Neni 201

Detyrimi për ushqim mund të kërkohet vetëm nga ai që është nevojtar dhe nuk është në gjendje të sigurojë nevojat e domosdoshme të tij.
Detyrimi për ushqim duhet të caktohet në raport me nevojat e atij që e kërkon dhe mundësitë ekonomike të atij që detyrohet. Ai nuk duhet të kapërcejë atë që është e nevojshme për jetën e personit që përfiton detyrimin për ushqim, duke pasur parasysh rrethanat e jetës së tij.