dhunës në marrëdhëniet familjare;

    ë) licencimin e OJF-ve të ndryshme që do të ofrojnë shërbime sociale për viktimat dhe dhunuesit.

  • Neni 7 - Detyrat e autoriteteve përgjegjëse të linjës
  • 1. Ministria e Brendshme ka këto detyra:
    a) krijimin e sektorëve të veçantë për parandalimin dhe luftën kundër dhunës në familje pranë drejtorive të policisë;
    b) trajnimin e efektivave e policisë që do të trajtojnë rastet e dhunës në familje.

    2. Ministria e Shëndetësisë ka për detyrë të krijojë kapacitetet e duhura për të ofruar ndihmë mjekësore për dhunën në familje në shërbimet e urgjencës dhe në qendrat shëndetësore në bashki dhe komuna:
    a) për të ofruar në çdo kohë ndihmë mjekësore dhe psikologjike për viktimat e dhunës në familje;
    b) për të bërë në çdo kohë ekzaminimet e nevojshme në institucionet shëndetësore publike përkatëse;
    c) për të evidentuar rastet e dhunës në familje në dokumentacionin përkatës mjekësor të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë;
    ç) për të pajisur edhe viktimën me raportin mjekësor përkatës;
    d) për të referuar dhe orientuar viktimën pranë shërbimeve të tjera të mbështetjes dhe mbrojtjes nga dhuna në familje.

    3. Ministria e Drejtësisë ka këto detyra:
    a) të trajnojë ekspertët mjeko-ligjorë në njohjen, diagnostikimin, vlerësimin dhe raportimin e dhunës në familje dhe akteve të dhunës ndaj fëmijëve;
    b) të trajnojë përmbaruesit në detyrën e tyre për të ekzekutuar urdhrat e mbrojtjes në mënyrë të menjëhershme, të sigurojë përmbushjen e tyre në përputhje me nenin 23 pika 6, si dhe për të ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura;
    c) të financojë mbrojtje ligjore falas, sipas parashikimeve në ligj dhe të sigurojë një numër të caktuar avokatësh të trajnuar, që mund të japin një asistencë të tillë.

    4. Njësitë e qeverisjes vendore (bashkitë, komunat ) kanë këto detyra:
    a) angazhimin në krijimin e strukturave të shërbimit social për rastet e dhunës në familje;
    b) instalimin e një linje telefonike rajonale 24-orëshe, e cila më pas krijon lidhje me njësitë lokale, policinë, urgjencat mjekësore dhe OJF-të, duke vendosur në këtë mënyrë edhe koordinimin mes tyre;
    c) ngritjen e qendrave sociale dhe të rehabilitimit për viktimat dhe dhunuesit, si dhe koordinimin e punës me ato ekzistuese, duke u dhënë përparësi qendrave të specializuara në fushat përkatëse.

  • Neni 8 - Përgjegjësitë e autoriteteve përgjegjëse
  • 1. Autoritetet përgjegjëse kanë për detyrë krijimin e strukturave të posaçme dhe caktimin e personave përgjegjës për zbatimin e këtij ligji. Përmbushja e këtij detyrimi mbikëqyret nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

    2. Autoritetet përgjegjëse kanë detyrimin t’i përgjigjen çdo njoftimi të bërë nga viktima apo personat e tjerë të treguar në këtë ligj, në rastet e dhunës apo kërcënimit për dhunë ose dhe në rastet e shkeljes së urdhrit të mbrojtjes apo urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Ato mbajnë raportin përkatës dhe një kopje ia dorëzojnë viktimës ose shoqëruesit të saj.

    3. Autoritetet përgjegjëse përdorin mjetet e arsyeshme për të mbrojtur viktimën dhe për të parandaluar vazhdimin e dhunës me anë të:
    a) informimit të viktimës apo shoqëruesit të saj për masat që do të merren sipas ligjit në fuqi dhe për institucionet të cilave duhet t’u drejtohet;
    b) informimit të viktimës apo shoqëruesit të saj në lidhje me shërbimet sociale ekzistuese dhe shoqërimit në qendrat dhe institucionet përkatëse;
    c) sigurimit të transportit për viktimën dhe shoqëruesin e saj në qendra shërbimesh mjekësore apo sociale;
    ç) vënies në dispozicion të një punonjësi të policisë në rastet e rrezikut për jetën.

    4. Nëse ekziston dyshimi se dhunuesi ka kërcënuar ose ka ushtruar dhunë në familje apo ka thyer urdhrat e mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, organet e policisë do të bëjnë konstatimet e menjëhershme.

    5. Personat të cilët marrin dijeni për shkak të detyrës apo autoritetit të ngarkuar për zbatimin e këtij ligji dhe nuk veprojnë në zbatim të tij, ngarkohen me përgjegjësi administrative dhe/ose penale, duke zbatuar sanksione të përcaktuara në nenet 248 dhe 251 të Kodit Penal.

    6. Organet e policisë kanë për detyrë të regjistrojnë konstatimet përkatëse në një raport të shkruar, si dhe të fillojnë hetimet kryesisht. Viktima vihet në dijeni nga policia për numrin përkatës të rastit të raportuar.

  • Neni 9 - Subjektet që mund të vënë në dijeni organet përgjegjëse
  • 1. Në rast të dhunës në familje, viktima mund t’i drejtohet me anë të një kërkese postës së policisë më të afërt (të zonës ku banon ose ndodhet), njësisë përkatëse vendore (komunë, bashki), qendrës shëndetësore të zonës ku banon apo ndodhet ose me kërkesë-padi gjykatës së rrethit të vendbanimit, vendndodhjes së saj ose të dhunuesit/es, për të marrë masat e nevojshme.

    2. Çdo person që konstaton një rast të ushtrimit të dhunës në familje mund t’u drejtohet me anë të një kërkese autoriteteve të mësipërme për të ndërmarrë masat e nevojshme.