Neni 95 - Administrimi i pasurisë vetjake të bashkëshortit

Secili bashkëshort ka të drejtë të administrojë dhe të disponojë lirisht pasuritë vetjake.
Nëse gjatë martesës njëri nga bashkëshortët i beson tjetrit administrimin e pasurisë së tij vetjake, zbatohen rregullat e përfaqësimit.
Nëse njëri nga bashkëshortët administron pasurinë vetjake të tjetrit, me dijeninë e këtij të fundit dhe pa pasur kundërshtim nga ana e tij, konsiderohet se ka marrë një akt përfaqësimi në heshtje, që mbulon veprimet e administrimit dhe të përdorimit, me përjashtim të tagrit të disponimit. Në këtë rast, ai përgjigjet kundrejt bashkëshortit tjetër me cilësinë e përfaqësuesit dhe, nëse është rasti, detyrohet të dorëzojë vetëm frytet që ekzistojnë, duke mos u përgjigjur për ato që janë konsumuar.
Nëse njëri nga bashkëshortët, me gjithë kundërshtimin e tjetrit, administron pasurinë e tij vetjake dhe kryen veprime lidhur me të, përgjigjet për dëmin e shkaktuar dhe për frytet që duhet të ishin marrë. Në këtë rast, bashkëshorti i dëmtuar ka të drejtë të ngrejë padi për anulimin e veprimit të kryer, sipas kritereve të përcaktuara në nenin 94 të këtij Kodi.