Shpallja e martesës

  • Neni 15
  • Përpara lidhjes së martesës, nëpunësi i gjendjes civile bën shpalljen e saj, duke afishuar në vende të caktuara nga bashkia ose komuna aktin, ku tregohet identiteti, profesioni, vendbanimi dhe vendqëndrimi i bashkëshortëve të ardhshëm, si dhe vendi ku do të lidhet martesa.

  • Neni 16
  • Kërkesa për shpallje bëhet nga bashkëshortët e ardhshëm ose nga personi i caktuar nga ata me prokurë të posaçme.
    Shpallja bëhet në bashkinë ose komunën e vendit ku secili nga bashkëshortët e ardhshëm ka vendbanimin ose vendqëndrimin.
    Nëse nuk kanë jetuar 6 muaj në vendbanimin ose vendqëndrimin aktual, shpallja duhet të bëhet edhe në bashkinë ose komunën ku bashkëshorti ka jetuar më parë.

  • Neni 17
  • Martesa nuk mund të lidhet para se të kalojnë 10 ditë nga e nesërmja e shpalljes.
    Në qoftë se shpallja ndërpritet përpara mbarimit të këtij afati, ky fakt duhet të përmendet në shpalljen e re.

  • Neni 18
  • Në qoftë se lidhja e martesës nuk është bërë brenda 1 viti nga shpallja, martesa nuk mund të lidhet pa u bërë shpallja e re e parashikuar në dispozitat për shpalljen e martesës.

  • Neni 19
  • Personi që kërkon shpalljen duhet t’i paraqesë nëpunësit të gjendjes civile certifikatat e lindjes së të dy bashkëshortëve të ardhshëm, si dhe çdo dokument tjetër që është i nevojshëm dhe provon se nuk ekzistojnë pengesa për lidhjen e martesës.