strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU III - PËRGATITJA E DOKUMENTACIONIT BIRËSUES

  • Neni 14 - Paraqitja e kërkesës
  • 1. Shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të birësojnë fëmijë shqiptarë, i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit. Ata mund të birësojnë vetëm fëmijë, emrat e të cilëve janë në listat e Komitetit.

    2. Shtetasit e huaj mund t’i drejtohen Komitetit vetëm nëpërmjet autoriteteve qendrore kompetente ose agjencive ndërmjetësuese të vendit të tyre, të njohura si të tilla nga Komiteti.

    3. Shtetasit e huaj, rezidentë prej dy vjetësh në Republikën e Shqipërisë, mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit, vetëm nëse legjislacioni i tyre kombëtar e lejon birësimin.

    4. Shtetasit shqiptarë, rezidentë jashtë Republikës së Shqipërisë, mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit, me kusht që vendimi gjyqësor shqiptar i birësimit të sjellë pasoja juridike në vendin e tyre të rezidencës.

  • Neni 15 - Mendimi/pëlqimi i fëmijës që birësohet
  • 1. Kur fëmija ka mbushur moshën 10 vjeç, birësimi kryhet vetëm kur Komiteti ka marrë mendimin e tij dhe pasi siguron se:

    a) fëmija është këshilluar dhe informuar për pasojat e birësimit dhe të dhënies së mendimit të tij për birësimin;

    b) janë marrë parasysh mendimet dhe dëshirat e fëmijës, kur ato janë në interes të tij;

    c) mendimi i fëmijës është dhënë në mënyrë të vullnetshme dhe është dokumentuar apo evidentuar me shkrim, sipas formës së përcaktuar nga Komiteti;

    ç) mendimi nuk është dhënë kundrejt pagesës apo çdo lloj kompensimi tjetër.

    2. Kur fëmija ka mbushur moshën 12 vjeç, për birësim kërkohet pëlqimi i tij, në përputhje me kërkesat e tjera të pikës 1 të këtij neni.

  • Neni 16 - Legjislacioni që zbatohet
  • 1. Për fëmijën e huaj, që ndodhet në Republikën e Shqipërisë, në gjendje faktike braktisjeje, për të cilin kërkohet një ndërhyrje emergjente ligjore, zbatohet legjislacioni shqiptar në fuqi.

    2. Shtetasi shqiptar, që dëshiron të birësojë një fëmijë me shtetësi të huaj, duhet të përmbushë kërkesat e Kodit të Familjes, të këtij ligji, si dhe ato të ligjit të vendbanimit të fëmijës. Kërkesa i drejtohet Komitetit.

    3. Shtetasi shqiptar, që ka dhe një shtetësi tjetër të huaj dhe banon në mënyrë të përhershme jashtë Republikës së Shqipërisë, në rast birësimi të një fëmije shqiptar, duhet të përmbushë kërkesat përkatëse ligjore të birësimit të vendbanimit të përhershëm.

  • Neni 17 - Birësimi i fëmijës refugjat
  • 1. Nuk mund të kryhet birësimi i një fëmije refugjat nëse:
    a) ka shpresë të arsyeshme për gjetjen e familjes së tij dhe për bashkimin familjar, në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës;
    b) nuk ka kaluar dy vjet nga data e marrjes së azilit, kohë gjatë së cilës janë ndërmarrë të gjitha masat për gjetjen e prindërve ose anëtarëve të tjerë të familjes së fëmijës;
    c) është në kundërshtim më interesin e fëmijës;
    ç) është i mundshëm në një të ardhme të afërt rikthimi i sigurt dhe me dinjitet në vendin e origjinës dhe nëse mundësitë e fëmijës në vendin e origjinës janë më të mira sesa birësimi në vendin e azilit ose në një vend të tretë.

    2. Në procesin e birësimit të fëmijëve refugjatë, Komiteti bashkëpunon me strukturën përkatëse shtetërore që mbulon çështjet e refugjatëve.

  • Neni 18 - Dokumentacioni i aplikantit birësues
  • Aplikanti birësues paraqet në Komitet dokumentacionin e mëposhtëm:

    1. Kërkesën me motivimin e birësimit.

    2. Të dhënat personale për marrëdhëniet ndërpersonale të anëtarëve të familjes, informacione për pjesëtarët e familjes dhe qëndrimin e tyre ndaj birësimit.

