Neni 13 - Detyrat e sekretariatit ekzekutiv të Komitetit

Sekretariati ekzekutiv i Komitetit kryen këto detyra:

1. Harton dhe administron listat e fëmijëve që mund të birësohen brenda ose jashtë vendit.

2. Pranon kërkesat e paraqitura nga shtetas shqiptarë ose të huaj, rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që dëshirojnë të birësojnë fëmijë dhe ndihmon në plotësimin e dokumentacionit.

3. Kujdeset për t’u dhënë këshillat e nevojshme personave, pëlqimi i të cilëve kërkohet për birësim dhe jep të dhëna në kohë për pasojat e pëlqimit të tyre dhe të birësimit.

4. Bashkëpunon me institucionet e përkujdesit social për fëmijët, publike dhe private, brenda vendit, për të siguruar mbrojtjen e interesave të fëmijëve që janë në këto institucione.

5. Shqyrton, verifikon dhe vlerëson dokumentacionin e paraqitur nga aplikantët birësues dhe dokumentacionin e fëmijës për t’u birësuar.

6. Siguron informacion të hollësishëm për prejardhjen e fëmijës, përfshirë prejardhjen kombëtare, fetare, kulturore dhe gjuhësore.

7. Realizon intervista me aplikantët birësues dhe përgatit studimin për ta.

8. Organizon këshillime, seminare dhe veprimtari të tjera në fushën e birësimit.

9. I kërkon sektorit të shërbimit social pranë njësive të qeverisjes vendore dhe agjencive ndërmjetësuese të dhëna për gjendjen e fëmijës së birësuar.

10. Realizon intervista për marrjen e mendimit/pëlqimit të fëmijës për birësimin, sipas parashikimeve të nenit 15 të këtij ligji.

11. Ushtron kontrolle në institucionet e përkujdesjes publike dhe private për fëmijët që plotësojnë kushtet për t’u birësuar dhe verifikon raportet periodike, të paraqitura prej tyre në Komitet për gjendjen e fëmijëve.

12. Mbikëqyr veprimtarinë e agjencive ndërmjetësuese për përbërjen, funksionimin dhe gjendjen financiare të tyre.