KREU I - DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 1 - Objekti
  • Ky ligj përcakton procedurat e birësimit, si dhe organizimin, funksionimin e detyrat e Komitetit Shqiptar të Birësimit.

  • Neni 2 - Qëllimi
  • Ky ligj ka për qëllim:

    a) mbrojtjen e fëmijës, nëpërmjet vendosjes së përhershme në një familje birësuese;

    b) marrjen e masave, që birësimet, vendase dhe ndërvendase, të bëhen në interesin më të lartë të fëmijës, i cili është mbizotërues ndaj çdo interesi tjetër;

    c) krijimin e një sistemi bashkëpunimi, brenda dhe jashtë vendit, për marrjen dhe respektimin e masave mbrojtëse, që parandalojnë dështimin e birësimit, rrëmbimin, shitjen ose trafikimin e fëmijëve;

    ç) sigurimin e bashkëpunimit me autoritetet vendore, autoritetet qendrore të vendeve të tjera apo organizatave të miratuara prej tyre, për mbarëvajtjen e periudhës pasbirësuese.

  • Neni 3 - Përkufizime
  • Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

    1. “Birësim” është procedura administrative dhe gjyqësore, nëpërmjet së cilës fëmijës, që i është privuar ose jo mjedisi familjar, i sigurohet një familje alternative, me të drejta dhe detyrime të njëjta me prindërit biologjikë.

    2. “Birësues” është personi/personat që, nëpërmjet birësimit, marrin fëmijë, të privuar ose jo nga mjedisi familjar, duke i trajtuar si fëmijë të lindur prej tyre.

    3. “I birësuar” është fëmija i privuar ose jo nga mjedisi familjar, i cili, nëpërmjet birësimit, vendoset në një familje tjetër, për t’u rritur dhe edukuar nga birësuesit, si të ishte fëmija i tyre biologjik.

    4. “Familje biologjike” janë prindërit, që e kanë lindur fëmijën, të dy së bashku ose një i vetëm, të martuar ose të pamartuar.

    5. “Përshtatshmëri” është aftësia e aplikantit për të qenë birësues, e vlerësuar nga Komiteti Shqiptar i Birësimit.

    6. “Ndërmjetësim” është veprimtaria e agjencive të licencuara për vendosjen e kontakteve ndërmjet aplikantëve birësues dhe organeve kompetente të birësimit.

    7. “Agjenci ndërmjetësuese” janë organizatat jofitimprurëse, vendase dhe të huaja, të licencuara ose të miratuara nga organet kompetente të birësimit.

    8. “Periudhë e provës” është procesi i bashkimit të aplikantit birësues dhe të fëmijës, pas pëlqimit të dhënë nga Komiteti, për një periudhë kohe deri në 3 muaj, gjatë së cilës verifikohet përshtatshmëria e kësaj marrëdhënieje.

    9. “Konventa e Hagës” është konventa nr.33 “Për mbrojtjen e fëmijëve dhe bashkëpunimin për birësimet jashtë vendit”.