KREU I - KUPTIMI I PËRGJEGJËSISË PRINDËRORE

  • Neni 215
  • Përgjegjësia prindërore përfshin tërësinë e të drejtave dhe detyrave që kanë për qëllim të sigurojnë mirëqenien emocionale, sociale dhe materiale të fëmijës, duke u kujdesur për të, duke mbajtur raporte vetjake me të, duke i siguruar atij mirërritjen, edukimin, arsimimin, përfaqësimin ligjor dhe administrimin e pasurive të tij.

  • Neni 216 - Kufijtë e përgjegjësisë prindërore
  • Fëmija ndodhet nën përgjegjësinë prindërore deri në arritjen e moshës madhore.

  • Neni 217 - Detyrimi reciprok
  • Prindërit dhe fëmijët reciprokisht duhet të ndihmojnë, të duan dhe të respektojnë njëri-tjetrin.

  • Neni 218 - Kthimi i fëmijës
  • Prindërit mund të kërkojnë nga gjykata kthimin e fëmijës së tyre të mitur, kur nuk jeton pranë tyre dhe mbahet pa të drejtë nga persona të tjerë.
    Gjykata, për rrethana të rënda, mund të mos vendosë kthimin, në qoftë se ky vjen në kundërshtim me interesin më të lartë të fëmijës.
    Gjykata merr edhe mendimin e fëmijës kur ka mbushur moshën dhjetë vjeç.

  • Neni 219 - Marrëdhëniet e fëmijës me gjyshërit
  • Prindërit nuk mund të ndalojnë fëmijën të ketë marrëdhënie vetjake me gjyshërit e tij, me përjashtim të rasteve kur ekzistojnë shkaqe të rënda. Në rast mosmarrëveshjeje midis palëve, gjykata mund të vendosë për mënyrën e rregullimit të këtyre marrëdhënieve.