Administrimi i pasurisë

  • Neni 117
  • Në rast se gjatë martesës, njëri nga bashkëshortët i beson tjetrit administrimin e pasurisë së tij, zbatohen rregullat e përfaqësimit.
    Bashkëshorti përfaqësues nuk është i detyruar të japë llogari për kthimin e fryteve, nëse prokura nuk e detyron shprehimisht për një gjë të tillë.

  • Neni 118
  • Nëse njëri nga bashkëshortët administron pasurinë e bashkëshortit tjetër, me dijeninë e këtij të fundit dhe pa pasur kundërshtim nga ana e tij, konsiderohet se ka marrë një mandat të heshtur, i cili mbulon veprimet lidhur me administrimin, por jo ato të disponimit.
    Në këtë rast, bashkëshorti përfaqësues përgjigjet ndaj bashkëshortit tjetër vetëm për frytet që ekzistojnë dhe nuk përgjigjet për ato që janë konsumuar.
    Nëse njëri nga bashkëshortët, me gjithë kundërshtimin e tjetrit, administron pasurinë e këtij të fundit ose kryen veprime lidhur me këtë pasuri, ai përgjigjet për dëmin dhe për frytet që duhet të ishin marrë.

  • Neni 119
  • Pasuria e luajtshme që posedohet nga njëri prej bashkëshortëve ose nga të dy bashkëshortët prezumohet, në lidhje me kreditorët e secilit prej tyre, se i përket bashkëshortit debitor. Ky prezumim nuk është i vlefshëm në rast të ndërprerjes së jetesës së përbashkët.
    Pasuria e luajtshme që posedohet nga të dy bashkëshortët prezumohet, në lidhje me njëri-tjetrin, se i përket të dy bashkëshortëve në pjesë të barabarta.
    Pasuria e luajtshme, e paracaktuar për përdorim vetjak nga njëri prej bashkëshortëve, prezumohet se i përket këtij të fundit.

  • Neni 120
  • Me mbarimin e martesës për shkak të vdekjes së njërit bashkëshort, pjesëtimi i pasurisë ndërmjet bashkëshortëve me regjime pasurish të ndara, për sa i përket formës, ruajtjes së pandarë të sendit të papjesëtueshëm, radhës së preferencave, shitjes në ankand të sendeve të papjesëtueshme, efekteve të ndarjes, garancisë dhe diferencave, i nënshtrohet rregullave të trashëgimisë për ndarjen midis trashëgimtarëve.
    Të njëjtat rregulla zbatohen dhe pas zgjidhjes së martesës, me përjashtim të radhës së preferencave. Mund të vendoset që diferenca e mundshme të paguhet me para në dorë.

  • Neni 121
  • Nëse martesa mbaron ose shpallet e pavlefshme dhe pasuria e njërit prej bashkëshortëve është shtuar nga lidhja e martesës, bashkëshorti tjetër, në rastin kur ai ka kontribuar në një mënyrë ose në një tjetër për këtë shtim, ka të drejtën të kërkojë kthimin e pjesës së shtuar nga kontributi i tij.

  • Neni 122
  • E drejta e parashikuar në nenin 121 i kalon trashëgimtarëve të bashkëshortit të vdekur, vetëm nëse njihet në kontratë ose për shkak të vazhdimit të një gjykimi të filluar.
    Kjo e drejtë parashkruhet me kalimin e 2 vjetëve nga mbarimi ose shpallja e pavlefshme e martesës.