strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU IV - GJYKIMI PËR LËSHIMIN E URDHRIT TË MBROJTJES

  • Neni 12 - Organi kompetent për lëshimin e urdhrave mbrojtës në rastin e dhunës në familje
  • 1. Organi kompetent për lëshimin e urdhrave mbrojtës në rastin e dhunës në familje është gjykata e rrethit gjyqësor, seksioni familjar. Për të vendosur sigurimin e masave mbrojtëse të përmendura në nenin 10 të këtij ligji, gjykata lëshon urdhra mbrojtjeje dhe urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje.

    2. Pala e interesuar mund t’i kërkojë gjykatës, sipas rastit, konform dispozitave të këtij ligji, lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, pa kërkuar paraprakisht nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

    3. Pasi gjykata të ketë lëshuar një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, pala e interesuar mund të kërkojë lëshimin e një urdhri mbrojtës, siç parashikohet në këtë ligj. Urdhri mbrojtës përkatës shërben për të rikonfirmuar vazhdimësinë e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, si dhe siguron masat mbrojtëse të përcaktuara në nenin 10 të këtij ligji.

  • Neni 13 - Subjektet që kanë të drejtën për të kërkuar urdhrin e mbrojtjes
  • 1. Kërkesën për urdhër mbrojtjeje mund ta paraqesin:
    a) vetë viktima;
    b) përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës;
    c) policia / prokuroria.

    2. Kërkesën për urdhër mbrojtjeje të një të mituri mund ta paraqesin:
    a) prindi ose kujdestari i të miturit;
    b) përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës;
    c) të afërmit;
    ç) përfaqësuesit e zyrës së shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës, ku ka banimin e përhershëm apo të përkohshëm viktima, që kanë dijeni për ushtrimin e dhunës;
    d) qendrat dhe shërbimet për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje, të njohura/licencuara nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

    3. Kërkesën për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje mund ta paraqesin:
    a) vetë viktima;
    b) përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës;
    c) policia/prokuroria;
    ç) personi me të cilin viktima ka marrëdhënie familjare;
    d) përfaqësuesit e zyrës së shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës, ku ka banimin e përhershëm apo të përkohshëm viktima, që kanë dijeni për ushtrimin e dhunës;
    dh) qendrat dhe shërbimet për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje, të njohura/licencuara nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

    4. Në rastin kur kërkesa është paraqitur nga policia/prokuroria, tërheqja e viktimës nga procesi nuk sjell si pasojë mosgjykimin e çështjes së filluar.

  • Neni 14 - Forma e kërkesë-padisë
  • 1. Kërkesë-padia për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes dhe urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes duhet të përmbajë edhe:
    a) të dhëna personale rreth familjes ose marrëdhënieve farefisnore mes viktimës dhe dhunuesit;
    b) përshkrimin e qartë të fakteve dhe rrethanave, në të cilat ka ndodhur akti i dhunës në familje, duke përfshirë arsyet që sqarojnë cenimin e sigurisë, të shëndetit apo të mirëqenies së viktimës nga i/e padituri/a (dhunuesi/ja) të parashikuara në nenin 3 pikat 1 dhe 2 të këtij ligji;
    c) masat mbrojtëse të posaçme që kërkohen;
    ç ) nënshkrimin e kërkuesit.

    2. Kërkesë-padia për urdhër mbrojtjeje mund të paraqitet në çdo kohë para gjykatës nga ana e personave që legjitimohen për ta kërkuar atë. Në rastet kur kërkohet ndihmë e menjëhershme, kërkesa mund të plotësohet dhe të paraqitet pranë komisariatit më të afërt të policisë dhe punonjësi i policisë vepron në përputhje me ligjin “Për Policinë e Shtetit”.

    3. Për hartimin e kërkesë-padisë, përgatitjen e akteve dhe paraqitjen e tyre në gjykatë kërkuesi asistohet nga një avokat falas.

    4. Kërkuesi shkarkohet nga taksat e gjykatës. Me daljen e urdhrit të mbrojtjes, shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës që ka ushtruar dhunë në familje. Në rast të kundërt, shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.

    5. Kërkesë-padia regjistrohet në një regjistër të veçantë dhe protokollohet ditën e dorëzimit të saj.

  • Neni 15 - Provat në procesin gjyqësor
  • 1. Provat që duhet t’i paraqiten gjykatës mund të jenë: dëshmi, raporte të policisë, raport mjekësor, akt-ekspertimi, ekzaminime dhe shpjegime/pohime të palëve, dokumente të tjera të lëshuara nga punonjësit e zyrës së shërbimeve sociale pranë njësive vendore, dokumente të lëshuara nga persona juridikë (OJF), të regjistruara sipas dispozitave në fuqi.

