Mbiemri regjistrohet në regjistrin e martesave.

  • Neni 52 - Mbiemri i fëmijëve
  • Fëmija merr mbiemrin e përbashkët të prindërve. Kur prindërit kanë mbiemra të ndryshëm, të gjithë fëmijët mbajnë një mbiemër, atë që do të vendosin prindërit me marrëveshje. Kur marrëveshja nuk arrihet, fëmijët mbajnë mbiemrin e të atit.

  • Neni 53 - Detyrimi ndaj fëmijëve
  • Martesa vendos mbi të dy bashkëshortët detyrimin për të mbajtur, arsimuar dhe edukuar fëmijët, duke pasur parasysh aftësitë, prirjet natyrore dhe dëshirat e fëmijëve.

  • Neni 54 - Kontributi i bashkëshortëve
  • Në qoftë se kontributi i bashkëshortëve për detyrimet që rrjedhin nga martesa nuk është rregulluar me kontratën martesore, ata do të kontribuojnë për nevojat e familjes në përputhje me kushtet dhe aftësitë e tyre.

  • Neni 55 - Vendbanimi i bashkëshortëve
  • Bashkëshortët kanë detyrimin e jetesës së përbashkët.
    Vendbanimi i familjes është vendi që bashkëshortët zgjedhin me marrëveshje të përbashkët.
    Në rast mosmarrëveshjeje, secili nga bashkëshortët mund t’i drejtohet gjykatës, e cila, pasi dëgjon mendimet e të dy bashkëshortëve dhe, nëse është rasti, edhe mendimin e fëmijës që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, mundohet të arrijë një zgjidhje me mirëkuptim.
    Kur kjo nuk është e mundur, gjykata vendos zgjidhjen që e quan më të përshtatshme për kërkesat e familjes.

  • Neni 56 - Largimi nga vendbanimi
  • E drejta për ndihmë morale dhe materiale e parashikuar në këtë Kod ndërpritet kundrejt bashkëshortit, që është larguar pa shkak nga vendbanimi familjar dhe refuzon të kthehet.
    Në rast të mospërmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga martesa, gjykata, sipas rrethanave, mund të urdhërojë sekuestrimin e të mirave të bashkëshortit të larguar, në masën e duhur.

  • Neni 57 - Pëlqimi i bashkëshortit
  • Bashkëshortët nuk mund të disponojnë banesën bashkëshortore dhe pajisjet e saj pa pëlqimin e tjetrit, cilido qoftë regjimi pasuror martesor.
    Bashkëshorti që nuk ka dhënë pëlqimin për veprimin juridik të kryer nga tjetri, lidhur me banesën bashkëshortore, mund të kërkojë anulimin e tij brenda 1 viti nga data kur ai ka marrë njoftim për këtë veprim juridik, por jo më tepër se 1 vit nga data që regjimi pasuror martesor ka marrë fund.

  • Neni 58 - Autorizimi i gjykatës
  • Çdo bashkëshort mund të autorizohet nga gjykata për të kryer një veprim juridik, për të cilin bashkëpunimi ose pëlqimi i bashkëshortit tjetër do të ishte i nevojshëm, në qoftë se ky i fundit nuk është në gjendje të shprehë vullnetin e tij ose në qoftë se refuzimi i tij vjen në kundërshtim me interesin e familjes.
    Veprimi juridik i kryer si më sipër, mund të kundërshtohet nga bashkëshorti, pëlqimi i të cilit nuk është marrë, për të mos e ngarkuar atë me asnjë detyrim.

  • Neni 59 - Autorizimi i përfaqësimit
  • Në qoftë se njëri nga bashkëshortët nuk është në gjendje të shprehë vullnetin e tij, bashkëshorti tjetër mund ta përfaqësojë në të gjitha veprimet juridike ose në veprime juridike të caktuara që lidhen me regjimin pasuror martesor. Kushtet dhe gjerësia e përfaqësimit përcaktohen në autorizimin e dhënë nga gjykata.

  • Neni 60 - Veprime pa pëlqimin e bashkëshortit
  • Secili nga bashkëshortët mund të kryejë vetë, pa pëlqimin e bashkëshortit tjetër, veprimet juridike që kanë të bëjnë me mbajtjen e familjes ose me edukimin e fëmijëve. Për detyrimet e marra përsipër nga njëri bashkëshort, detyrohet solidarisht edhe bashkëshorti tjetër.
    Përgjegjësia solidare nuk ka vend për shpenzimet haptazi të tepërta, duke pasur parasysh mënyrën e jetesës në familje, dobishmërinë e veprimit të kryer, si dhe mirëbesimin ose keqbesimin e personave të tretë kontraktues.

  • Neni 61 - Masat urgjente
  • Në qoftë se njëri nga bashkëshortët nuk plotëson në mënyrë të dukshme detyrimet e tij dhe vë në rrezik interesat e familjes, gjykata, me kërkesën e bashkëshortit tjetër, mund të përcaktojë të gjitha masat urgjente që lidhen me ta.
    Zgjatja e masave të parashikuara në këtë nen duhet të jetë e përcaktuar dhe në asnjë rast të mos i kalojë 3 vjet.

  • Neni 62 - Masat kundër dhunës
  • Bashkëshorti ndaj të cilit ushtrohet dhunë, ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës me kërkesë për vendosjen si masë urgjente largimin e bashkëshortit, që ushtron dhunë, nga banesa bashkëshortore.

  • Neni 63 - Disponimi i të ardhurave
  • Secili nga bashkëshortët mund të ushtrojë lirisht një profesion, të disponojë të ardhurat nga puna dhe të ardhurat e tjera, sipas regjimit pasuror martesor përkatës, pasi të ketë kontribuar në detyrimet që rrjedhin nga martesa.