strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU II - RASTET E ZGJIDHJES SË MARTESËS

  • Neni 125 - Pëlqimi reciprok i bashkëshortëve
  • Kur bashkëshortët bien dakord për zgjidhjen e martesës, i paraqesin gjykatës për miratim, së bashku me kërkesën, edhe një projektmarrëveshje që rregullon pasojat e zgjidhjes së martesës.
    Kërkesa mund të paraqitet nga bashkëshortët ose nga përfaqësuesit e tyre respektivë.

  • Neni 126
  • Gjykata shqyrton kërkesën, dëgjon fillimisht veçmas secilin nga bashkëshortët, më pas bashkërisht, pa praninë e përfaqësuesve të tyre dhe në fund thërret përfaqësuesit e bashkëshortëve, në qoftë se ata kanë të tillë.

  • Neni 127
  • Gjykata vendos zgjidhjen e martesës në rast se krijon bindjen se vullneti i secilës palë është real dhe secili prej tyre ka dhënë lirisht pëlqimin e tij për zgjidhjen e martesës. Në të njëjtin vendim, gjykata miraton dhe marrëveshjen që rregullon pasojat e zgjidhjes së martesës.
    Marrëveshja përmban lënien për rritje dhe edukim të fëmijëve të tyre të mitur, të ardhurat e nevojshme për rritjen dhe edukimin e tyre, kontributin e secilit bashkëshort në favor të bashkëshortit nevojtar, nëse është rasti dhe nëse është e mundur edhe rregullimin e marrëdhënieve të tyre pasurore.

  • Neni 128 - Refuzimi i miratimit
  • Në rast se gjykata konstaton se marrëveshja nuk siguron në mënyrë të mjaftueshme interesat e fëmijëve ose të njërit prej bashkëshortëve, pezullon gjykimin për 3 muaj dhe u kërkon bashkëshortëve të bëjnë rregullimet e duhura në marrëveshje.
    Në qoftë se edhe pas afatit të parashikuar në paragrafin e parë nuk janë bërë rregullimet e duhura, gjykata refuzon miratimin dhe rrëzon kërkesën për zgjidhjen e martesës me pëlqim reciprok të bashkëshortëve.

  • Neni 137 - Pezullimi i gjykimit me kërkesën e gruas shtatzënë
  • Kur gruaja është shtatzënë, me kërkesën e saj, gjykata mund të pezullojë gjykimin e padisë së zgjidhjes së martesës, por jo më tepër se 1 vit nga çasti i lindjes së fëmijës.

  • Neni 138 - Bashkimi i kërkimeve të tjera
  • Në kërkesëpadinë për zgjidhjen e martesës mund të kërkohet edhe detyrimi i bashkëshortit tjetër për të përballuar shpenzimet për detyrimin për ushqim, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, shpenzimet për jetesë të bashkëshortit nevojtar, në rastet e parashikuara në këtë Kod, si dhe likuidimin e regjimit pasuror martesor përkatës.
    Gjykata veçon likuidimin e regjimit pasuror martesor në rast se vështirësohet shqyrtimi i çështjes, sipas kërkesave të paragrafit të parë të këtij neni.

  • Neni 139 - Marrja e masave të përkohshme
  • Gjykata, me kërkesën e palës së interesuar, mund të marrë masa të përkohshme për detyrimin për ushqim, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të mitur, për detyrimin për ushqim të bashkëshortit, kur shihet e arsyeshme, për sigurimin e banimit, si dhe administrimin dhe përdorimin e pasurisë së vënë gjatë martesës, nëse është rasti.
    Vendimi për marrjen e një mase të përkohshme ka fuqi derisa të jepet vendimi përfundimtar, por ai mund të ndryshohet ose të shfuqizohet nga gjykata, kur çmon se kanë ndryshuar rrethanat ose kur vendimi është marrë mbi të dhëna jo të sakta.

  • Neni 140 - Të drejtat e trashëgimtarëve
  • E drejta e padisë për zgjidhjen e martesës nuk u kalon trashëgimtarëve. Në rast se gjykimi ka filluar më parë, gjykata ndërpret procesin dhe pushon gjykimin.
    Në këtë rast, bashkëshorti pasjetues gëzon të drejtën për të trashëguar bashkëshortin e vdekur.

  • Neni 143 - Dërgimi i vendimit në zyrën e gjendjes civile
  • Pasi të ketë marrë formë të prerë, vendimi për zgjidhjen e martesës i dërgohet nga gjykata për regjistrim zyrës së gjendjes civile përkatëse.

  • Neni 144 - Efektet e vendimit të zgjidhjes së martesës
  • Vendimi i gjykatës për zgjidhjen e martesës i fillon efektet e tij nga data që merr formë të prerë.
    Vendimi i gjykatës për zgjidhjen e martesës i fillon efektet e tij për të tretët nga data e regjistrimit të tij në zyrën e gjendjes civile, sipas legjislacionit përkatës.