    2. Kur nga të dhënat e kërkesës bëhet e qartë se komisariatet e policisë, organet e pushtetit vendor apo qendrat shëndetësore kanë prova shkresore lidhur me ushtrimin e dhunës në familje, ato lëshojnë menjëherë një kopje të certifikuar (kopje me vulë) për këtë në bazë të kërkesës së paraqitur nga kërkuesi ose të vetë gjykatës. Në rast të moslëshimit të dokumentit të mësipërm, personat përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi ligjore, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Administrative.

    3. Kur nuk disponon të gjitha provat e parashikuara në pikën 2 të këtij neni, gjykata lëshon me vendim urdhrin e mbrojtjes, bazuar vetëm në përshkrimin e rrethanave dhe fakteve në të cilat është kryer dhuna në familje, duke u bazuar në bindjen e vet.

  • Neni 16 - Gjykimi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes
  • 1. Gjykata vendos shqyrtimin e kërkesës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes brenda 15 ditëve pas pranimit të kërkesës.

    2. Gjatë shqyrtimit të kërkesës për urdhër mbrojtjeje, gjykata dëgjon me radhë personat në vijim:
    a) viktimën, përfaqësuesin ligjor apo avokatin e saj;
    b) të paditurin/ën (dhunuesin/en), përfaqësuesin ligjor apo avokatin e tij/saj;
    c) prokurorin, nëse ky ka paraqitur kërkesën;
    ç ) përfaqësuesit e policisë;
    d) përfaqësuesit e zyrës së shërbimeve sociale pranë njësisë në të cilën jeton përherë ose përkohësisht personi i përmendur, kur kërkuesi është nën 18 vjeç, nuk ka zotësi për të vepruar apo dhuna e ushtruar në familje ka ndikim mbi personat e lartpërmendur;
    dh) punonjësit e qendrave shëndetësore apo të qendrave të shërbimit dhe rehabilitimit, të cilët kanë asistuar viktimën pas ushtrimit të dhunës mbi të;
    e) dëshmitarët, të cilët gjykata i konsideron të domosdoshëm.

    3. Në rastin kur kërkesa është paraqitur nga policia/prokuroria, tërheqja e viktimës nga procesi nuk sjell si pasojë mosgjykimin e çështjes së filluar.

  • Neni 17 - Vendimi i gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes
  • 1. Gjykata mund të lëshojë me vendim një urdhër mbrojtjeje vetëm ndaj dhunuesit të përmendur në kërkesë-padi. Ky vendim përmban vetëm masat mbrojtëse që përshkruhen në nenin 10 të këtij ligji. Gjykata lëshon me vendim urdhrin e mbrojtjes duke caktuar një ose më shumë prej masave të përcaktuara në nenin 10 të këtij ligji, nëse vërteton se:
    a) ekzistojnë dyshime të arsyeshme për të besuar se dhunuesi përbën rrezik për kryerjen e ndonjë akti të dhunës në familje;
    b) lëshimi i urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate është i nevojshëm për të mbrojtur sigurinë, shëndetin, mirëqenien e viktimës/ave, urdhër në të cilin, përveç kërkuesit, gjykata çmon se mund të përfshihen edhe persona të tjerë, me të cilët kërkuesi ka lidhje familjare ose intime, që mund të bëhen shkak për ushtrimin e dhunës ndaj këtyre të fundit.

    2. Gjykata nuk mund të refuzojë lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për shkak të një procesi tjetër gjyqësor , ku përfshihet njëra prej palëve.

    3. Vendimi përfundimtar i gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, i cili, përveçse përmbush kërkesat e nenit 310 të Kodit të Procedurës Civile, përmban:
    a) masën e caktuar nga gjykata;
    b) kohëzgjatjen e masës, e cila nuk mund të jetë më e gjatë se 12 muaj, por me të drejtë shtyrjeje;
    c) njoftimin se shkelja e urdhrit të mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, përbën vepër penale në kuptim të nenit 320 të Kodit Penal;
    ç) njoftimin për të drejtën e ankimit ndaj urdhrit të mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, brenda 15 ditëve nga shpallja apo marrja dijeni e tij.

    4. Urdhri i mbrojtjes, i lëshuar me vendim gjykate, i njoftohet menjëherë dhunuesit, i cili nuk ka qenë i pranishëm gjatë seancës gjyqësore, sipas nenit 316 të Kodit të Procedurës Civile. Viktima duhet të pajiset nga gjykata me dy kopje të vendimit origjinal, në mënyrë që njërën prej tyre ta mbajë për vete dhe tjetrën ta vërë në dispozicion të policisë në momentin që paraqitet nevoja.

