Neni 22 - Rrethanat për ndryshimin, ndërprerjen dhe vazhdimin e urdhrit të mbrojtjes

1. Nëse rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht, viktima (përfaqësuesi i saj), dhunuesi/ja ose prokurori, nëse ka marrë pjesë në proces, mund të paraqesë kërkesë për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit të mbrojtjes.

2. Pas marrjes së kërkesës për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit të mbrojtjes, gjykata vazhdon shqyrtimin e kërkesës, në bazë të nenit 16 të këtij ligji. Në fund të shqyrtimit gjykata vendos:
a) lënien në fuqi të urdhrit të mbrojtjes;
b) ndryshimin e urdhrit të mbrojtjes nëse kjo kërkohet nga rrethanat që kanë ndryshuar rrënjësisht; ose
c) ndërprerjen e tij, nëse kriteret e përcaktuara në nenin 10 pika1 të këtij ligji nuk vlejnë më, për shkak të ndryshimit rrënjësor të rrethanave.

3. Parashtrimi i kërkesës për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit të mbrojtjes nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes.

4. Viktima ose përfaqësuesi i autorizuar prej saj, 15 ditë para përfundimit të efekteve të vendimit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, mund të parashtrojë kërkesën për vazhdimin e tij. Nëse nuk parashtrohet kërkesa, urdhri i mbrojtjes ndërpritet automatikisht në ditën e përfundimit të efekteve të tij.

5. Pas marrjes së kërkesës për vazhdimin e urdhrit të mbrojtjes, gjykata vazhdon me shqyrtimin e kërkesës, në bazë të nenit 16 të këtij ligji. Në fund të shqyrtimit gjykata vendos:
a) vërtetimin e ndërprerjes së urdhrit të mbrojtjes në datën e përfundimit të efekteve të tij; ose
b) vazhdimin e efekteve të vendimit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, nëse vlejnë kriteret e përcaktuara në nenin 17 pika1 të këtij ligji.