Neni 8 - Marrëdhëniet e Komitetit

1. Komiteti, në zbatim të Kodit të Familjes dhe të këtij ligji, bashkëpunon me:

a) ministritë që mbulojnë çështjet sociale dhe shëndetësinë për shkëmbime informacioni për respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fushën e birësimit;

b) Inspektoratin e Ndihmës Ekonomike, Pagesës së Personave me Aftësi të Kufizuar dhe me shërbimet shoqërore, si autoritet i ngritur për kontrollin e zbatimit të legjislacionit dhe të standardeve të shërbimeve shoqërore;

c) organet e institucioneve të mësipërme pranë njësive të qeverisjes vendore, si më poshtë:
i) sektorin e shërbimit social, i cili dërgon në Komitet raporte periodike 6-mujore për fëmijët e vendosur në kujdestari jashtë institucioneve;
ii) institucionet e përkujdesjes sociale të fëmijëve, publike dhe private, të cilat dërgojnë në Komitet raporte periodike 6-mujore për fëmijët që kanë në institucionet e tyre, për afatet dhe arsyet e qëndrimit në institucion.

2. Komiteti ushtron kontrolle të vazhdueshme në institucionet e përkujdesjes për fëmijët, për të njohur gjendjen e fëmijëve që plotësojnë kushtet për t’u birësuar. Kur vihen re shkelje të traktateve (marrëveshjeve) ndërkombëtare dhe të legjislacionit vendas në fushën e birësimeve, kryetari i Komitetit i propozon sektorit të shërbimit social masa disiplinore për drejtuesit e institucioneve shtetërore të përkujdesjes, deri në heqjen e licencës për nstitucionet private të përkujdesjes.