    5. Gjykata, brenda 24 orëve pas lëshimit të urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate, u dërgon nga një kopje të tij personave në vijim:
    a) viktimës dhe personave të tjerë të shënuar në vendim;
    b) prokurorit, nëse ka bërë kërkesë;
    c) zyrës së shërbimeve sociale të njësive vendore, ku janë me banim të përhershëm apo të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim;
    ç) komisariatit të policisë në rajonin ku janë me banim të përhershëm apo të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim.

  • Neni 18 - Gjykimi për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes
  • 1. Gjykata vendos në lidhje me kërkesën për mbrojtje të menjëhershme brenda 48 orëve pas parashtrimit të kërkesës.

    2. Në rastin e shqyrtimit të kërkesës për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, gjykata mban një seancë ku dëgjohen personat në vijim:
    a) viktima, përfaqësuesi ligjor apo avokati i saj;
    b) dhunuesi/ja, përfaqësuesi apo avokati i tij/saj;
    c) prokurori, nëse merr pjesë;
    ç) kërkuesit e tjerë, të parashikuar në nenin 13 të këtij ligji;
    d) dëshmitarët, të cilët gjykata i konsideron të domosdoshëm.

  • Neni 19 - Vendimi i gjykatës për lëshimin e urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes
  • 1. Gjykata lëshon me vendim urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, duke caktuar një ose më shumë prej masave të përcaktuara në nenin 10 të këtij ligji, nëse konstaton se:
    a) ekzistojnë bazat për të besuar se i/e padituri/a (dhunuesi/ja) ka kryer ose ka kërcënuar se do të kryejë ndonjë vepër të dhunës në familje;
    ose
    b) i/e padituri/a (dhunuesi/ja) paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm për sigurinë, shëndetin ose mirëqenien e viktimës dhe të anëtarëve të tjerë të familjes së viktimës; ose
    c) lëshimi i urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes me vendim gjykate është i nevojshëm për të mbrojtur sigurinë, shëndetin, mirëqenien e viktimës apo të anëtarëve të tjerë të familjes së viktimës, që mbrohen me anë të urdhrit të mbrojtjes.

    2. Gjykata nuk mund të refuzojë lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për shkak të një procesi tjetër gjyqësor, ku përfshihet njëra prej palëve.

    3. Vendimi përfundimtar i gjykatës për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, i cili duhet të plotësojë kërkesat e nenit 310 të Kodit të Procedurës Civile, përmban:
    a) masën e caktuar nga gjykata;
    b) kohëzgjatjen e masës, e cila mbaron në momentin që fillon të zbatohet urdhri i mbrojtjes i vendosur nga gjykata;
    c) njoftimin se shkelja e vendimit të gjykatës për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes përbën vepër penale, në kuptim të nenit 320 të Kodit Penal;
    ç) njoftimin për të drejtën e ankimit kundër vendimit brenda 5 ditëve nga shpallja apo marrja dijeni e tij;
    d) datën e dëgjimit për vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, e cila është brenda 20 ditëve prej lëshimit të tij me vendim gjykate.

    4. Urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes, i lëshuar me vendim gjykate, i njoftohet menjëherë dhunuesit, i cili nuk ka qenë i pranishëm gjatë seancës gjyqësore, sipas nenit 316 të Kodit të Procedurës Civile.
    Viktima duhet të pajiset nga gjykata me dy kopje të vendimit origjinal, në mënyrë që njërën prej tyre ta mbajë për vete dhe tjetrën ta vërë në dispozicion të policisë në momentin që paraqitet nevoja.

    5. Gjykata, brenda 24 orëve pas lëshimit të vendimit, u dërgon nga një kopje të tij personave në vijim:
    a) viktimës dhe personave të tjerë të shënuar në vendim;
    b) kërkuesve në kuptim të nenit 13 të këtij ligji;
    c) zyrës së shërbimeve sociale të njësive vendore, ku janë me banim të përhershëm apo të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim;
    ç) komisariatit të policisë në rajonin ku janë me banim të përhershëm apo të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim.

    6. Vendimi i gjykatës për nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet menjëherë nga zyra e përmbarimit, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile (nenet 510/e, 516/c e vijues).

  • Neni 20 - Gjykimi për vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes
  • Pas përfundimit të seancës gjyqësore për nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, gjykata vazhdon seancën për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes mbi bazën e kërkesës, në zbatim të nenit 16 të këtij ligji. Në përfundim të procesit gjyqësor gjykata:

    a) vendos anulimin, si dhe ndërprerjen e efekteve të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të lëshuar më parë me vendim gjykate, kur ky i fundit nuk arrin të provohet;

    b) refuzon lëshimin e urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate, kur nuk arrin të provohet urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes, i lëshuar më parë me vendim gjykate;

    c) lëshon urdhrin e mbrojtjes me vendim gjykate në bazë të nenit 17 të këtij ligji. Sipas nevojës, ky vendim mund t’i ndryshojë kushtet e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të lëshuar më parë me vendim gjykate.

