Neni 153 - E drejta e përdorimit të banesës

Në rast se banesa familjare është në pronësi të njërit ishbashkëshort dhe bashkëshorti tjetër nuk ka në pronësi banesë tjetër të përshtatshme në vendbanimin e tyre, gjykata mund të lejojë përdorimin nga ish-bashkëshorti jopronar të banesës kur:

a) fëmijët i janë lënë për rritje dhe edukim këtij të fundit, derisa ata të arrijnë moshën madhore;

b) zgjidhja e martesës bëhet nga ish-bashkëshorti pronar për ndërprerje prej tij të jetesës së përbashkët. Në këtë rast e drejta e përdorimit të banesës është deri në 7 vjet, por në rast se ish-bashkëshorti jopronar rimartohet, e humbet këtë të drejtë;

c) kur ish-bashkëshorti jopronar ka instaluar në banesën e ishbashkëshortit pronar një kabinet profesional me vlerë të madhe, lëvizja e të cilit do të kërkonte shpenzime të mëdha. Në këtë rast e drejta e përdorimit është deri në 3 vjet.
Në këto raste gjykata përcakton afatin e përdorimit dhe masën e qirasë që detyrohet të paguajë ish-bashkëshorti jopronar në përputhje me të ardhurat e tij.

Në çdo rast gjykata mund të zgjidhë kontratën e qirasë, në qoftë se kjo justifikohet nga rrethana të reja.