Neni 9 - Detyrat e këshillit drejtues të Komitetit

Këshilli drejtues i Komitetit ka këto detyra:

1. Vendos për përshtatshmërinë e aplikantëve birësues.

2. Jep pëlqimin, me shkrim dhe në mënyrë kolegjiale, për birësimin e fëmijës nga aplikantët birësues, nisur nga interesi më i lartë i fëmijës.

3. Merr masat e nevojshme për të shmangur dështimin e birësimeve, përfitimet e padrejta, si dhe çdo lloj veprimtarie, që synon trafikimin e fëmijëve.

4. Cakton kohëzgjatjen, mënyrën dhe vendin ku do të realizohet periudha e provës për përshtatshmërinë e birësuesve me të birësuarin.

5. Miraton projektbuxhetin e Komitetit dhe propozon strukturën organike të tij.

6. Miraton programet e punës së Komitetit dhe politikat përkatëse për përmirësimin e procedurave të birësimit.

7. Analizon, në fund të çdo viti, veprimtarinë financiare dhe administrative të Komitetit.

8. Propozon për miratim, me urdhër të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Financave, tarifat për shërbimet e kryera për birësim.

9. Përmbush detyrimet që rrjedhin nga konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara për të drejtat e fëmijëve në birësim.

10. Bën propozime për përmirësimin e legjislacionit në fushën e birësimit, në interes të fëmijës.

11. Vlerëson për çdo rast përfundimet për bashkimin birësues - i birësuar, që ka miratuar dhe mbikëqyr nëse birësimi i përgjigjet interesit më të lartë të fëmijës.

12. Licencon veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse vendase në fushën e ndërmjetësimit për birësim, në përputhje me kërkesat e akteve ndërkombëtare dhe të këtij ligji.

13. U kërkon agjencive, vendase dhe të huaja, informacion për gjendjen e fëmijës së birësuar, në afate të përcaktuara në marrëveshjen e nënshkruar me to.

14. Nxit bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve qendrore të vendeve të tjera, si dhe hartimin e marrëveshjeve dypalëshe me agjencitë e huaja ndërmjetëse.

15. Miraton veprimtarinë e agjencive të huaja, që punojnë në fushën e birësimit në Shqipëri.

16. Informohet për veprimtarinë e agjencive të licencuara, pas kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Komitetit dhe, kur vëren se ato kanë kryer shkelje të detyrimeve ligjore, merr masa administrative deri në heqjen e licencës.