Neni 5 - Organizimi

1. Komiteti funksionon në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, në përputhje me këtë ligj, Kodin e Familjes, konventën “Për të drejtat e fëmijës” dhe Konventën e Hagës.

2. Komiteti përbëhet nga:
a) këshilli drejtues;
b) kryetari;
c) sekretariati ekzekutiv.

3. Këshilli drejtues është organi më i lartë vendimmarrës i Komitetit dhe përbëhet nga kryetari, si dhe nga një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, i ministrisë që mbulon fushën e shëndetësisë, i ministrisë që mbulon fushën e arsimit dhe shkencës, i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i ministrisë që mbulon fushën e rendit publik, i ministrisë që mbulon fushën e financave, i ministrisë që mbulon fushën e çështjeve sociale, një pedagog i së drejtës familjare nga universitetet publike dhe një përfaqësues i shoqatës së jetimëve.

4. Kryetari i Komitetit drejton këshillin drejtues dhe sekretariatin ekzekutiv.

5. Sekretariati ekzekutiv i Komitetit përbëhet nga specialistë të fushave të ndryshme dhe personeli i shërbimit, të cilët ndihmojnë këshillin drejtues në ushtrimin e funksioneve të veta. Veprimtaria e sekretariatit përcaktohet në këtë ligj dhe në rregulloren e brendshme të Komitetit.

6. Struktura dhe organika e Komitetit miratohen nga Kryeministri, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë. Rregullorja e brendshme e Komitetit miratohet nga Ministri i Drejtësisë, me propozimin e këshillit drejtues të Komitetit.