strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

Pëlqimi për birësim

  • Neni 246
  • Për birësimin e të miturit kërkohet pëlqimi i të dy prindërve të tij.
    Në qoftë se njëri nga të dy prindërit ka vdekur, nuk është në gjendje të shprehë vullnetin e tij ose i është hequr përgjegjësia prindërore, pëlqimi i prindit tjetër është i mjaftueshëm.
    Kur fëmijës i kanë vdekur të dy prindërit, kur atyre u është hequr zotësia për të vepruar ose janë të panjohur, gjykata vendos nëse fëmija duhet të birësohet.
    Kur birësuesi është i martuar, duhet të merret pëlqimi i bashkëshortit të tij.
    Kur i birësuari ka mbushur moshën dhjetë vjeç merret mendimi i tij dhe në moshën dymbëdhjetë vjeç kërkohet pëlqimi i tij.

  • Neni 247
  • Pëlqimi për birësim jepet përpara gjykatës kompetente. Në rast se personi ka vendbanimin ose vendqëndrimin e tij në një shtet tjetër, mund të japë pëlqimin para agjentit diplomatik ose konsullor pranë ambasadës ose konsullatës shqiptare.

  • Neni 248
  • Pëlqimi për birësim mund të tërhiqet nga prindërit biologjikë, brenda 3 muajve nga çasti i dhënies së tij.
    Kjo periudhë shërben edhe si periudhë provë për marrëdhëniet midis birësuesve dhe të birësuarit.
    Periudha e provës shërben për të vendosur një marrëdhënie birësuese midis një fëmije dhe një familjeje.
    Prindërit mund të tërheqin pëlqimin e tyre edhe pas kalimit të afatit tremujor, deri në çastin e marrjes së vendimit nga gjykata kompetente.
    Gjykata, përpara se të vendosë, duhet të verifikojë nëse janë plotësuar afatet e mësipërme, nëse janë bërë të gjitha përpjekjet e nevojshme për kthimin e fëmijës pranë prindërve biologjikë dhe nëse gjatë bashkimit ka funksionuar marrëdhënia e të miturit me birësuesit.
    Në qoftë se personi, që i është besuar fëmija gjatë periudhës së provës dhe më pas, refuzon ta kthejë atë, prindërit mund t’i drejtohen gjykatës, e cila mund të vendosë kthimin e fëmijës në rast se kjo është në interesin e tij.

  • Neni 249
  • Nëse birësuesi vdes pasi ka dhënë pëlqimin dhe para dhënies së vendimit, gjykata mund të vazhdojë procedurën e gjykimit për përfundimin e birësimit.
    Trashëgimtarët e birësuesit mund të paraqesin në gjykatë pretendime për të kundërshtuar birësimin.
    Nëse birësimi pranohet nga gjykata, ai sjell efekte që nga çasti i dhënies së pëlqimit nga birësuesi.