Neni 11 - Detyrat e kryetarit të Komitetit

Kryetari i Komitetit drejton veprimtarinë e këshillit drejtues dhe të sekretariatit ekzekutiv dhe ka këto detyra:

a) thërret këshillin drejtues në mbledhje të zakonshme dhe të jashtëzakonshme dhe përcakton rendin e ditës;

b) drejton mbledhjet e këshillit drejtues;

c) nënshkruan vendimet e marra në emër të këshillit drejtues dhe të institucionit që përfaqëson;

ç) vërteton përputhjen e birësimit ndërvendas me dispozitat e konventës;

d) nënshkruan marrëveshje me institucione analoge jashtë vendit, me agjenci vendase dhe të huaja, që ndërmjetësojnë në fushën e birësimit;

dh) raporton për veprimtarinë e sekretariatit ekzekutiv përpara këshillit drejtues dhe për veprimtarinë e Komitetit përpara Ministrit të Drejtësisë;

e) përfaqëson Komitetin në marrëdhënie me institucione të tjera, brenda dhe jashtë vendit;

ë) emëron ose largon nga detyra personelin e sekretariatit ekzekutiv, në përputhje me ligjin për statusin e nëpunësit civil dhe Kodin e Punës.