Neni 250

Gjykata e rrethit mund të deklarojë të braktisur të miturin që ndodhet pranë një institucioni të përkujdesjes sociale, publik ose privat, ose te personi që e ka në përkujdesje, kur prindërit e tij, në mënyrë të dukshme, nuk janë interesuar për të gjatë një viti, përpara paraqitjes së kërkesës për deklarimin e braktisjes.
Kur i mituri ka qenë strehuar që nga lindja e tij në një institucion, afati prej 1 viti kufizohet në 3 muaj.
Konsiderohen në mënyrë të dukshme të painteresuar për fëmijën prindërit që vullnetarisht nuk kanë mbajtur marrëdhënie të përzemërta të nevojshme për rritjen e tij dhe që kanë treguar pakujdesi të rëndë në ushtrimin e përgjegjësisë prindërore.
Gjykata i kërkon personit që ka paraqitur kërkesën shpjegime nëse ka bërë përjekje për gjetjen e prindërve biologjikë të fëmijës dhe kthimin e fëmijës në familjen biologjike, nëse kjo është e mundur.
Braktisja nuk deklarohet kur, gjatë afatit të parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni, një anëtar i familjes ka kërkuar të marrë përsipër rritjen e fëmijës dhe kjo kërkesë është konsideruar në përputhje me interesin e fëmijës.