Pjesët jo të barabarta

  • Neni 112
  • Bashkëshortët, në kontratën e martesës, mund të bien dakord të caktojnë pjesë jo të barabarta për pasurinë në bashkësi, ndryshe nga bashkësia ligjore.

  • Neni 113
  • Në rastet kur bashkëshortët, në kontratën e martesës, kanë përcaktuar pjesë jo të barabarta në bashkësi, ata ose trashëgimtarët e tyre i përballojnë detyrimet në raport me pasurinë që kanë në bashkësi ose që kanë përfituar nga bashkësia.
    Çdo klauzolë e kontratës është e pavlefshme nëse detyron bashkëshortin me pjesë të kufizuar ose trashëgimtarët e tij të përballojnë një detyrim më të madh se pjesa e tyre në bashkësi ose të përjashtohen nga përballimi i detyrimit të tyre në raport me këtë pjesë.

  • Neni 114 - Bashkësia universale
  • Bashkëshortët mund të vendosin në kontratën e martesës një bashkësi universale të pasurisë së tyre, të luajtshme dhe të paluajtshme, që ekziston dhe që do të vihet në të ardhmen, me përjashtim të pasurisë vetjake të parashikuar në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” të nenit 77 të këtij Kodi.
    Bashkësia universale përballon të gjitha detyrimet e bashkëshortëve, që ekzistojnë në çastin e lidhjes së kontratës dhe gjatë martesës.