    3. Të dhënat për gjendjen civile, si certifikatën e lindjes, certifikatën e martesës, certifikatën e zgjidhjes së martesës ose të vdekjes së bashkëshortit.

    4. Vërtetimin e gjendjes gjyqësore.

    5. Të dhëna për fëmijërinë dhe mënyrën e rritjes.

    6. Raportin mjekësor dhe historinë mjekësore të familjes.

    7. Vërtetime të punësimit, të të ardhurave dhe të pasurisë së paluajtshme.

    8. Vërtetimin e pronësisë së banesës dhe të dhëna për kushtet e banimit.

    9. Vërtetimin për gjendjen ekonomike dhe sociale.

    10. Vërtetimin, nga organet e njësisë së qeverisjes vendore të vendbanimit, për sjelljen dhe figurën morale.

    11. Deklaratën e gatishmërisë së familjarëve dhe të miqve në mbështetje të aplikantit birësues.

  • Neni 19 - Studimi i aplikantit birësues
  • Pas shqyrtimit të kërkesës dhe të dokumenteve përkatëse nga sekretariati ekzekutiv për të drejtën e aplikantit birësues për të birësuar, bëhet studimi i aftësisë së tij birësuese. Studimi i përgatitur i paraqitet këshillit drejtues për shqyrtim në mbledhjen e tij të radhës.

  • Neni 20 - Regjistrimi në listat e Komitetit
  • Në listat e Komitetit regjistrohen ata fëmijë shqiptarë, për të cilët:
    a) është deklaruar braktisja me një vendim gjyqësor të formës së prerë;
    b) është dhënë pëlqimi nga prindërit biologjikë;
    c) është dhënë pëlqimi nga gjykata për fëmijët që ndodhen në përkujdesje, sipas paragrafit të tretë të nenit 246 të Kodit të Familjes.

  • Neni 21 - Heqja nga listat e Komitetit
  • Hiqen nga listat e Komitetit dhe nuk mund të birësohen fëmijët kur:

    a) është tërhequr pëlqimi i prindërve biologjikë për birësim, sipas Kodit të Familjes;

    b) është vendosur nga gjykata, që fëmija të qëndrojë pranë prindërve biologjikë, me ndërhyrjen në proces të prindërve, nisur nga interesi më i lartë i fëmijës;

    c) janë bërë madhorë;

    ç) fëmija vdes;

    d) fëmija mbi 12 vjeç kundërshton birësimin.

  • Neni 22 - Dokumentacioni i fëmijës që do të birësohet
  • 1. Sekretariati ekzekutiv verifikon dhe vlerëson dokumentacionin për çdo fëmijë që do të birësohet, të përgatitur nga institucionet e përkujdesjes sociale ose të shërbimit social pranë njësive të qeverisjes vendore. Vlerësimi i këtij dokumentacioni shërben për gjetjen e familjeve të përshtatshme, për të përballuar nevojat e fëmijës.

    2. Dokumentacioni i fëmijës që do të birësohet përmban:
    a) certifikatën e lindjes;
    b) raportin për gjendjen psikologjike, fizike dhe sociale të tij;
    c) raportin për gjendjen shëndetësore ekzistuese dhe historikun mjekësor;
    ç) mendimin e fëmijës, nëse ai ka mbushur 10 vjeç, duke pasur parasysh aftësinë e tij për të arsyetuar. Kur fëmija ka mbushur moshën 12 vjeç paraqitet pëlqimi i vet;
    d) certifikatat e prindërve të tij biologjikë, nëse ata njihen;
    dh) raportin me të dhëna mbi historikun mjekësor të prindërve, nëse ato dihen, informacion për shtatzaninë dhe lindjen;
    e) deklaratën me shkrim të prindit biologjik për pëlqimin ose vendimin gjyqësor, që ka dhënë pëlqimin për birësimin e fëmijës, ose vendimin gjyqësor që e ka deklaruar fëmijën të braktisur;
    ë) historikun e kalimit në kujdestari të fëmijës, nëse ka dhe të dhëna për kushtet në të cilat ka jetuar;
    f) hollësi rreth jetës dhe zakoneve të tij.

    3. Data e lëshimit të raportit, sipas shkronjave “b” dhe “c” të pikës 2 të këtij neni, duhet të jetë jo më parë se dy javë nga data e dorëzimit në Komitet e dokumentacionit për birësim.