  • Neni 21 - Ankimi
  • 1. Kundër vendimit përkatës të gjykatës për nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes mund të bëhet ankim i veçantë në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Civile.

    2. Kundër vendimit për vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ose kundër vendimit për nxjerrjen e urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate mund të bëhet ankim brenda afateve dhe rregullave të përcaktuara në dispozitat e Kodit të Procedurës Civile.

    3. Paraqitja e ankimit nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit të gjykatës për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes apo të urdhrit të mbrojtjes.

  • Neni 22 - Rrethanat për ndryshimin, ndërprerjen dhe vazhdimin e urdhrit të mbrojtjes
  • 1. Nëse rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht, viktima (përfaqësuesi i saj), dhunuesi/ja ose prokurori, nëse ka marrë pjesë në proces, mund të paraqesë kërkesë për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit të mbrojtjes.

    2. Pas marrjes së kërkesës për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit të mbrojtjes, gjykata vazhdon shqyrtimin e kërkesës, në bazë të nenit 16 të këtij ligji. Në fund të shqyrtimit gjykata vendos:
    a) lënien në fuqi të urdhrit të mbrojtjes;
    b) ndryshimin e urdhrit të mbrojtjes nëse kjo kërkohet nga rrethanat që kanë ndryshuar rrënjësisht; ose
    c) ndërprerjen e tij, nëse kriteret e përcaktuara në nenin 10 pika1 të këtij ligji nuk vlejnë më, për shkak të ndryshimit rrënjësor të rrethanave.

    3. Parashtrimi i kërkesës për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit të mbrojtjes nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes.

    4. Viktima ose përfaqësuesi i autorizuar prej saj, 15 ditë para përfundimit të efekteve të vendimit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, mund të parashtrojë kërkesën për vazhdimin e tij. Nëse nuk parashtrohet kërkesa, urdhri i mbrojtjes ndërpritet automatikisht në ditën e përfundimit të efekteve të tij.

    5. Pas marrjes së kërkesës për vazhdimin e urdhrit të mbrojtjes, gjykata vazhdon me shqyrtimin e kërkesës, në bazë të nenit 16 të këtij ligji. Në fund të shqyrtimit gjykata vendos:
    a) vërtetimin e ndërprerjes së urdhrit të mbrojtjes në datën e përfundimit të efekteve të tij; ose
    b) vazhdimin e efekteve të vendimit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, nëse vlejnë kriteret e përcaktuara në nenin 17 pika1 të këtij ligji.

  • Neni 23 - Ekzekutimi i vendimit gjyqësor
  • 1. Vendimi gjyqësor, i cili përmban urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, është përfundimtar dhe përbën titull ekzekutiv që në momentin që shpallet (ose u njoftohet palëve). Gjykata lëshon një urdhër ekzekutimi në të njëjtën kohë që lëshon urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes.

    2. Vendimi gjyqësor, që përmban urdhrin e mbrojtjes, përbën titull ekzekutiv pasi të marrë formën e prerë dhe ekzekutohet menjëherë nga përmbaruesit, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, komisariatet e policisë dhe njësitë e qeverisjes vendore (bashki, komuna) apo edhe vetë dhunuesi vullnetarisht. Gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit në të njëjtën kohë që lëshon dhe urdhrin e mbrojtjes.

    3. Punonjësit socialë dhe efektivat e policisë marrin të gjitha masat për ekzekutimin e menjëhershëm dhe të vazhdueshëm të masave mbrojtëse të vendosura konform nenit 10 të këtij ligji.

    4. Institucionet, qendrat rezidenciale, qendrat e shërbimeve, OJFtë e licencuara për ofrim shërbimesh zbatojnë masat e parashikura në vendimin gjyqësor dhe koordinojnë punën e tyre me njësitë e qeverisjes vendore dhe drejtoritë e policisë, si ekzekutuese direkt të këtyre vendimeve.

    5. Ekzekutimi i detyrueshëm i vendimit të gjykatës bëhet nga zyrat e shërbimit përmbarimor, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Civile (nenet 510 e vijues).

    6. Në rast të mosekzekutimit vullnetar nga organet zbatuese të vendimit të gjykatës, siç përshkruhet në pikat 2 dhe 4 të këtij neni, përfshirë dhe të paditurin/ën, të cilëve u komunikohet vendimi, ndiqet ekzekutimi i detyruar në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Civile. Në këto raste, ndaj personave përgjegjës për mosekzekutimin e vendimit të gjykatës zbatohen sanksionet përkatëse të parashikura në nenet 320 e 320/a të Kodit Penal, si edhe sanksionet e parashikuara në nenin 606/3 të Kodit të Procedurës Civile.