Njohja e amësisë

  • Neni 176
  • Kur fëmija është regjistruar në aktin e lindjes me prindër të panjohur, nëna mund ta njohë fëmijën. Njohjen e fëmijës mund ta bëjë edhe vetë nëna e mitur.
    Njohja mund të bëhet para nëpunësit të gjendjes civile ose me testament. Njohja e bërë nuk mund të revokohet edhe sikur të jetë bërë me testament.

  • Neni 177
  • Fëmija i regjistruar në aktin e lindjes me prindër të panjohur mund të kërkojë nga gjykata vërtetimin e amësisë.
    E drejta e padisë për vërtetimin e amësisë nuk u kalon trashëgimtarëve të fëmijës, por gjykimi i filluar që më parë mund të vazhdojë nga trashëgimtarët.
    Padia për vërtetimin e amësisë mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të gruas që kërkohet të vërtetohet se është nëna.
    E drejta e padisë për vërtetimin e amësisë nuk parashkruhet gjatë gjithë kohës që fëmija jeton.